…Kush është lule e Vilajetit, Himara në breg të Detit…!

    285


    HIMARË/
    Ceremoni e mrekullueshme. Dekorohen Neço Muko, korifeu i iso-polifonisë, këngëtarë edhe grupe popullore të njohura të Bregut

    “Kush është lule vilajeti,/ Himara në breg të detit…/…Dhe shekujt në shekuj iso mbajnë…aman trima kapedanë…”… Himara… Sa kalon kalanë e Ali Pashait dhe gjirin e Palermos, një nga mrekullitë më magjepse të natyrës shqiptare zbërthen gjoksin dhe shfaq margaritarët e sajë të pakrahasueshëm.

    BUKURIA HIMARË…

    Himara e trimërisë, Himara e këngës, Himara e historisë, Himara e Damjanit, Himara e bukurisë, bukuri që magjepsi Pashain e Janinës dhe urdhëroi që kësaj bukurie ti ndërtohej kalaja më e famshme e kohës renda 24 orësh, e si dhuratë ja fali po bukurisë femërore Himarjote, Vasiliqisë që ja rrëmbeu mendjen Pashait të frikshëm. Kjo bukuri himarjote që magjepsi edhe mbretin Zog dhe një kafe e pagoi 100 napolona flori. Himara e artistëve të mëdhenj që i dhanë emër dhe bën histori si Petro Marko, Odise Grillo, Spiro Çomora e deri tek më të rinjtë si Robert Goro. Himara me malet hijerënda të Akrokeraunve (vetëtimave) që i rinë si heshta mbrojtëse me kreshtat e tyre që s’i kapin dot as retë, dhe zbret kjo krenari dhe bukuri deri tek valët kaltëroshe të Jonit që përkëdhel e freskon brigjet në hapësirat e pafundme të bukurisë dhe horizonteve të lirisë, në këto hapësira ku fluturoi dhe fluturon një nga thesaret më të çmuara të Himarës, të viseve shqiptare, të iso-polifonisë dhe kulturës kombëtare:Kënga Polifonike Himarjote, e cila shpërndanë kudo dhe ku dëgjohet, vetëm aromë jete dhe kënaqësie. Dhe sot kjo perlë folklorike ka festën e sajë në këtë trevë, sot në ditën e legjendës së sajë , të 115 -vetorit të lindjes se Feniksit të Himarës Neço Muko.

    FESTA NË HIMARË

    …Dhe ashtu si dikur që Neço mblodhi korifenjtë e këngës, edhe sot ka mbledhur në një kuvend arti të gjithë bijtë e kësaj treve krenare shqiptare. Këta bij që kanë larë me gjak, djersë, trimëri dhe këngë çdo grimcë e çdo fije bari të dheut të tyre,duke bërë që mëngjeset të lindin me bukurinë e virgjër e jot ë zbehura. Sot të flasësh për këtë këngë është e vështirë. Është e vështirë sepse duhet ta nisësh patjetër nga legjenda e këngës himarjote: Nga Neço Muko-Himarjoti dhe grupi i tij, të vazhdosh me pasardhësin, Dhimitër Varfin dhe grupin e tij, një këngëtar madhështor e i heshtur, ku sot janë pasardhësit e këtij grupi që ka shkrirë pesë zërat e variacionit himarjot në ëmbëlsinë e marrëses Katina Beleri, të admirosh grupin e vajzave të Dhërmiut, të bukura si lulet e lëndinave të majit, ato pesë vajza të reja që nisën rrugën e interpretimit në skenë, në atë skenë që qenë të parat gra të zonës që këndonin me marrësen e famshme të grupit, Kasjani Iljadhi. E kush nuk e mban mend këngën e tyre “Hyri Prilli shkriu bora ,majave…, një këngë melodioze dhe plotë mesazhe për jetën e re që vinte, një këngë me një lajtmotiv shoqëror e social se hyri prilli, pra erdhi pranvera dhe do shkrijë dëborën e tabuve dhe zakoneve prapanike që rëndonin jetën e gruas shqiptare. Dhe në këtë udhëtim folklorik të trevës së Himarës, vijmë edhe tek i famshmi Grupi i Pilurit, grup që ngjanë me një ortek këngësh me Lefter Çipën, e për të ecur më tej tek grupi i ri  “Ç’shokë pate, o Lefter”, Grupe që me interpretimet e tyre kanë tronditur e çuditur skenat shqiptare dhe ato të huaja.

