Land Korçari/ Jeta midis skenës dhe artit

1104
Sigal

Land Korçari i njohur me emrin e skenës dhe të artit ndryshe me emrin e tij të vërtetë e ka Lorand Jazexhi. Ai është këngëtar që të gjithë jetën e vet ia ka përkushtuar skenës, këngës, muzikës. Një këngëtar tejet i përgatitur me një stil shumë të veçantë në pasqyrimin e notave muzikore dhe vokal të mrekullueshme që e diferencojnë nga shumë këngëtarë të tjerë. Land Korçari është sot për sot këngëtari që ka shumë fansa mbas vetes. Këngët që Landi këndon i burojnë nga shpirti dhe prandaj i këndon me shumë pasion. Muzikën nuk e shikon si biznes, por ndryshe nga shumë të tjerë, e shikon si burim shpirti. Landi ka shumë vite që këndon. Gjithçka do ta niste që në moshë të re, duke luajtur së pari me kitarë serenatat korçare në Devoll dhe më pas do të shkonte në qytetin e Elbasanit. Gjatë bisedës që ne patëm me të, Land Korçari na thekson se nuk harron momentet, kur që në moshë të vogël, 5-vjeçare, me një dërrasë të zezë dhe me tela të improvizuara si kitarë dhe këndonte. Janë këto imazhe fëmijërie, momente që s’i harron kurrë nga jeta. Më pas udhëtimi i Landit vazhdon me një ritëm të shpejtë; në moshën 14-vjeçare angazhohet me kinoklubin “Metalurgjiku” në Elbasan dhe, më pas në moshën 19-vjeçare, jepte koncerte nëpër qytete. Tashmë Landi jeton prej 20 vitesh në Kanada, por kurrë nuk harron Shqipërinë, kurrë nuk harron vendin që u lind dhe u rrit, madje e thotë me krenari: “Unë jam shqiptar”. Landi këndon dhe është pjesë e organizimeve dhe shumë aktiviteteve muzikore edhe në Kanada. Aktualisht ka 2 albume dhe po punon për albumin e 3-të për të cilin po bashkëpunon me mjeshtër të kompozimit; si Edmond Zhulali, Edi Balili, Alban Arifin, Shkëlqim Dulen etj., dhe tekst-shkrues; si Jorgo Papingji, Armand Trebickën etj. Këngët e tij janë shumë të bukura e me tituj të ndryshëm si p.sh., “Mall për Shqipërinë”, “Havale”, “Xhane Xhane” si dhe “Moj shqiptare”. Të gjitha këto këngë janë regjistruar si videoklipe nga Dart Chanel si dhe nga “Pasqyra Shqiptare” me drejtor Ilir Lena në Toronto, Kanada. Por ka edhe shumë surpriza të tjera që Landi na lë pa i zbuluar e që do t’i zbulojmë gjatë kohës në vazhdim. Land Korçari premton shumë, madje thekson që në Shqipëri është pjesa e zemrës së tij. Land Korçari është sot për sot një këngëtar me nivel të lartë artistik dhe me një vokal të mrekullueshëm, duke bërë që të gjitha këngët t’i pëlqehen jashtëzakonisht nga fansat. Land Korçari është, jo vetëm një këngëtar i mrekullueshëm, por edhe një njeri me një shpirt të madh artisti, gjithmonë duke ndihmuar njerëzit dhe familjet në nevojë, gjë që shumë pak e bëjnë. Gjatë bashkëbisedimit që ne patëm me Landin na thekson, se falënderon Zotin dhe familjen e tij për këtë person që është bërë sot, por edhe publikun, fansat, miqtë, bashkëpunëtorët për suksesin që ka arritur, duke u bërë sot një këngëtar dhe artist shumë i dashur për mbarë popullin. Urime Land Korçari, dhe ne publiku dhe miqtë e tu presim të shijojmë sukseset e tua që të karakterizojnë çdo ditë!