Lagështia dhe i ftohti rëndon situatën e të sëmurëve në spitale

    442
    Sigal

    Vëzhgim/Situata në spitale është vështirësuar në stinën e dimrit, pacientët ankohen për kushtet

     Pamjet flasin më shumë se një mijë fjalë, prandaj fotot e bëra në spitalet tona e paraqesin më së miri situatën se si është në spitale. Lagështia dhe papastërtia i shoqëron çdo ditë pacientët e spitaleve, që për fat jo të mirë janë gjendur atje. Ata që ndodhen atje për shërim, apo edhe ato që shkojnë atje për të vizituar të afërmit e tyre e kuptojnë dhe e shohim realitetin e dhimbshëm çdo ditë. Fotot e bëra në Spitalin Onkologjik në kryeqytet, e paraqesin një pjesë të tablosë që është krijuar atje. Një tablo gati e pabesueshme për të plotësuar kushtet e një spitali, ku rregulli dhe kushtet për të sëmurit duhet të jenë të mira, për ta bërë sa më të lehtë shërimin e pacientëve. Ardhja e stinës së dimrit e bën akoma më të rëndë situatën në spitale. Lagështia dhe myku nëpër mure e bën më të vështirë shërimin e këtyre personave që për fat jo të mirë janë ndodhur atje. Por lagështia dhe i ftohti është vetëm njëra anë. Sikur të mos mjaftonin këto pacientët duhet të ndeshen me mungesën e ilaçeve e cila është mjaft e theksuar. Qytetarët shprehen për “Telegraf” se, janë të detyruar që të blejnë vetë ilaçet pasi në spital nuk gjejnë asgjë. Ato shprehen se duhet ti blejnë ilaçet, por e kanë të pamundur sepse ato kushtojnë shumë dhe ato nuk kanë lekë për të ngrënë bukë dhe jo për të blerë ilaçet që në realitet duhet ti ketë spitali.

    Problemi me lagështinë

    Dhomat e spitaleve janë të ftohta në këto ditë dimri ku temperaturat janë shumë të ulëta. Por ato që e ndjejnë më shumë të ftohtin janë pacientët që për arsye të ndryshme janë të shtruar në këto ambiente. Ata shprehen të irrituar për situatën dhe ambientin më të cilin ndeshen. Por ajo që i detyron që ti nënshtrohen kushteve është pamundësia e tyre për të ndryshuar gjendjen në të cilën është katandisur sistemi ynë shëndetësor. “Jam e shtruar në një dhomë e cila rri po aq e ftohtë sa ambienti jashtë. Që nga koha që jam e shtruar nuk kam parë ndonjëherë që të vihen në punë ngrohësit” kështu shprehet pacientja R.E. Sipas pacientëve spitalet e kanë humbur funksionin e tyre në ditët e sotme dhe janë kthyer si ambiente stallash në të cilat mund të qëndrojnë bagëtitë se për njerëzit nuk i kanë kushtet. “Këtu nuk ka as ngrohje, muret janë me lagështi. Për të mos folur pastaj që mungojnë ilaçet shërbimi po ashtu është i keq. Mjekët më parë të shohin nga xhepat para se të dinë se për çfarë ke ardhur për tu vizituar. Jemi katandisur si mos më keq” shprehet për “Telegraf” pacientja Y.S.

    Pacientët: Vijmë nga halli këtu

    Qytetarët që shkojnë për arsye shëndetësore në spitale sot shprehen të pakënaqur me kushtet dhe shërbimet që u ofrohen. Qoftë pacientët e sëmurë apo qoftë edhe të afërmit e tyre që u qëndrojnë pranë tyre ankohen për mungesën e kushteve. Kjo gjë duket fare mirë edhe në reagimet e tyre. Ndonëse shumë njerëzve u duhet të përballen me jetën e tyre, të luftojnë deri në momentin e fundit për fituar atë, mungesa e kushteve cilësore atyre ia bën edhe jetën më të vështirë. Çdo gjë që të fal kjo qendër, është veçse një pamje e zymtë dhe shumë gri, kjo pasi gjithçka është mbuluar nga pluhuri dhe merimangat, nga lagështia dhe papastërtia. Përveç mungesës së kushteve, në këto ambiente mund të përballesh edhe me sjellje burokratike dhe mediokre. Njerëz pa fund që hyjnë e dalin, i sheh të rraskapitur dhe të përhumbur. Nga vëzhgimet e kryera, ajo çka të bie në sy ishin është gjendja në të cilën janë katandisur ambientet. Është sa tragjike dhe e papranueshme situata për pacientët. Por ato zgjedhin heshtjen dhe shfryrjen përballë këtij realiteti që nuk kanë forcën që ta ndryshojnë fatin dhe ambientin nga i cili rrethohen. Kjo është tabloja e zymtë që ofrojnë shumë prej reparteve në qendrën më të madhe spitalore në Shqipëri në ditët e sotme. E ndërkohë që politikanët tanë pretendojnë që të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian me këto kushte primitive që ndodhen në qendrën më të rëndësishme spitalore në Shqipëri. Pyetja që të vjen ndërmend tek shikon këtë situatë është se si mund të jetë në zonat rurale gjendja e qendrave spitalore? Përgjigja mund të lërë shumë për të dëshiruar teksa shikon situatën në mes të kryeqytetit…

