Kushtrim, burra, erdhi Mesjeta!…

    536
    Sigal

    Mbi zakonin e hakmarrjes, kësaj plage të së kaluarës që po lë të ngujuara qindra familje

     “Kushtrim burra, erdhi Mesjeta! Më vranë pabesisht! Kujt i bëri keq Marija?! O baballarë qytetarë, fshatarë, malësorë, punëtorë, nëpunës, arsimtarë, gazetarë, poetë e shkrimtarë, ushtarakë, profesorë e akademikë, të mandatuar nga populli dhe pushtetarë që në damarët tuaj rrjedh sadopak gjak shqiptar, pse nuk e ndaloni qoftë edhe me grusht të hekurt gjakmarrjen? Është në detyrën, nderin e dinjitetin tuaj t’i mbroni me të gjitha forcat e mjetet, pa marrë parasysh asnjë sakrificë, të gjithë fëmijët e Shqipërisë. Ju lutet me fytyrë të trishtuar, zemër të copëtuar dhe sy të përlotur, shpirti i ish shoqes të klasës  së vajzave tuaja….!”

    “Katili, kjo hienë gjakësore, i preu në mes me hanxharin e barbarisë mesjetare bulëzimet e para të dëshirave dhe ëndrrave të mia rinore. Ndodhem në shoqërinë e “Engjëjve të Mbretërisë së Qiellit”. Edhe  këtu qajnë me dhimbje e ngashërim për mua! Isha shumë e re, 17 vjeçe, e bukur si drita, si gonxhe trëndafili me sy bojëqielli. Një ditë nëna më tha: Mari, a po shkon me ndihmue  gjyshin tand atje në malësi; ata një fatkeqësi e madhe i ka gjet, janë ngujue në shtëpi, toka dhe bagëtia kanë mbet pa njeri…!” “U nisa…! Kisha Shpresë….! Besova…! Mirë-se-erdhe,-m’tha gjyshi. Të nesërmen dolëm me punue. Nuk mund ta lija vetëm. Ishte i moshuar. Eh, të shkretit ne! Hija e zezë e gjakmarrjes, e fshehur pas gardhit, me gishtin në këmbëzën e pushkës, na ndoqi hap pas hapi. Papritmas një breshëri plumbash  goditi pa mëshirë trupat tonë. Unë dhashë shpirt menjëherë. Na vranë përbindëshat e Ferrit, Kanuni, Mesjeta, Denatyrimi i Ligjit, Indiferenca…! “Atje në Parajsë të gjithë më thërrasin shenjtore! Vetë e lumja Zojë e Bekueme m’a “dhuroi” këtë titull: “E gëzofsh moj bijë, ti je simboli më i spikatur i miliona viktimave të pafajshëm  të kësaj botë, të cilët vuajnë e martirizohen nga dhuna e egër çnjerëzore dhe padrejtësitë e tjera të llahtarshme, që s’kanë mbarim  edhe mbas kryqëzimit të Birit Tim….”.

    Kam edhe një surprizë tjetër! Është një ndër dhjetë librat më famoz të të gjithë  kohërave! “Krahas fatkeqësive të epokës moderne mbi ne rëndojnë një varg i tërë fatkeqësisht të trashëguara… Ne nuk vuajmë vetëm nga të gjallët, por edhe nga të vdekurit. Le mort saisit le vif! ( I vdekuri kap të gjallin! ) K. M. Kapitali.

