Lamtumirë Marash Hajati, nderi i gazetarisë shqiptare!

    541
    Sigal

    Ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare, gazetari Marash Hajati: Flasin Namik Dokle, Engjëll Ndocaj, Osman Mula, Guro Zeneli dhe Tonin Tërshana

    Dje u përcoll për në banesën e fundit, gazetari dhe shkrimtari i njohur Marash Haajti. Trupi i tij u vendos nga ora 12:00 -14:00, në hollin e RTSH-së, institucioni, ku ai punoi me vetëmohim dhe përkushtim për shumë vjet. Para trupit të tij bënë homazh me qindra gazetarë, shkrimtarë, politikanë, intelektualë, poetë, miq, shok dhe të afërm.

     Marash Hajati është lindur në Shkodër në vitin 1934. Shkollën e mesme e kreu më vitin 1952 në qytetin e lindjes. Nga viti 1952 e deri në vitin 1957 ndoqi studimet e larta e në Universitetin e Petërburgut, në Fakultetin e Filologjisë, dega Gazetari. Diplomohet si publicist. Punoi si redaktor në gazetën “Puna” e më pas, sekretar kolegjiumi i saj dhe instruktor për shtypin. Nga viti 1974 deri në vitin 1988 ka qenë fillimisht Drejtor i Televizionit e që nga fillimet e viteve ‘80-të, Drejtor i Përgjithshëm i Radiotelevizionit. Në vitet 1988-’90, Kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”. Për afro 14 vjet ka qenë Kryetar i Bashkimit të Gazetarëve të Shqipërisë. Si skenarist ka realizuar mjaft dokumentarë, mes tyre “Tërmeti tundi malet, por jo zemrat tona” dhe “Fitimtarë mbi tërmetin” nderuar me Çmim Republike. Në vitin 1982 botoi përmbledhjen e parë me krijime publicistike “Bijtë e tokës sime”. Në librin e dytë “Dera e prapme shtypit”, 1998 përshkruan ngjarje e kujtime të një pune rreth 40-vjeçare në shtyp e media. Në vitin 1999 boton librin “Shqipëria në kapërcimin e shekullit”, që përmban analiza e komente për atë ç’ka ngjarë në fund shekullin sipas këndvështrimit të një gazetari.

     Engjëll Ndocaj, nëndrejtor i TVSH-së

     Marash Hajati është padyshim një nga drejtuesit e RTSH-së, që punonjësit e këtij institucioni e mbajnë mend si mishërim i njeriut në radhë të parë. Njeri kurajoz, optimist, i cili me guxim luftoi që ky institucion, i vetmi në Shqipëri, gjatë viteve që ai e drejtoi u përpoq që ta çonte përpara. Në një periudhë, kur ky institucion ishte nën tutelën e partisë –shtet, ku ai si drejtues kishte një çekan sipër kokës, Marash Hajati, bëri atë që po ta thuash tani, për kohën ishte një çudi. Unë e quaj reformator, pasi me iniciativën e tij u ndërtuan sa e sa programe të rinj, që nisën të bëhen për herë të parë. P.sh filluan spektaklet, një gjini që deri atëherë nuk njihej. Ai filloi të ndërrojë faqen e Festivaleve të fundvitit në RTSH duke e vënë veten nga Drejtor  i Përgjithshëm deri në skenarist. Reformator, sepse është njeriu që tek arti të fuste të gjithë  artistët e TVSH-së, duke filluar nga operatorët, regjisorët dhe gazetarët frymën e kërkimit, që në TVSH të hynin programe të reja që deri atëherë nuk ekzistonin.  Ai të gjitha idetë i realizoi me sukses pasi futi dhe realizoi spektaklin e parë televiziv. P.sh një spektakël është i realizuar në natyrë me regji të Vera Grabockës, që kishte të bënte me veprimtarinë skenike të Parashqevi Simakut. Kujtoj atëherë se e veçanta ishte se Parashqevia u xhirua dhe me helikopter, gjë e cila as që mendohej dhe jo më të zbatohej. Ishte viti 1983. Ishte njeri që e pati derën e hapur për të gjithë krijuesit. Njeriu që e hapi këtë derë edhe për punonjësit më të thjeshtë  edhe kur kishin ndonjë hall. Kur Marashi hynte në derën e televizionit, ishte ai që e përshëndesnin të gjithë dhe i përshëndeste të gjithë. Do të kujtoj edhe diçka tjetër, duke qenë  iniciator, kurajoz, duke qenë  mes nesh i kuptonte të gjitha shtresat, duke filluar nga njerëzit e thjeshtë e deri tek politikanët ai tregonte kurajë, që ka realizuar edhe ëndrra të publikut shqiptar. P.sh, fjalën e kam për një ndeshje shumë të rëndësishme të asaj kohe, në një finale të Kampionatit Europian, e cila mezi pritej nga publiku. Po atëherë televizioni ishte i mbyllur dhe nuk transmetonte ndeshje të tilla. Për këtë ne penalizoheshim pasi ne nuk luanim me Izraelin, BS, Spanjën etj.. Për këtë ndeshje disa intelektualë, por dhe kuadro të TVSH-së i kërkuan të ndërhynte që të jepej kjo ndeshje. Pas dy orësh ai erdhi dhe na tha, ndeshja të jepet sot. Të gjithë u befasuam.

