Kushte dhe paga skandaloze për punonjësit e bizneseve të vogla

793
Në vendin tonë po lulëzojnë dita – ditës “firma” të vogla, të cilat punësojnë njerëz, të cilët s’kanë mundësi ekonomike, kjo për shkak të mungesës së një vendi pune. Në këtë moment hynë në lojë “firma”, të cilat ofrojnë punësimin e kësaj kategori, edhe pse paga, kushtet, sigurimet, as që merren parasysh. E tillë paraqitet situata në kryeqytet, por jo vetëm, ku disa “firma” rrobaqepësish private shfrytëzojnë femrat, që nuk kanë një mundësi reale pune, duke u bërë “skllave”. Situatë, e cila ekziston prej kohësh edhe pse kontrollet në këto pika as që ekzistojnë, duke i lënë të funksionojnë lirshëm, sikur asgjë të mos ketë ndodhur për muaj apo vite të tëra. Bëhet fjalë për punësimin e grave të rrobaqepësi të vogla të mesme, por edhe të mëdha, duke mos u plotësuar kushtet më minimale. Rasti i një zonje 38 vjeçare, tregon qartë, se si ajo shfrytëzohet për më shumë se 8 orë punë për një rrogë, e cila shkon 12 mijë lek të vjetra në muaj. Punë , ku kushtet e punës, oraret, të drejtat e kësaj zonje, kujdesi shëndetësor, ditët e pushimit, fundjavat, lejet e zakonshme, pushimet e drekës si dhe liria për t’u organizuar dhe për të kërkuar të drejta më të mëdha, nuk ekzistojnë. Ne disa nga këto “firma”, që një punonjëse të fillojë punë, fillimisht duhet të bëjë dy javë stazh pune, duke mos u paguar për oraret e punës që ajo zhvillon. Përveç kësaj një punonjëseje i mbahet një muaj rrogë pezull, për të mos pasur mundësi largimi nga puna, nëse nuk pëlqen kushtet e punës. E gjithë kjo përkthehet në më shumë se 45 ditë punë pa pagesa për një punonjëse, e cila në fund të dy muajve do marrë një pagë të papërfillshme prej 12 mijë lekësh të reja, prej të cilave 3 mijë lekë do i shpenzojë për përmbushjen e nevoja të punës. Pra një punonjëse i mbeten në muaj vetëm 9 mijë lek të reja muaj, për të cilat duhet ë punojë 8 orë në 7 ditë të javës. Këto janë pak nga situatat me të cilat përballen çdo ditë shumë nga punonjësit/punonjëset e bizneseve të vogla, jo vetëm në rrobaqepësi, por edhe në biznese të tjera të vogla, ku shfrytëzohen thjesht si krah pune, të cilat janë të detyruara të pranojnë kushtet e ofruara, në të kundërt nuk fillon dot punë. Problemi me këto “firma”, qëndron edhe te pagesa e siguracioneve, një tjetër problem ky, për të cilën punonjëset as nuk guxojnë të kërkojnë sigurime apo kontrata pune, sepse përballen direkt me “kërcënimin” e largimit nga puna nga ana e pronarëve, me justifikimin se jashtë derës së kësaj “firme” ka shumë gra dhe të reja, të cilat presin ofertën e punës dhe se duhet t’i bëjnë shërbimin kësaj pune nëse duan që të vazhdojnë. Në këtë mënyrë, shumë gra dhe të reja, të cilat janë të punësuara në rrobaqepësi lagjesh, apo dhe biznese të tjera të vogla, janë të detyruara të punojnë dhe me orare të zgjatura për të mbajtur vendin e punës. E njëjta situatë ndodh edhe në firma të mëdha fasonerish, ku kushtet e punës janë skandaloze, ku pagat janë përtokë, ku firma fantazma punësojnë punonjës/punonjëse, të cilave nuk u paguajnë sigurimet, ku kontratat e punës nuk ekzistojnë dhe shumë probleme të tjera, të cilat kanë kthyer këta punonjës “në kavje pune”. Punonjës, të cilët nuk reagojnë për përmbushjen e kërkesave minimale, sepse rrezikojnë vendin e punës. Kontrolle tatimore që nuk shihen asnjëherë të kalojnë pranë këtyre “firmave” të mëdha apo të vogla qofshin për të bërë një inspektim pune për të parë se si shfrytëzohet krahu i punës, duke lënë që situata të vazhdojë të jetë e njëjtë, sikur asgjë të mos ketë ndodhur.
Sigal