    “E zeza unë! U vrava në emër të Kanunit, “fosile” qindra vjeçare  e mentaliteteve dhe zakoneve prapanike, konservatore  e reaksionare. Kam lexuar disa kapituj të tij. Ma solli një engjëll nga Lekë Dukagjini. E pabesueshme! Ai dikur paska qenë më i drejtë dhe human se në periudhat e mëvonshme duke përfshi edhe Shekullin e 21-të?!. Në malësitë tona koha paska ecur  mbrapsht?!  Gjakmarrja qenkan bërë më mizore!  Si e lejon ai të vriten njerëz të pafajshëm?!” “Në tubimin në Shkodër ditën e Enjte me 5 Korrik 2012 një djalë i vogël  i ardhur nga një familje e ngujuar thirri me tërë forcën: Të shkatërrohet Kanuni”. Ah, Kanuni! Deri kur do të vazhdosh të shuash jetët tona?! Mallkue qofsh qiklop, bombë me sahat, vampir i etur për gjak!”

    ***

    “Prindër, e keqja nuk zhduket po nuk i zhgulem deri në një të gjitha rrënjët e saj. Disa shoqata në Shkodër e Tiranë, aktivistë të drejtave të njeriut, dhe ndonjë personalitet i njohur e kanë thënë me shqetësim fjalën e tyre. Edhe ky shkrim, një “pasqyrë” e vogël e ndërgjegjëve të pezmatuara të njerëzve, bën apelim. Ato janë indinjuar në kulm sidomos për indiferentizmin vrastar, të ftohët e acar, i cili ka  nxjerrë jashtpërdorimit “motorët” dhe “levat” e shoqërisë shqiptare.”

     “Edhe pranë “Fronit” të Perëndisë ka “jetë”, “flasin”, “shikojnë”, “dëgjojnë”, “shkruajnë” dhe “lexojnë”! “Mësuesja e gjakmarrjes Liljana Luani udhëton çdo fundjavë në zonat e thella dhe troket në dyert prapa të cilave ka frikë, varfëri të tejskajshme, pasiguri, dashuri  për jetën, dhimbje, mall, lotë, endërra dhe dëshira nga më të ndryshme. Mësuese, nëse do mbetem gjallë, do vish në dasmën time?” Ajo meriton  respektin dhe nderimin më të lartë! Lum ata prindër që e kanë lindur, rritur dhe edukuar!”

    Kudo, në çdo anë, dhe gjithandej egersira! Si na duron kjo Tokë! Po Dielli pse tregohet kaq bujar…?! Ne nuk e meritojmë mirësinë e tyre ! A ka djelm, vajza, motra, nipa e mbesa Satani? Si ndjehet  për veprën “famoze” që kreu? Po nana e vrasësit, nëse jeton, a flenë e qetë ? A ndjen dhimbje për vajzën e mjerë? Ç’ka i tha të birit  kur u kthye tek ajo?: “Të lumtë pushka o djal se na nderove…! Apo tu thaftë dora se vrave dy njerëz të pafajshëm, një burrë plak dhe një vajzë të re që edhe Kanuni  i Lekës dikur nuk i ka pasë lejue!”

     KANUNI I LEKË DUKAGJINIT

                               Nga At Shtjefen Gjeçovi

    Nye i njiqindetëtëmbdhetë

       Prita

    “Prita do të filloj pushkën mbi burra e jo mbi gra, fmi, mbi shtëpi e mbi bagti” f.835

    NYE I NJIQINDNJIZETEPESËT

    “Gjaku shkon për gisht”

    “Me grani të dorërasit ska punë shtëpija e të vramit, sepse “Grueja e Prifti nuk biejn në gjak”. F.897

    “Në  Kanu të vjetër të maleve të Shqypnis vetëm dorërasi bijtë në gjak ose aj, i cili tërhiqte, shkrepte e shprazte pushkën e çdo armë kundra nierit” f.898

    “Shpija e të vramit nuk mujte me ndjekë as me vra tjetërkënd prej vllazensh, nipash a kushrijsh të gjaksorit, pos gishtit të dorasit”. F.899

    “Kanuja e vonshme  pershin mashkullimin e shpis së dorërasit mje në ferishte djepi, kushrinin e nipat e ngiatë, edhe pse të dame, por për 24 orë, në valë të gjakut, e mbas 24 orësh do t’u qitte dorzani shpija e të vramit.” F.900