       Namik Dokle, gazetar, deputet i PS-së

    Unë e kam njohur Marash Hajatin, që herët që në momentet e para që kam filluar gazetar në gazetën “Puna”. Ai sapo ishte larguar nga ky organ. Dëgjova  nga kolegët e kësaj gazete fjalët më të mira për të si një gazetar, i shkëlqyer i palodhur, që kontaktonte vazhdimisht me njerëzit, dhe pastaj  kontributi i tij, si drejtues i shtypit dhe i RTSH-së, ka qenë i jashtëzakonshëm. Por unë do veçoja punë e tij në Televizion, që i solli prestigj dhe dinjitet këtij institucioni, ku ai spikati për organizimin dhe krijimtari. Njëkohësisht dua të them se, pas RTSH-së, Marashi ka drejtuar gazetën “Zëri i Popullit”, dhe në kohën që ai ishte drejtues i kësaj gazete më të madhe në vend, filluan të botoheshin disa artikuj që për kohën duhej guxim,  pasi bënë shumë jehonë. Këtu dua të veçoj një artikull të Prof. Popës, me titull “Për të fituar kohën e humbur” që ishte një dritare, e mendimit  publicistik shqiptar. Botime ët tilla në atë kohë mund t’i botonte një njeri si Marashi pasi kishin guxim qytetar, të cilin Marashi e kishte në brendësi dhe që e shfaqi në momente të caktuara.

      Osman Mula, regjisor në TVSH

    Në kujtesën time, Marashi mbetet një ndër personalitetet më të mëdha të medias shqiptare. Një drejtues i shkëlqyer me atributet më të mira që i duhen sot një drejtuesi që të menaxhojë një institucion si RTSH., aq më tepër që ai e ka drejtuar në një moment shumë të vështirë, nën tutelën e partisë-shtet, Marashi diti të fusë gjërat më të mira në transmetim, diti të hapë në programacion shumë shtigje të reja dhe aktivitete, që e shihnin për herë të parë dritën e transmetimit. RTSH-në, e mori kur ai transmetonte vetëm 2 orë në ditë. Pra, ishte vetëm një televizion informativ. Ai e ndryshoi sepse  dinte të ndryshonte. Së dyti, e mori shumë seriozisht, vuri gjithë shpirtin, kishte marrëdhënie të shkëlqyera me krijuesit e RTSH dhe i vlerësonte shumë ata.  Brezi im e kuptoi shumë  mirë ata, pasi na tha, shtrydhni fantazinë, thyeni oraret dhe filloni të hapim koncerte, filma, rubrika, aty ku ju e gjeni veten më mirë. Mbi të gjitha ai dha orientimet e para për gazetarinë investigative. Kjo mënyrë pune i vuri në sedër regjisorët, redaktorët, operatorët dhe filloi për herë të parë filmi televiziv. Këtu mund të përmend filmin “Udha e shkronjave”, “Kur hidheshin themelet? “Plumba Perandorit” e me radhë.  Ai ndërtoi një redaksi për filmin dhe formoi një redaksi të kulturës  ku futi varietenë, festivalet, interpretuesit, këngët e stinës “Kur vjen Pranvera”. Pra, shiko ku e çoi televizioni. Të mos harrojmë  se ku dhe kur vepronte. Një gabim të kushtonte. Por ai i dha një ngjyrë artistike të gjithë televizionit. Pruri një armatë të gjithë artistësh që dhe sot kujtohen me ëndje. Mori Vladimir Priftin, Mevlan Shanajn, Vera Grabockën, Stefan Gajom, Pali Kuken, personalitet që u rritën me televizionin. Mori shumë gazetarë me horizont, të cilët sollën dokumentarin në televizion, dokumentarin historik, e portreteve të artistëve dhe televizioni shkonte në çdo qytet ku kishte variete.

      Guro Zeneli-gazetar, shkrimtar

    S’mundem dot t’i përmbledh në disa rreshta se kush ishte Marash Hajati. Ndoshta është ndër të vetmit gazetarë që punoi dhe drejtoi televizionin, radion, por dhe gazetat më në zë shqiptare të asaj kohe. Ai ishte me shumë ambicie, por dhe me shumë horizont. Kurrë nuk merrte inat, por vepronte me shumë intuitë. Risitë e tij në televizion diskutohen edhe sot në këtë institucion kaq të rëndësishëm të medias vizive shqiptare të asaj kohe. Unë them edhe diçka, që për nivelin e tij si gazetar, publicist dhe shkrimtar ai kishte përkrahjen pa rezerva të Ramiz Alisë. Ai futej pa trokitur në zyrën e tij, pasi Ramizi e dëgjonte dhe e vlerësonte si intelektual. Unë kam qëndruar gjatë me të dhe kam mësuar prej tij. Vizionar, optimist, i dashur, kërkues, por dhe shpërthyes. Ai jepte shembull, por dhe dëgjonte. Gazetarë të tillë janë shumë të pakët sot.

     Tonin Tërshana-këngëtar

    Unë e kam njohur Marashin kur ai ishte Drejtor i televizionit. Më thoshte shpesh ç’kemi patriot. Sa herë takoheshim më pyeste me hollësi. Më jepte kurajo, por di të them që më orientonte edhe në punën time. S’mund ta besonte, por më thoshte kjo apo ajo këngë është për zërin tënd pasi ai vinte dhe na dëgjonte. Ishte një profesionist i rrallë, por dhe një njeri me zemër të madhe aq më tepër, kur flitet për kohën kur ai ka punuar dhe krijuar.