Kutia e ndihmës së shpejtë, shqiptarëve u grabiten 2,8 milionë dollarë

    499
    Sigal

    Farmacitë kanë mungesa të kutisë së ndihmës së shpejtë. Presin të furnizohen me kuti “të unifikuara”

     Drejtuesit e automjeteve gjobiten, jo vetëm se shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, por gjobiten edhe nëse në automjetin e tyre nuk janë kutia e ndihmës së shpejtë, trekëndëshi dhe jeleku, një makth i ri ky për qytetarët shqiptarë. Urdhri për gjobitjen e kujtdo që nuk ka këto 3 elementë në automjetin e tij, vjen nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Ndërsa gjatë gjithë muajit tetor vetëm në kryeqytet janë dhënë 340 gjoba për mungesën e kutisë së ndihmës së parë, gjë që ka sjellë rritjen e kërkesës për këtë produkt, tregu farmaceutik nuk disponon më asnjë kuti të ndihmës së shpejtë. Vetë farmacistët tregojnë se për shkak të fluksit të madh e të menjëhershëm të kërkesave, ky produkt mbaroi shumë shpejt, ndërsa kërkesës së tyre për furnizim nga ana e depove farmaceutike u janë përgjigjur se presin zhbllokimin në dogana, që i është bërë këtij produkti. Ndërsa shtojnë se u kanë thënë që pritet të bëhet dhe unifikimi i kutisë, që do të thotë se do të jetë një firmë private që do të ketë ekskluzivitetin e këtij produkti. Këtë e vërteton dhe fakti se, edhe policët nuk pranojnë të gjitha llojet e kutive të ndihmës së parë.

     Çfarë përmban kutia e ndihmës së shpejtë

    Përmbajtja minimale e një kutie për 5 persona: Paketë bandazhuese, madhësia 3, sterile, paketuar veçmas e papërshkueshme nga pluhuri, me shtresë sterile që nuk ngjitet në plagë; Paketë bandazhuese, madhësia 4, sterile, paketuar veçmas e papërshkueshme nga pluhuri, me shtresë sterile që nuk ngjitet në plagë; Kompresa sterile, 10 me 10 cm, të paketuara veçmas, me shtresë sterile që nuk ngjitet në plagë; Fasho prej garze, elastike 8 x 4 cm; Fasho prej garze, elastike 10 x 5 cm; Garza sterile të ndryshme; Strip leukoplast; Leukoplast 2.5 cm me 5 m; Shami trekëndëshe ose diçka e barazvlefshme, 90-90-127 cm; Doreza një përdorimshe; Gërshërë; Mbulesë shpëtimi me shkëlqim të argjend dhe të artë, 140-220 cm; Fletë plastike ose maskë për frymëshkëmbim.

     Çmimi

    Nëse të gjitha këto produkte të kutisë së ndihmës së shpejtë i blen personalisht, kostoja e tyre nuk shkon më shumë se 4-5 mijë lekë të vjetra. Ndërsa në tregun farmaceutik, çmimi i kutisë së ndihmës së shpejtë varion nga 10 – 26 mijë lekë të vjetra. Por, nuk mbaron këtu ajo çka duhet të paguajë qytetari për këtë kërkesë të papritur nga ministri Tahiri. Kështu, trekëndëshi, që vlerësohet i domosdoshëm edhe nga vetë drejtuesit e automjeteve, sot në treg ka një çmim më të rritur. Çdokush mund të blejë një trekëndësh me një çmim prej 12 mijë lekësh të vjetra. Ndërsa sa i përket jelekëve, ato mund t’i gjesh me 4 mijë lekë të vjetra. Pra, siç shihet, qytetari shqiptar që drejton një automjet duhet të paguajë për këtë paketë, minimalisht, 26 mijë lekë të vjetra dhe 42 mijë lekë, nëse qytetari blen një kuti të ndihmës së shpejtë profesionale.

    Monopoli i kutisë së ndihmës së shpejtë

    Kutia e ndihmës së shpejtë shihet si një biznes i mirë për distributorët farmaceutikë, porse nuk dihet se cili do të jetë përfituesi nga ky biznes, edhe pse qarkullojnë zëra për ndonjë emër. Nga ana tjetër, farmacistët janë në pritje të furnizimit me këtë produkt nga një distributor i vetëm (kutia e unifikuar). Por monopoli i shpërndarjes dhe shitjes së kutisë së ndihmës së shpejtë sjell edhe skandalin me vlera stratosferike. Po të marrim vlerën më minimale që duhet të paguajnë qytetarët shqiptarë për kutinë e ndihmës së shpejtë, 10 mijë lekë të vjetra, atëherë diferenca, nga çmimi real që kanë të gjithë përbërësit e kutisë, është 4 mijë lekë të vjetra (mund të jetë akoma më i madh, por po marrim një vlerë minimale). Po të llogarisësh që në Shqipëri janë të regjistruara rreth 700 mijë automjete, atëherë vlera e fitimit kap shifrat e rreth 3 miliardë lekëve, apo 2, 8 milionë dollarë. Kjo është një vjedhje e hapur e klaneve të caktuara, që u bëhet qytetarëve shqiptarë, të cilët janë të detyruar t’i nënshtrohen këtij abuzimi, në të kundërt i pret gjoba nga 50 – 100 mijë lekë.

    Ledjana Saliu