Lasgush Poradeci/ Poezi

    562
    Sigal

    Dremit Liqeri

     Mbi zall të pyllit vjeshtarak

    Dremit liqeri pa kufi,

    Ai ndaj fundesh u përflak

    Posi me zjarr e me flori.

    Posi me flake-u ndez e kroj,

    E vetëtiti plot magji,

    E yll` i ditës perëndoj

    Në qetësi dhe dashuri.

    Tashti po shuhet nën mal

    Qytet`i ngrysur në të zi,

    Po ndizen yjtë dal-nga-dal

    Plot bukuri!Plot fshehtësi!

    Në këtë çast perëndimor,

    Ndaj po me dehen sytë- e mi,

    Kuptoj si shpirtin vjershëtor

    Ma frymëzon një mall i ri.

    Zemra
    Bëj e ri mendohem,
    Të mos t’afërohem,
    Bën e ri mendohesh
    Të mos m’afërohesh.

    Dhe ri bëj e bëjnë
    Mos të shkoj andejnë,
    Dhe ri e bën bëjnë
    Mos të shkosh këtejnë.

    Ha! tek bëj kështuzë,
    Hop! të shoh këtuzë!
    Ha! tek bën ashtuzë,
    Hop! buzë-për-buzë.

    Pa me puth një herë,
    Pa të puth dy herë,
    Pa më puth tri herë,
    Të puth tridhjetë herë,

    Uf! moj zemër-e mjerë…

    Zemër-lule-e-verë,
    Gaz-e-vrer-përherë,
    Zemër-kopsht-me-erë,
    Zemra-skëterre.

     

     

    Gremina

    Ti sot as qesh as qan,

    Ri larg e qetë.

    Në shpirtin tënd ti mban

    Një faj për jetë.

    Një dashuri me gaz,

    Siç fryri era,

    E zure shpejt në çast,

    E le përhera.

    U ngrove-ashtu sa mund,

    As shumë-as pakë,

    S’të ndriu përdrejt në fund

    E bardha flakë

    Kjo jeta ime

    Ku mban shtrëngatën me sa mund,

    Dhe kësaj radhe,

    E hapur krejt, gjer mu në fund,

    Ah plag’e madhe;

    Fund e gjehenë e ang i zi,

    Jetë pas jete,

    Yll-dashuri! Hon-lemeri

    Që mbaj me vete!

    Edhe mendoj mendim me lot,

    Me përvëlime,

    Duroj durim të mbushur plot

    Me zemrën t’ime.

    Më ndriu e griu e shkriu

    Ah mua zjarri!

    U mvarrësh un’i ziu

    Mi buzë varri!

    E nuk më dhemb aspak

    Një vdekje-e gjallë,

    Ndaj qava lot me gjak,

    Si në përrallë;

    Ndaj hoqa rëndë-ashtu,

    Gjer në greminë,

    Llaftarën që më zu

    Për dashurinë;

    Për dashurinë-o Zot,

    Që shemb një burrë,

    Që s’e pat ndjerë dot

    Gruaja kurrë;

    Që lind e ndritur krejt,

    Bukuriplotë!

    Me dritën drejt-për-drejt

    Nga drita jote!

    Që qesh e qan e zjen,

    E s’jep të qetë,

    E zjen e bren e shfren,

    E s’vdes përjetë…