Kushtetuesja urdhëron AKKP-në të ekzekutojë vendimet e formës së prerë të gjykatës

    548
    Sigal

    Rasti i pronarit bëhet precedent për vendimin në tërësi të Kushtetueses: Ekzekutimi i vendimit përbën një element thelbësor të shtetit të së drejtës

    Gjykata Kushtetuese i ka kërkuar Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave,  ZQRPP-së, por edhe të gjitha institucioneve shtetërore të ekzekutojnë vendimet e formës së prerë të gjyqësorit. Rasti i Sinan Drizës, trashëgimtarit të një sipërfaqeje trualli prej 6700 m2, e ndodhur në fshatin Prush Tiranë, është bërë precedent për Gjykatën Kushtetuese, duke e shqyrtuar çështjen në tërësi.

    Rasti

    Komisioni Vendor i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i qarkut Tiranë i ka njohur trashëgimtarit Sinan Driza pronësinë në një sipërfaqe truall prej 6700 m2, e ndodhur në fshatin Prush Tiranë, duke i kthyer sipërfaqen prej 5450 m2 dhe kompensuar sipërfaqen prej 1250 m2. ZRPP-ja e qarkut Tiranë ka sqaruar se nuk mund të kryejë regjistrimin e pronës pasi në planvendosjen e pronës mungojnë firmat e punonjësit që ka përgatitur planvendosjen dhe e kryetarit të komisionit, të cilët ishin larguar nga detyra. Pas ecejakeve të qytetarit nga njëra zyrë në tjetrën dhe duke parë që problemi i tij nuk po merrte asnjë zgjidhje i drejtohet Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me objekt detyrimin e Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për ndreqjen e pasaktësive, si dhe për regjistrimin e vendimit në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Qarkut Tiranë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 5679, datë 17.7.2007, i cili ka marrë formë të prerë në datën 1.8.2007, ka vendosur pranimin e kërkesëpadisë. Por edhe pse me vendimin e formës së prerë, qytetari Sinan Driza, pas shumë peripecive, nuk gjeti zgjidhje dhe për këtë i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa në vendimin e saj, të zbardhur në fletoren zyrtare, Gjykata Kushtetuese ka theksuar se “ekzekutimi brenda një afati të arsyeshëm i vendimit të formës së prerë të gjykatës duhet konsideruar si pjesë përbërëse e së drejtës për një proces të rregullt ligjor, në kuptim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ekzekutimi i vendimit përbën një element thelbësor të shtetit të së drejtës e të vetë nocionit të gjykimit të drejtë. Asnjë organ shtetëror nuk mund të vërë në diskutim drejtësinë e vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Ekzekutimi i vendimit të formës së prerë të gjykatës konsiderohet si faza përfundimtare e realizimit të një të drejte të fituar gjyqësisht. Vetëm pas realizimit të kësaj faze mund të konsiderohet se individi e ka vendosur plotësisht në vend të drejtën e tij të fituar”. Gazeta “Telegraf” zbardh të plotë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    VENDIM Nr. 9, datë 27.2.2014

    NË EMËR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga:

    Bashkim Dedja kryetar i Gjykatës Kushtetuese

    Vladimir Kristo anëtar, Sokol Berberi anëtar, Vitore Tusha anëtare, Altina Xhoxhaj anëtare, Fatmir Hoxha anëtar, Besnik Imeraj anëtar, Fatos Lulo anëtar, Gani Dizdari anëtar, me sekretare Blerina (Çinari) Basha, në datën 17.12.2013, mori në shqyrtim mbi bazë dokumentesh çështjen me nr. 51/23 Akti, që i përket:

    KËRKUES: Sinan Driza

    SUBJEKTE TË INTERESUARA:

    Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë;

    Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme;

    Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë;

    Zyra Përmbarimore pranë Rrethit Gjyqësor Tiranë.

