Lasgush Poradeci/ Poezi

    623
    Sigal

    Dimër

     Shpirti im që sot u mbyll

    Dhe gëzimin m’ a përzuri.
    Nëpër mal e nëpër pyll
    Zu dëbora prej qëkuri.

    Bjenë flokët një-nga-një
    Mi katundin e shkretuar.
    Duke mardhur nënë ‘të
    Dheri fjet e rri mbuluar

    Flet nga-dal e shpirti im,
    Dhe në zi pikoj si fleta,
    Pa më qit as pipëlim
    Tërë fili, tërë jeta.

    Ne kaq heshtje-e qetësi
    Ndjej vajtimthin e një shpesi:
    Psherëtin me zë te ti
    Jet’ e trembur se mos vdesi…

    Dora Jote Ledhatare

     

    Dora jote ledhatarja, ësht’ e zbetë si qiri.
    Dora jote ledhatarja lëshon dritën e dëborës.
    Kur t’a ndjeu magjinë-e pastër që të shtrydheshe prej dorës,
    Shpirti im i frymëzuar regëtiu në llaftari.

    Se me lëndë magjistare u pat bërë tul’ i saj;
    Tul’ i saj u pat gatuar me vaj ere-e brumë dylli;
    I dha hëna pak të ndezur, pluhur t’ artë-i fali ylli,
    E kështu m’ u duk hirplotë- haj! o dor’ e vashës, haj!

    Në vështrim të dorës s’ ate ç’ pat, o balli që m’ u vdar?
    Ç’ pat qepall’ e përlotur q’ i ra pika tatëpjetë?-
    Dor’e bryllt’ e vashës s’ime, dor’ e paqme, dor’ e zbetë,
    Vetëtiu me prush magjie e me bëri mendimtar.

    Dora jote që më dhimbset, dora jote që me cik;
    Dora jote që më shtrihet sipër tëmblave gjumashe;
    Dora jote: zemra jote që t’u nda me pesë fashe…
    Dh’ u bë dorë të më ndali ndaj dyshoj se mos ik.

    Përqafimi

    Jetë e vdekje përqafuar,
    Nuku di se ku po vete:
    Shkon e ndal e rri menduar
    Në kalove edhe në mbete.

    Në ke lerë a perënduar,
    Gjith’ dyshimi jetë pas jete!
    Jetë e vdekje përqafuar,
    Nuku di se ku po vete.

    Kështu rrjedh duke kënduar
    Endr’ e zemërës së shkrete.
    Rrjedh si varg i pambaruar,
    Varg i thurur vdekje e jetë,
    Jetë e vdekje përqafuar.

    Shpirtit

     

    Të lus, o Lajmës i qielluar!
    O Frym’ e Zotit, vetë Zot!
    Me hirin t’ ënd të pashtëruar
    Që ka burim përjetësije,
    Hirplot, o Shpirt, nër gaze Ti-je.
    Dhe nër mjerime je hirplot!

    Ti botës s’ onë-i prure lajmin
    E nj’ ëndërimi të pafaj:
    Për mallin t’ ënd me të pastajmin
    Ti kuvendon që përmbi bote,
    Dhe në gezim i bije lotë,
    I bije gas në zi të saj.

    Kur del mi male yll’i ditës
    E shuhet nata prapa ti,
    Ti me vështrimin vetëtitës
    Çkëlqen në fund të zemrës s’ime
    Dh’i bën prej këngës së një grime
    Një të përjetshme- harmoni.

    E kur pat humbur jet’ e dherit,
    Kur syr’ i lodhur m’u përgjum,
    Në shkëndijim te kandilerit
    M’i çfaq ylberin e një rruaze…-
    Fatlum, o Shpirt, ti je nër gaze,
    Dhe nër mjerime je fatlum!

    Sot hapa sytë që-me-natë
    E po këndoj si kurrëkush:
    Drejt lartësisë së pamatë
    Ah, mëshiro të gjitë- i çmuar
    Prej gjirit t’ im të përvëluar
    Fjalim’i mallit t’ im mjerush.