Lapidarë të lënë në mëshirë të fatit, të rrethuar nga ferrat dhe të dëmtuar

    358
    Sigal

    Gjendje e mjerueshme e lapidarëve që përkujtojnë ngjarje të rëndësishme në rrethin e Vlorës

    Në të gjithë zonën numërohen rreth 70 lapidare, të cilat duhet thënë se në shumicën e tyre janë të dëmtuara

    Gjendje e mjerueshme e lapidarëve që përkujtojnë ngjarje të rëndësishme në rrethin e Vlorës, gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Vetëm disa ditë përpara 70- vjetorit të Çlirimit të atdheut, në 29 Nëntor 1944, gjendja e lapidarëve, duket se nuk ka për të ndryshuar. Kështu, dy lapidarët që përkujtuan krijimin e brigadës së 5 sulmuese, në fshatin Gumenicë e në Tërbaç, janë lënë në mëshirë të fatit. të rrethuar nga ferrat, të dëmtuar, lapidarët janë të harruar prej kohësh. Akoma në gjendje më të keqe është lapidari që përkujtonin luftën e Gjormit, ku u luftua për herë të parë në rrethin e Vlorës, kundër fashistëve italianë e mercenarëve të Halil Aliosë. Lapidari është gati krejtësisht i dëmtuar, nuk ka asnjë mbishkrim dhe është i rrethuar nga një gardh prone private. E njëjta situatë është dhe për shumë lapidare të ngritura gjatë viteve të regjimit komunist në rrethin e Vlorës, të cilat përkujtojnë luftime e heronj të shumtë që kanë luftuar e kanë rënë heroikisht në fshatrat e lumit të Vlorës e më gjerë. Në të gjithë zonën numërohen rreth 70 lapidare, të cilat duhet thënë se në shumicën e tyre janë të dëmtuara e vetëm shumë pak janë ruajtur nga banorët vendas apo faktorët natyrorë. në institucionet përkatëse që duhet të kujdesen për mirëmbajtjen e tyre, deklarohen se nuk kanë fonde, ndërkohë që, qindra mijëra euro janë dhënë nga qeveria për përgatitjet për festimet e 70- vjetorit, por një situatë e tillë nuk është vetëm në fshatrat e Vlorës. Edhe Varrezat e Dëshmorëve në qytetin e Vlorës, paraqiten në një gjendje të mjerueshme. Shumica e varreve janë të dëmtuara, ndërkohë që, vetëm disa janë të mirëmbajtura mirë nga familjarët e dëshmorëve. institucioni i prefektit edhe pse është deklaruar se, do të ketë një fond nga qeveria për ndryshimin e gjendjes në varrezat e dëshmorëve të Vlorës, ende nuk dihet nëse ka ardhur fondi, i cili duhet të tenderohet e më pas të fillojë puna, ndërkohë që ditët kalojnë.