    OBJEKTI: Konstatimi i cenimit të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, si pasojë e mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë nr. 5679, datë 17.7.2007, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

    BAZA LIGJORE: Nenet 42, 131 shkronja “f”, 134 pika 1, shkronja “g” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut; nenet 27 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

    GJYKATA KUSHTETUESE,

    pasi dëgjoi relatorin e çështjes, Gani Dizdari, shqyrtoi parashtrimet me shkrim të kërkuesit, i cili kërkoi pranimin e kërkesës, prapësimet me shkrim të subjekteve të interesuara Zyra Përmbarimore Tiranë, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive te Paluajtshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si dhe pasi diskutoi çështjen në tërësi,

    VËREN:

    I

    1. Komisioni Vendor i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i qarkut Tiranë (në vijim KVKKP) me vendimin nr. 183, datë 17.2.2006, i ka njohur trashëgimtarit Sinan Driza pronësinë në një sipërfaqe truall prej 6700 m2, e ndodhur në fshatin Prush Tiranë, duke i kthyer sipërfaqen prej 5450 m2 dhe kompensuar sipërfaqen prej 1250 m2.

    2. KVKKP-ja e qarkut Tiranë, me shkresën nr. 217, datë 24.3.2006, i ka dërguar ZRPP-së Tiranë vendimin nr. 183, datë 17.2.2013 të KVKKP-së për të kryer veprimet përkatëse për regjistrim.

    3. ZRPP-ja e qarkut Tiranë, me shkresën nr. 3357 prot., datë 12.6.2006, drejtuar KVKKP-së së qarkut Tiranë, ka sqaruar se nuk mund të kryejë regjistrimin e pronës pasi në planvendosjen e pronës mungojnë firmat e punonjësit që ka përgatitur planvendosjen dhe e kryetarit të komisionit. Me shkresën 950/1 prot., datë 6.7.2006, KVKKP-ja i ka kthyer përgjigje ZVRPP-së duke përcaktuar se vendimi është i vlefshëm edhe pa firmat e dy ish-punonjësve, të cilët janë larguar nga detyra. Kërkuesi, pas ankimit në ZRPP-në e qarkut Tiranë, është njoftuar me shkresën nr. 639/1 prot., datë 25.8.2006, se duhet të paraqitet pranë këtij institucioni pas datës 10.9.2006, për të kryer veprimet përkatëse. Në kushtet kur përsëri ZRPP-ja nuk ka kryer asnjë veprim, kërkuesi i është drejtuar me kërkesë ZQRPP-së. Ky institucion, me shkresën nr. 639/2 prot., datë 30.10.2006, e ka njoftuar se për të kryer veprimet për regjistrimin e pronës duhet të paraqitet në ZVRPP pas datës 10.9.2006.

    4. Për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, kërkuesi ka paraqitur padi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë me objekt detyrimin e Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për ndreqjen e pasaktësive në vendimin nr. 183, datë 17.2.2006, si dhe për regjistrimin e vendimit në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të qarkut Tiranë.

    5. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 5679, datë 17.7.2007, i cili ka marrë formë të prerë në datën 1.8.2007, ka vendosur pranimin e kërkesëpadisë.

    6. Me vendimin nr. 1560, datë 20.6.2008, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për vendimin nr. 5679, datë 17.7.2007.

    7. Zyra Përmbarimore Tiranë, me shkresën nr. 12247, datë 7.10.2008, e ka njoftuar palën debitore për ekzekutimin vullnetar të vendimit.

    8. Zyra Përmbarimore, me vendimin nr. 13395, datë 7.9.2009, e ka gjobitur Zyrën Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarku Tiranë/debitori, sepse ky institucion nuk ka marrë masat e nevojshme për ekzekutimin e vendimit.

    9. Kundër këtij vendimi, Zyra Rajonale e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të qarkut Tiranë ka paraqitur kërkesëpadi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me objekt deklarimin e pavlefshëm të titullit të ekzekutimit dhe anulimin e vendimit për marrjen e gjobës ndaj saj.

    10. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 1433, datë 26.2.2010, ka vendosur pushimin e gjykimit për mosparaqitjen e palës paditëse në seancë gjyqësore, pa shkak të arsyeshëm.

