Kush po formon parti të re shqiptare në Maqedoni?

457
Sigal

Eksperimente me formimin e partive të reja kanë bërë shumëkush duke menduar se ata janë “Mesiet”

Në mediume ka kohë që ka filluar një fushatë mediatike kush e din se nga kush e iniciuar, që nuk i është kushtuar shumë rëndësi, deri në momentin kur DW (Deutche Welle) nuk e transmetoi lajmin se “Pritet formimi i një partie të re politike shqiptare, ku do të përfshihen kryetari i rebeluar i Strugës, Ziadin Sela, publicistë, (aludim për Kim Mehmetin), intelektual etj..

 Ky informacion i servuar për DW nga Shkupi (që tashmë dihen edhe porositësit) shumë shpejt u përhap nëpër tezgat-portalet satelit të porositësve apo kuzhinierëve të lajmit në DW dhe u bë “boom” informativ, se “Ziadin Sela do të formojë parti të re shqiptare”!

Nga ana tjetër, Ziadin Sela, është deklaruar haptas edhe nëpër intervista edhe gjatë takimit me anëtar të PDSH-së, se qëllimi i tij është reformimi, ndryshimet në Partinë Demokratike Shqiptare e asesi formimi i një partie të re politike. Me këtë deklarim, Ziadin Sela, në një mënyrë u përgjigjet edhe atyre politikave pavarësisht se nga cili krah politik vjen, që kohë pas kohe deklarojnë se gjoja “Ndokush përpiqet të formojë parti politike përmes rrugës së protestave”, duke u përpjekur të justifikojnë veten për mospjesëmarrje në protesta, vis-a vis pranisë së Ziadin Selës në protestat për rastin “Monstra”. Janë këto deklarata shumë naïve dhe dëshmi se mbase burimi i “formimit të partisë së re politike është pikërisht aty”. Shumë është duke u eksploruar (ose servuar nga qarqe të ndryshme?!) formimi i një subjekti të ri politik shqiptar në Maqedoni. Kjo lloj retorike është e mirënjohur ndër shqiptarët pothuajse, çdo ditë duke u nisur nga ajo se secili shqiptar i pakënaqur për diçka (e të tillë ka sa të duash) shprehet: “…Duhet formuar një parti të re politike se me këta më nuk shkon kështu…”, por kurrë nuk e kanë definuar se kush janë “Këta” ose “Ata” e as nuk e kanë definuar vetveten se cilit kamp politik i takojnë. Eksperimente me formimin e partive të reja kanë bërë shumëkush, duke menduar se ata janë “Mesiet”, ( shpëtimtarët e dërguar).  Mirëpo, për fat të keq, shumë shpejt janë shuar dhe heshtur. Për heshtjen e këtyre “themeluesve” të partive ka shumë faktorë, por unë po përmendi vetëm dy prej tyre: partitë në pushtet (pozitë e opozitë bashkërisht) kanë mekanizma për ti heshtur partitë e iniciuara dhe të sapoformuara (shembuj kemi sa të doni), ndërsa sipas mendimit tim faktor kryesor janë vetë anëtarësia e atyre partive, sepse thjeshte nuk kanë profilim dhe përcaktim politik, sepse organizimi politik i shqiptarëve edhe sot e kësaj dite bëhet mbi baza familjare, fisnore, krahinore dhe mbi baza të interesave klanore. Çfarë partie do të formosh me të njëjtin elektorat, me të njëjtin popull që gjatë këtyre 20 e sa vjetëve e votoi PPD-në, Partinë Popullore, PDSH-në, PR-në,  PRUP-in, ADSH-në, BDSH-në, RDK-në DR-në e sa e sa të tjera që tashmë nuk figurojnë në hartën e partive politike dhe po i njëjti elektorat, i njëjti popull i kënaqur e i pakënaqur e votoi Kiro Gligorovin … e votoi Boris Trajkovskin…e votoi Branko Crvenkovskin…e votoi dy here Gjorgje Ivanovin….dhe rrjedhimisht, me këtë të njëjtin popull nuk mund të formohet parti politike pos nëse nuk sjellin ndonjë popull tjetër nga Kina, Afganistani, Pakistani, Koreja…e nëse kjo ndodhë atëherë ka të ngjarë që mund të formohet një subjekt i ri politik, por ama, me të njëjtin popull të formosh 100 parti dhe asnjëra të mos përmbushi apetitet, nuk besoj se do të ketë bereqet. Kur e them këtë, e them me bindje të plotë, sepse duke qenë kronist i ngjarjeve dhe zhvillimeve në skenën politike, duke filluar nga drejtuesit e partive politike shqiptare, strukturat udhëheqëse,  por edhe vetë anëtarësia janë bërë më keq se futbollistët që kalojnë nga klubi në klub, edhe këta politikan shumë lehtë po kalojnë nga një parti në tjetrën, madje disa politikanë të sotëm, që mbajnë edhe poste udhëheqëse,  kanë kaluar stazhin e tyre në shumë parti, gati në të gjitha partitë shqiptare vetëm e vetëm siç thotë “Vani” (Roland Trebicka) “vetëm për t’u bërë një çik magazinier” dhe për këtë janë në gjendje të bëhen edhe anëtarë të VMRO-Popullore, se të tjerat i kanë provuar në njërën ose mënyrën tjetër (aktiv ose pasiv). Për përkatësinë e tyre partiake, ka një mori dëshmish, duke filluar që nga LKJ-LKM –Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë-Lidhja e Komunistëve të Maqedonisë, e deri te pjesëmarrja-anëtarësia e partive politike aktive në skenën politike, duke bartur e transmetuar eksperiencat e tyre kombëtare,  komuniste, demokratike, liberale, liberal-demokratike, socialdemokrate etj., etj.. Të gjithë ata kanë emër e mbiemër dhe asnjëri nuk është anonimus. Dihen mirëfilli të kaluarat e tyre, ndaj pyetja që shtrohet si rezultat i eksperiencave të tyre është: Kur e kanë gënjyer popullin dhe vetveten…gjatë cilës periudhë partiako-politike, sepse kanë kaluar nëpër shumë faza të sistemit politiko-juridik, ose thënë ndryshe: Kur kanë qenë të sinqertë me popullin, kur kanë qenë anëtarë të LKJ-LKM-së, të LPRK-së, të PPD-së, PDSH-së, të BDI-së, apo asnjëherë nuk kanë qenë të sinqertë!!!