Lame Kodra/ Poezi

    2691
    Sigal

    (Sejfulla Malëshova)

    Sejfulla Malëshova u lind në Malëshovë të Këlcyrës në 2 mars 1900 dhe vdiq në Fier9 qershor 1971, ku dhe u varros. Studimet i kreu në Itali në kolegjin e Shën Dhimitrit në Korone, ku së bashku me mikun e tij Odhise Paskalin botoi revistën “Studenti Shqiptar”, në të cilën botoi edhe vjershat e tij të para. Në vitin 1945 zgjidhet Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA), kryetari i parë i kësaj organizate. Po këtë vit do të botohet edhe vëllimi i tij poetik vjersha me pseudonimin letrar “Lame Kodra”. Në vitin 1946 për divergjenca të shumta që kishte me Enver Hoxhën në fushat e ekonomisë, kulturës dhe drejtimit të Partisë, përjashtohet nga ajo dhe shkarkohet nga të gjitha funksionet.

    S. Malëshova  (LAME KODRA)

    Unë e dua Shqipërinë –

    S’kam çiflig e s’kam pallate,
    S’kam dyqan me katër kate,
    Po e dua Shqipërinë
    Për një stan në Trebeshinë,
    Për një shkarp e për një gur,
    Për një gardh e për një mur,
    Për kasollen mbi Selishtë,
    Për dy ara në Zallishtë,
    Për një lopë e për një gomar,
    Për një Balo, një manar.
    Unë e dua Shqipërinë
    Si bari dhe si fshatar.
    Unë e dua Shqipërinë,
    Për tërfilin mi lëndinë,
    Për një vajzë gjeraqinë,
    Dhe për ujët që buron
    Nga një shkëm e gurgullon
    Nëpër lista gjetheshumë,
    Edhe zbret përposh në lumë.
    Unë e dua Shqipërinë
    Për një lule trëndelinë,
    Për një zok që fluturon,
    Për bilbilin që këndon
    Në ato ferra në ato hije
    Këngë malli e dashurie,
    Këngë shpirti të helmuarë.
    Unë e dua Shqipërinë
    Si poet i dhemshuruarë.
    Unë e dua Shqipërinë
    Që nga Korça e Vraninë,
    Ku del bujku që me natë
    Me parmende dhe me shatë,
    Mbjell e korr me djell, me hënë
    Dhe s’ka bukë për të ngrënë,
    Ku nallbani dhe samarxhiu
    Mjeshtri, kallfa e kallajxhiu,
    Krrusen ditë e krrusen natë,
    që të hanë bukë thatë,
    Ku hamalli nëpër skela
    Ngarkon hekur dhe varela,
    Kembe zbathur,b… çjerrë
    Punon vetëm për të tjerë.

    Unë e dua Shqipërinë
    Që nga Shkupi e Janinë,
    Ku një popull derëzi
    Heq e vuan robëri
    Po ka shpirtin luftëtar.
    Unë e dua Shqipërinë
    Si shqiptar e bir shqiptar.

    Pas tërmetit

    S’duken më ar’ e luadhe,
    po balt’ e vithisur,
    dhe kasoll’ e katundarit
    shuar e gremisur.

    Po në mes të asaj gremine
    ujët rrjeth e shkon,
    edhe dielli papushuar
    rrëmbat i lëshon.

    Poshtë e thellë dheu i lashtë
    vlagë ka në gji
    edhe zemra e njeriut
    zjarr e trimëri.

    Do të ngjallet prapë jeta
    duke lulëzuar
    anembanë do përhapet
    duke gurgulluar.

    Përsëri do të shkëlqejnë
    ara dhe bostane
    do ja thotë këngës prapë
    zemra kapedane.

    Do të rrjedhë jeta-plakë
    pa fund, pa kufi
    dhe do ketë si kurorë
    punë e dashuri.

    Shtrëngata

    Dëgjoni, dëgjoni,
    Nga deti shikoni
    Si shfryn e tërbohet,
    Si vjen e zgjerohet
    Në qiell, në dhe –
    Kaluar mi re,
    Të zeza si nata,
    Shtrëngata.

    Nga zalli po ngrihet
    Si mal, e përzihet
    Me breshër, me shi,
    Një pluhur i zi.
    Dhe rrotull në det,
    Në fshat e qytet
    Përhapet rrëmuja
    Dhe kuja.

    Kush pyet për djalin,
    Për lopën a kalin
    Një plakë qyqare
    Kërkon një manare
    Një nuse shikon,
    Mos duket përgjon
    Në detin e largë,
    Një barkë.

    Po qielli dhe deti,
    Të dy si tërmeti,
    Dhe shpesët i ndjek,
    Dhe barkat përpjek,
    Dhe pemët rrëzon,
    Dhe arat shkreton,
    Dhe bie mandata –
    Shtrëngata.

    Vetëvrasja e një të dashurit

    Hiqmu nga mendja, vajzë e shenjtëruar
    Pse më për ty unë s’jam në këtë botë;
    Si një trup i hidhur mbeta i harruar
    Që fare s’vlen e drejta sot për sot.

    Këtej-andej vete i shkretë duke mejtuar,
    Djalërinë e bukur që qaj me lot…
    Ajo nën e gjorë t’mos më kish krijuar
    Në gojë s’do të kishnja kaq mallkim të plot.

    Po ti vazhdo – të lutem – n’këtë jetë
    Pemët të shijoē me një kënaqsi,
    Dhe për mua të shkretin fare mos mejto.

    Vetëm nga nj’herë, n’hidhërim, në do
    Kësaj bote thueji se një djalosh i ri
    Nga faq’ e dheut u ēduk… po si ato retë…