Ky është skandal dhe turp për ju, zonja ministre e Kulturës!

495
Sigal


Nuk është kulturë, kur cenohet simboli i vlerave të historisë kombëtare

Qytetarët e Tiranës që kalojnë këto ditë në qendër të Kryeqytetit shtangin para një pamje të papritur. Gjithë mozaiku, që simbolizon historinë kombëtare, në fasadën e godinës së Muzeut Historik Kombëtar, është mbuluar nga një tip pankarte, ku shquhen figurat e disa shkrimtarëve e piktorëve të nderuar. Ç’tregon një veprim i tillë anti kulturor? Është kthyer Muzeu Historik Kombëtar në galeri arti apo në klub shkrimtarësh?! Për këtë pyetje duam të na përgjigjet zonja ministre e kulturës. Nuk ka dyshim që një veprim i tillë s’mund të guxojë ta bëjë një njeri me mënd në kokë pa patur urdhër nga lart, pra nga ministria, nga qeveria. Edhe pushtetarët e djathtë, që populli i largoi me të drejtë nga pushteti, më 23 qershor të vitit të kaluar, u munduan dhe u orvatën ta largonin, ta dëmtonin dhe ta deformonin mozaikun e Muzeut Historik Kombëtar. Ata hoqën ndonjë flamur e yll, që u vriste sytë, por në thelb nuk mundën ta deformojnë e të shkatërronte vlerat e tij. Edhe kur vendosnin ndonjë pankartë në fasadën e tij, kujdeseshin që të mos prekej mozaiku dhe e montonin poshtë tij.

Po ja vjen një qeveri, e cila thotë se është e krahut të majtë, që mbron vlerat e dinjitetin kombëtar dhe e mbulon krejt fasadën e Muzeut me një pëlhurë të ngjyrosur e të katranosur, me të cilën mbulon krejt mozaikun dhe fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, se s’gjen vend tjetër ku të vendoset ai dekor! Ne nuk dimë se ç’emër t’i vëmë një veprimi të tillë, përveçse turp dhe skandal për ata që e kanë bërë dhe për ata që kanë dhënë porosi të veprohet në këtë mënyrë. Për më tepër bëhet një veprim i tillë skandaloz në prag të 5 dhe 9 Majit, ditës së dëshmorëve dhe ditës së fitores mbi nazifashizmin, në kuadrin e një viti jubilar, siç është viti 2014, viti i 70 vjetorit të çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazifashiste dhe kolaboracionistët e tyre ballisto-zogistë. Një veprim i tillë nuk bën gjë tjetër veç se indinjon banorët e ndershëm të Tiranës, veteranët e LANÇ dhe kënaq pinjollët e kolaboracionistëve të pushtuesve nazifashistë, që nuk e shohin dot fasadën e Muzeut Historik Kombëtar. Duke cenuar mozaikun, ju cenoni edhe nderin e dinjitetin e 28 mijë dëshmorëve që përkujton e nderon ai mozaik dhe ajo vepër arti në fasadën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar.

Haxhi Kurti, pasardhës veterani