    11. Kërkuesi i është drejtuar Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, qarku Tiranë, me kërkesë për rishikimin e vendimit nr. 183, datë 17.2.2006. AKKP-ja, me vendimin nr. 1336, datë 30.11.2011, ka vendosur deklarimin e mungesës së kompetencës dhe juridiksionit për rishikimin e vendimit nr. 183, datë 17.2.2006, në respektim të vendimit nr. 43, datë 6.10.2011, të Gjykatës Kushtetuese, për shfuqizimin e kompetencave të AKKP-së për rishikimin e vendimeve.

    12. Kundër këtij vendimi kërkuesi i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila, me vendimin nr. 11495, datë 26.11.2012, ka vendosur rrëzimin e padisë. Në datën 25.1.2013 ky vendim ka marrë formë të prerë.

    II

    13. Kërkuesi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke pretenduar cenimin e së drejtës për një proces të rregullt ligjor, në kuptim të nenit 42 të Kushtetutës dhe nenit 6/1 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si rrjedhojë e mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë nr. 5679, datë 17.7.2007, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, brenda një afati të arsyeshëm.

    14. Subjekti i interesuar Zyra Përmbarimore Tiranë, me shkresën nr. 6418 prot., datë 26.11.2013, paraqiti dosjen përmbarimore ku pasqyrohen të gjitha veprimet e kryera nga ana e saj në funksion të ekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë.

    15. Subjektet e interesuara, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, paraqitën prapësimet e tyre me shkrim për çështjen objekt shqyrtimi. Zyra përmbarimore ka parashtruar, në mënyrë të përmbledhur, duke argumentuar se nga verifikimi i dokumentacionit tekniko-ligjor dhe inventarizimi i dosjeve të regjistrimit dhe hartografisë nuk rezulton që kërkuesi të ketë depozituar praktikë. Për të pasur të dhëna të sakta kërkohet përsëri paraqitja e kërkuesit pranë sporteleve të zyrës për të kryer aplikimin e nevojshëm për verifikimin e pasurisë.

    III

    Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese

    Për pretendimin për mosekzekutimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë brenda një afati të arsyeshëm

    16. Gjykata Kushtetuese (në vijim Gjykata) ka theksuar se ekzekutimi brenda një afati të arsyeshëm i vendimit të formës së prerë të gjykatës duhet konsideruar si pjesë përbërëse e së drejtës për një proces të rregullt ligjor, në kuptim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ekzekutimi i vendimit përbën një element thelbësor të shtetit të së drejtës e të vetë nocionit të gjykimit të drejtë. Asnjë organ shtetëror nuk mund të vërë në diskutim drejtësinë e vendimeve gjyqësore të formës së prerë dhe për rrjedhojë detyrohet të marrë masat përkatëse për zbatimin e tyre (shih vendimet nr. 35, datë 27.10.2010; nr. 23, datë 17.5.2010; nr. 1, datë 19.1.2009, të Gjykatës Kushtetuese).

    17. Ekzekutimi i vendimit të formës së prerë të gjykatës konsiderohet si faza përfundimtare e realizimit të një të drejte të fituar gjyqësisht. Vetëm pas realizimit të kësaj faze mund të konsiderohet se individi e ka vendosur plotësisht në vend të drejtën e tij të fituar. Procesi i vendosjes në vend të një të drejte të shkelur përfshin jo vetëm vendimmarrjen e gjykatave, por edhe veprimet konkrete të organeve përgjegjëse të ngarkuara me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

    18. Gjykata ka rikonfirmuar qëndrimin se në një çështje që përfshin përcaktimin e një të drejte civile, kohëzgjatja e procedurave normalisht llogaritet nga momenti i fillimit të procedurës gjyqësore, deri në momentin kur jepet vendimi dhe ekzekutohet ai. Faza ekzekutive konsiderohet si fazë e mëtejshme e të njëjtit proces.

