Lame: Mungon dokumentacioni i dosjeve të legalizimit

    382
    Sigal

    Pas seancës dëgjimore që zhvilloi me drejtorin e ALUIZNI-t z. Artan Lame, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese miratoi projektligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Z. Lame bëri një parashtresë kronologjike të fenomenit të ndërtimeve pa leje, si dhe të ligjeve që janë miratuar gjatë këtyre viteve me qëllim zgjidhjes së situatës kaotike që është krijuar në vend për shkak të këtij fenomeni. Në vijim, drejtori i ALUIZNI bëri një ekspoze të përmirësimeve që synohet të sillen nëpërmjet amendimeve të propozuara në ligjin për legalizimin dhe urbanizimin e zonave informale. Sipas z. Lame ndryshimet propozohen pasi ligji ekzistues nuk është funksional; synohet të përshtatet ligji me programin e qeverisë dhe realizmin e premtimit jo vetëm për mbylljen e këtij procesi, por edhe falas; vendosja në lëvizje e të gjithë mekanizmit të paralizuar brenda vetë ALUIZNI-it që nga drejtoria qendrore deri të drejtoritë rajonale; unifikimin e procedurave dhe legjislacionit që zbatohet nga këto drejtori; thjeshtimin e procedurave dhe vendosjes së balancës mes nevojës së thjeshtimit të procedurave dhe kryerjes në mënyrë të kujdesshme të procesit në çdo hallkë të tij; bashkëpunimin dhe koordinimin mes institucioneve që përfshihen në procesin e legalizimit dhe urbanizimit të zonave informale; rishikimin e të gjithë kategorive që përfitojnë nga ligji, si dhe hartimin e dispozitave të tjera që kanë lindur si nevojë për shkak të dështimit të këtij procesi ndër vite. Drejtori i ALUIZNI-it iu përgjigj pyetjeve të deputetëve që kishin të bënin me përmirësimin e koordinimit mes institucioneve që përfshihen në këtë proces, afatin brenda të cilit parashikohet të përfundojë, mënyrën sesi do të veprohet për legalizimin e objekteve pa leje në zonat bregdetare, etj. “Në rrjedhën e shumë viteve është deformuar qëllimi i ligjit. Edhe ato rreth 20,000 legalizime do të ishte mirë të mos ishin bërë, pasi Shqipëria do të ishte më e bukur,” tha ndër të tjera, z. Lame duke shtuar se në masë të madhe këto objekte të legalizuara janë në zona turistike, në parqe arkeologjike, etj. Më tej, duke vënë në dukje se ekziston një mungesë e theksuar në dokumentacionin e dosjeve të legalizimit, z. Lame tha se për periudhën 1 mars-15 prill 2014 numri i dosjeve që janë bërë nga e para arrin në 6600. “Siguria në dokumentacion është baza e projektligjit. Ne jemi aq të kujdesshëm për këtë gjë sa një ndër objektet e para që është futur në proces legalizimi nga ana jonë është ndërtesa e ALUIZNI-it, e cila është ndërtuar pa leje,” tha z. Lame. Nga ana e tij, kryetari i Komisionit, z. Eduard Shalsi duke shprehur keqardhjen për votën kundër të opozitës, kërkoi nga drejtori i ALUIZNI-it që të paraqitet në mënyrë periodike në komision për të raportuar lidhur me ecurinë e këtij procesi.