Lasgush Poradeci/ Poezi

    531
    Sigal

    Kush ta fali bukurinë
    Kush ta fali bukurinë,
    Që t’ më tregosh të zinë!

    Kur të pashë për të vluar,
    Pëllumbeshë pendë-shkruar,
    Bubu! Plumb në krahëror,
    Plumb që vret duke gjëmuar!

    Mbledhur shoqet me një qoshe,
    Diç m’ju flisje, diç m’ju thoshe,
    Gush-e-llërë-e-gji-bardhoshe.

    Pa me syçkëzat e tua,
    Sy-larme! Ç’më fole mua.

    Leshrave t’ju binëte hija,
    Yll i ndezur me shkëndija,
    Ndezur mu në mes në ballë,
    Të më vesh në dhe të gjallë.

     

     

    Syr’ i fshehur

     

    Malli jonë q’ u pat shuar,
    Malli i bërë fije,
    Sot më gjet të zemëruar
    Me pru lotë zije

    Un’ u ngrita që me natë
    Posi dashurija-
    Pse m’u lag o, syr’ i thatë
    Në mjerime të tija?

    Ësht’ agim tashti moj mike,
    Dhe ja, se ku dolla
    Nënë strehë venetike,
    Ku po mbin vijolla

    Ku m’u ndes si zjarr rrufeje
    Dëshërim i parë
    Dhemshurisht thërret pas teje
    Zemërëz’ e vrarë;

    Të me vish duke vrapuar
    Ndaj të pres i mjerë
    Se të kam për të pushtuar
    për të fundit herë;

    Se për herëzën e fundit
    më zu mall i mitur,
    syr’i fshehur i katundit
    që më pas zhuritur

    Un’ i ziu që mbeta vetë
    dhe të shoh të vluar
    më vërtitet mendj’e shkretë
    posi shaqiluar…