    19. Gjithashtu, Gjykata, duke u mbështetur edhe në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është shprehur se kohëzgjatja e arsyeshme e procedimeve duhet të vlerësohet nën dritën e rrethanave të çështjes dhe duke marrë në konsideratë kompleksitetin e çështjes, sjelljen dhe interesin e kërkuesit dhe autoriteteve përkatëse. Për vlerësimin e kompleksitetit të procedimeve duhet të kenë rëndësi të gjitha aspektet e çështjes, përfshi objektin e çështjes, faktet e kundërshtuara, volumin e provave shkresore. Kompleksiteti i çështjes, në balancë me parimin e sigurimit të administrimit të përshtatshëm të drejtësisë, mund të justifikojë kohëzgjatje kohore të konsiderueshme. Për sa i përket sjelljes së autoriteteve, Gjykata ka mbajtur qëndrimin se edhe në ato sisteme ligjore, të cilat zbatojnë parimin se iniciativat procedurale u takojnë palëve, përsëri gjykatat kanë detyrimin për të siguruar progresin e gjykimeve me shpejtësi të mjaftueshme (shih vendimet nr. 14, datë 15.4.2010; nr. 8, datë 23.3.2010; nr. 9, datë 1.4.2009; nr. 1, datë 19.1.2009, të Gjykatës Kushtetuese).

    20. Çështja konkrete është vlerësuar në vijim nga Gjykata Kushtetuese, në vështrim të respektimit të standardeve të mësipërme.

    I. Kompleksiteti i çështjes

    21. Në çështjen në shqyrtim, në dispozitivin e vendimit nr. 5679, datë 17.7.2007 të Gjykatës së RrethitTiranë, është përcaktuar detyrimi i Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të ndrequr pasaktësitë në vendimin nr. 183, datë 17.2.2006 të KVKKP-së, si dhe regjistrimi në ZVRPP-në e qarkut Tiranë.

    22. Gjykata çmon se nga shqyrtimi i dokumenteve të paraqitura, çështja konkrete nuk paraqet rrethana të veçanta apo kompleksitet që mund të justifikojë një vonesë në ekzekutimin e vendimit, ndaj vlerësimi i sjelljes së kërkuesit dhe i autoriteteve publike është me rëndësi në këtë kontekst.

    II. Sjellja e kërkuesit

    23. Kohëzgjatja e arsyeshme e procedimit të çështjes është vlerësuar nga Gjykata si thelbësore për të përcaktuar nëse ndodhemi para tejkalimit të afateve të arsyeshme. Ky element lidhet me mosekzekutimin e vendimeve të formës së prerë për faj të veprimeve ose mosveprimeve të kërkuesit, duke sjellë tejkalimin e afatit të arsyeshëm për ekzekutimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë nga autoritetet e caktuara nga ligji.

    24. Për sa i përket sjelljes së kërkuesit, nga tërësia e fakteve dhe rrethanave rezulton se kërkuesi, pas mbarimit të procesit gjyqësor për ndreqjen e pasaktësive formale të vendimit nr. 183, datë 17.2.2006, të Komisionit Vendor të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, i është drejtuar Zyrës Përmbarimore me kërkesë për ekzekutimin e vendimit nr. 5679, datë 17.7.2007, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

    25. Sa më sipër, Gjykata konstaton se kërkuesi ka vepruar në përputhje me të drejtat e tij procedurale, duke shteruar mjetet ligjore në dispozicion të tij për rivendosjen e së drejtës së cenuar dhe duke shfaqur interes të vazhdueshëm për ekzekutimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë.

    III. Sjellja e autoriteteve

    26. Në këtë drejtim është e nevojshme të vlerësohet nëse Zyra Përmbarimore dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kanë marrë masat e nevojshme pas lëshimit të urdhrit të ekzekutimit, në përputhje me vendimin gjyqësor të formës së prerë.

    27. Sipas kërkesës dhe dokumenteve të bashkëlidhura, rezulton se Zyra Përmbarimore ka ndërmarrë hapat e nevojshëm procedurale. Konkretisht, me shkresën nr. 9292 prot., datë 16.7.2008, i ka dërguar Zyrës Rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pranë qarkut Tiranë, lajmërim për ekzekutim vullnetar. Ndërsa me shkresën nr. 12247, datë 7.10.2008, i ka dërguar urdhër për ekzekutimin e vendimit.

    28. Në përgjigje të shkresës nr. 9292 prot., datë 16.7.2007 të Zyrës Përmbarimore, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, me shkresën nr. 6972/1, datë 9.9.2008, ka kthyer përgjigje duke parashtruar se vendimi nr. 5679, datë 17.7.2007 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është i detyrueshëm për zbatim nga pala e paditur dhe nuk përbën titull pronësie të detyrueshëm për zbatim.