     Spitali rajonal ”Xhaferr Kongoli” i Elbasanit, ose Aushvici modern…

     Është një natë e ftohtë janari dhe çdo qenie e gjallë ngroh me ç’të mund një pjesë të shpirtit, duke ju vjedh dimrit tinëz dhe duke ëndërruar për lumturinë e pasosur. Diku, një grup studentësh kanë ndezur një zjarr bubulak dhe lodrojnë pa kokëçarjen e halleve të përditshme, sikur demonstrojnë një cikël gri të panjohur për të tjerët. Por në një ndërtesë të vjetër, të gërryer nga lagështira e dhimbjeve, të pluhurosur me një të verdhë të vjetër dhe të harruar, jetojnë një grup shpirtrash qiellor, të cilët pa asnjë mëdyshje janë njerëzit më të zvetënuar të shoqërisë, që me një vështrim të përgjumur të pikojnë m’u në zemër të shpirtit. Është spitali më në zë rajonal ”Xhaferr Kongoli” i Elbasanit që pret dhe përcjell mijëra pacientë në vit, ku disa ja hedhin paq, disa vdesin pas ca muajsh, të tjerë vijnë e ikin për shkak të diagnozave kronike, ndërsa një numër i kufizuar pacientësh nuk kthehen më kurrë sikur ta din se do ja bëjnë mishin copa-copa. Po ku shkojnë vallë ? Mos vallë në parajsë ?! Unë jam në pavijonin e pneumonisë-kardiologjisë duke shoqëruar babain me një të ftohtë të rëndë, në katin e dytë. Zhurma që vjen nga personeli të ngjall një ndjenjë gëzimi, hareje, ku për një moment dua të bashkohem edhe unë me këtë ngazëllim, por tërhiqem menjëherë duke vështruar sytë e zvarritur të babait. Ai duket sikur më pyet, ç’po ndodh…unë i them se po zbukurojnë pavijonin për festat e vitit të ri. Aha, thotë babai që i kish harruar përgjithmonë se ekzistonin festat. Pastaj vjen një recetë nga mjeku, një mal me ilaçe, një mal me para thuaj më mirë. Të gjithë të afërmit e pacientëve shtrëngojnë dhëmbët me forcë, por janë të imponuar të blejnë ilaçet, sepse spitali shtetëror nuk të jep asnjë shiringë falas, e jo më ilaçe që kushtojnë rreth 50 dollarë në ditë. Thonë që depoja dhe farmacia e spitalit nuk ka asnjë ilaç në dispozicion, ndaj pacientët ta gjejnë vet zgjidhjen, ose…të vdesin. Por shumëkush në njëfarë mënyre e njeh sistemin që jetojmë, por nuk bëjnë dot diferencën e moshës së pensionistëve, të cilët punuan një jetë të tërë, dhe në fund ja se ç’shpërblim marrin, sidomos për festat e fundvitit. Por në fund unë dhe babai bëjmë bilancin e 24 ditëve në spital, dhe plot 950 mijë lekë [të vjetra] blerje të ilaçeve, dhe aty-këtu ndonjë kafe. Por ne u shkëputëm vetëm disa ditë dhe ja ku u rikthyem sërish, por këtë radhë tek patologjia, në katin e parë. Edhe aty shihen çdo ditë në kokërdhok të syrit, dhimbja, vuajtja, lekët borxh, llogaria për ilaçet e të nesërmes, dhe ndonjë copë buke me djathë mbështjellë me gazetë në cep të komodinës. Është njësoj si me ngjarjet e filmave prekës, por filmi ynë ka vetëm personazhe negativë,dhe aq më tepër funde makabre. Doktorët u ngjajnë oficerëve nazist, me mjaft autoritet, të prerë, të qartë dhe unikë. Pacientët, nga e kundërta, janë të përulur, të nënshtruar, në mëshirë të fatit. Askush nuk lëshon pe. Veçse në dhomën numër 1, me pamje nga dielli, duken disa njerëz të veshur shik, të mbajtur mirë dhe që qeshin vazhdimisht, a thua se i sëmuri i tyre ka ardhur vetëm për një proces të shkurtër dhe në fund, kempi magjik. Por ndoshta unë gabohem. Tashmë padashur më kujtohet Ali Podrimja kur thotë, nëse e shikon shqiptarin dhe ujkun, shqiptarin vraje. Sepse për babain tim ka nisur një etapë tjetër, por edhe për mua. Pas ca ditësh ai do të hyjë në repartin e dializës, një proces që zhvillohet tre herë në javë, dhe që zgjat  gjithë jetën. Babai, më tepër se sa i sëmurë, është i trembur. E ndjej se si dridhet kur e mbaj nga krahu. Janë dridhje nervore…por edhe për dializën është bërë keq. Janë reduktuar disa pajisje. Është bërë keq thonë. Por unë jam i vetëdijshëm për kusuret e disa njerëzve, por nuk jam i qartë për padrejtësitë që i bëhen njeriut, nga njeriu. Jashtë ka rënë një brymë e ftohtë mëngjesore, dhe përtej rrugës shquhen siluetat e para të studentëve të infermierisë, që edhe pse me sytë e buhavitura nga pagjumësia, unë sërish e ndjej jetën se si vazhdon të ecë ndër këmbët e mia të zvarritura…po, po, jeta vazhdon. Është e njëjtë me shprehjen e Marsel Proustit i cili thotë: ”Njeriu nuk është kurrë aq fatkeq sa pandeh, ai nuk e njeh kurrë lumturinë e tij”…