    VLERËSOHEN ARTISTËT

    Dhe të gjitha këto grupe, kalojnë sot në tribunë festive, aty, në Potam të Himarës, madhështor dhe krenar. Kjo skenë i ngjanë një sfilatë gjigande artistike, ku pa selektim, të gjitha grupet dhe këngëtarët, por dhe personalitete të tjerë të artit dhe kulturës së zonës, shpallen “Nderi i Qarkut Vlorë” dhe “Nderi i Himarës”. Të ngjajnë këta përfaqësues grupesh artistike folklorike si male të lidhura në një vargmal, si malet e Akrokerauneve përmbi Himarë, që presin vetëtimat, rrebeshet dhe stuhitë. Dhe që nga kjo sallë është e vështirë të dallosh se, cila është maja më e lartë: Të gjitha majat arrijnë tek yjet, dhe retë e harrimit ndërrojnë rrugën para tyre!. Është e vështirë të dallosh se tek cili mal janë më të fortë e më të dendur lisat e këngëve, apo lëndinat e cilit kanë më shumë lule. Për ne janë të gjithë të bukur e të dashur, si këta të sotmit, ashtu edhe ata që nuk jetojnë më , por vijnë si emër i rrallë malli e nderimi, këtu në vendlindjen e tyre që i kënduan dhe ajo u kthye në prehje të përjetshme për ta, sepse i ka të sajë, janë tanët, janë himarjotë, dhe bukuritë e shpirtit me ëmbëlsinë  e dhuratës hyjnore të artit që u fali zoti  pa kursim, nuk e kursyen e nuk e kursejnë për ne, për artin e kulturën shqiptare të cilën e ngritën në piedestale… Sepse kënduan për ne, për Himarën dhe për Shqipërinë, duke i dëshmuar botës nëpërmjet këngës, shpirtin artistik, progresist dhe europian të kombit tonë dhe njëkohësisht duke i treguar popullit tonë rrugën e artit për në Europë. Prandaj është e vështirë të flasësh për këta njerëz të thjeshtë, dhe këta që janë në sallë, asgjë nuk i dallon nga pjesëmarrësit e tjerë.

    ‘FENIKSI’ I HIMARËS

    Një poster i madh zë vend në krye të sallës festive. Është portreti i Feniksit të Himarës, të madhit Neço Muko. Në sfond tingujt magjepsës të “Vajzë e valëve” përhapin tinguj melodiozë e elektrizues, emocionues dhe persiatës në salle dhe shtrihet deri tek vala e detit dhe shkrihet me të. Tek ajo vale që përcolli Neço Muko dhe grupin e tij drejt Parisit, ku magjia e iso-polifonisë himarjote dhe këngëve shqiptare çuditi botën e qytetëruar perëndimore dhe më tej. Kjo valle që i solli përsëri korifenjtë e këngës  në këto brigje, ku jehona shekullore e këngës mbretëron dhe në ison e valëve dhe në fëshfërimën e lisnajës në shpatullat e maleve që i rrethojnë. I dëgjon këto zhaurima valësh e fëshfërima gjethënajesh, dhe zhytesh në magjinë e këngës himarjote, një simfoni artistike e natyrës që nuk ka kompozitor ta hedh në pentagram…

    MJESHTRI DHIMITËR VARFI

    Mes këtyre emocioneve të shumta, syri të kap një burrë të thyer në moshë e me bastun në dorë. Përlotet dhe nuk përmban do të emocionet…dhimbja dhe nostalgjia, por edhe krenaria e këtij artisti, me talent më të ndjeshëm  i kanë prekur zemrën, loton, por pa lëshuar as edhe një”oh”… Është marsi i famshëm i këngës himarjote,pasuesi i Neço Muko, i madhi dhe i papërsëritshmi Dhimitër Varfi. E teksa merr medaljonin si “Nder i qarkut Vlorë “ nga kryetari i këtij Qarku Anesti Dhimojani dhe “Nder i Himarës” nga krye bashkiaku Gjergji Goro, dridhet e i rrëshqasin pika loti, rrëshqasin nëpër faqet e këtij mali-këngë. Ai hyn mes grupit himarjot, dhe zëri i kësaj ikone 84 vjeçare, pushton të gjithë sallën. Dhe kjo atmosfere e ndezur edhe nga interpretimet e aktorëve B. Asqeriu dhe S. Duni, na sjell ndërmend gojëdhënën  e mamisë që e priti  në duar atë vit të largët të 1929-ës, kur dëgjoi të qarat e foshnjës së porsalindur, u drejtua nga qielli dhe tha: O perëndi!Ky njeri me këtë zë të rrallë do bëhet o këngëtar, psallt. Dhe profecia e sajë ndodhi realitet. Dhimitër Varfi u bë dhe psallt dhe këngëtar famoz. Me fjalët përshëndetëse e falënderuese, nën ngarkesën emocionale, thotë nën peshën e kujtimeve, se nga shokët e grupit këngëtar është i vetmi që jeton. Moment që salla shpërthen në duartrokitje dhe thirrjet ”Marsi është i fundit që largohet nga jeta, njësojë si kapiteni i anijes në furtune e fatkeqësi”!

    MESAZHET E NJË FESTE

    Natyrisht në evenimente të tilla mbresëlënëse e mirënjohje, kujtimet dhe detajet janë të shumta, e fjalët e përshkrimit nuk mund t’i mbledh një reportazh. Ato janë të pafundme si hapësira, ku u hap kënga e tyre, ndaj e mbyll me fjalët se ky vlerësim i këtyre artistëve të këngës dhe kulturës bregdetare shqiptare, në radhë të parë, është vetë nder për Qarkun e Vlorës dhe Bashkinë e Himarës, që nderon me tituj nderi këta kolosë të artit popullor, të cilët kanë nderuar me vite dhe me jetë Himarën dhe Shqipërinë, këta kalorës të rrallë të kulturës  që kjo trevë i pati fat. Dhe kur të vlerëson vendlindja, vendi yt, fshati dhe krahina jote, atëherë ke arritur majën… Më tej janë vetëm perënditë!