    29. Zyra Përmbarimore Tiranë, në mënyrë të përsëritur, konkretisht me shkresat nr. 3156 prot., datë 9.3.2009; nr. 5695, datë 21.4.2009; nr. 16359 prot., datë 19.11.2010; nr. 2289 prot., datë 10.4.2013; nr. 3158 prot., datë 20.5.2013, i ka kërkuar Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, qarku Tiranë, ekzekutimin e vendimit.

    30. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me shkresën nr. 1133/1 prot., datë 13.3.2009, ka vënë në dijeni Zyrën e Përmbarimit lidhur me caktimin e grupit të punës për ekzekutimin e vendimit.

    31. Zyra Përmbarimore, në datën 5.8.2009, ka shkuar për verifikim në zyrat e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Përgjegjësi i Zyrës juridike të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka sqaruar se është bërë vlerësimi ligjor i çështjes dhe pritet konfirmim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë për gjendjen e pronës në regjistrat e saj.

    32. Zyra Përmbarimore Tiranë, me vendimin nr. 13395 prot., datë 7.9.2009, ka vendosur marrjen e masës së gjobës ndaj titullarit të Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, qarku Tiranë, për mosekzekutim të vendimit nr. 5679, datë 17.7.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

    33. Gjykata në jurisprudencën e saj është shprehur se i takon debitorit të gjejë një mundësi zgjidhjeje sa më të përshtatshme, me qëllim vënien në vend të së drejtës së kreditorit. Autoritetet shtetërore nuk mund të justifikohen me pamundësinë për të mos respektuar një detyrim që vjen nga një vendim gjyqësor, por duhet të përpiqen me të gjitha mjetet dhe mundësitë që kanë në dispozicion për ta zbatuar atë (shih vendimet nr. 4, datë 20.2.2013; nr. 10, datë 1.3.2012, dhe nr. 2, datë 1.2.2011, të Gjykatës Kushtetuese).

    34. Sa më sipër, Gjykata thekson se është detyrim i debitorit që në çështjen konkrete të gjejë mundësitë e duhura për të ndrequr pasaktësitë e vendimit nr. 183, datë 17.2.2006, si detyrim që rrjedh nga vendimi gjyqësor i formës së prerë nr. 5679, datë 17.7.2007, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

    35. Në vështrim të fakteve të parashtruara më sipër, nga data 20.6.2008 e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka pasur një korrespondencë të gjatë midis kreditorit dhe debitorit, duke tejzgjatur afatin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë, objekt gjykimi.

    36. Në vlerësimin e Gjykatës, autoritetet shtetërore përgjegjëse kanë pasur kohën e mjaftueshme në dispozicion për të ekzekutuar vendimin gjyqësor të formës së prerë. Debitori jo vetëm që nuk e ka bërë këtë, por vazhdon të shprehet se nuk mund të kryejë veprimet e duhura në plotësim të detyrimeve të tij ndaj kreditorit. Nuk rezulton që sjelljet e kërkuesit ose të Zyrës Përmbarimore të jenë bërë shkak për mosekzekutimin e vendimit të formës së prerë. Përkundrazi, kërkuesi ka qenë aktiv në kërkimin e tij për rivendosjen në vend të së drejtës së cenuar.

    37. Në përfundim, Gjykata konstaton se në çështjen objekt shqyrtimi ndodhemi para cenimit të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, të parashikuar nga neni 42 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 6/1 i KEDNJ-së, si rrjedhojë e mosekzekutimit nga autoritetet e ngarkuara nga ligji dhe brenda një afati të arsyeshëm, të vendimit gjyqësor të formës së prerë.

    PËR KËTO ARSYE,

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 131, shkronja “f”, dhe nenit 134, pika 1, shkronja “g”, të Kushtetutës dhe nenit 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, njëzëri,

    VENDOSI:

    Pranimin e kërkesës.

    Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, si pasojë e mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë nr. 5679, datë 17.7.2007, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.