Kush e ka “verbuar” Syrin e Kaltër për të parë Sarandën?

566
Stina e nxehtë sa ka trokitur dhe mbërritja e pushuesve dhe turistëve nuk sjell vetëm të ardhura materiale dhe rritje ekonomike familjare për bizneset që e ushtrojnë këtë aktivitet, kjo stinë shoqërohet edhe me problematikë të ndryshme për pjesën tjetër të popullsisë së Sarandës që nuk ushtron këtë aktivitet, por jeton me ditën e punës herë-herë edhe të zezë, të detyruar për të nxjerrë bukën e gojës. Një nga problemet e përballjes në këtë stinë, që tashmë është kthyer në fenomen shqetësues, është edhe furnizimi me ujë të pijshëm, ku hera –herës mungon. Megjithëse nga politika, e majtë dhe e djathtë është premtuar furnizimi me ujë 24 orë, ende nuk duket asgjë në horizont. Edhe ky sezon veror do të mbyllet me problematika të mosfurnizimit të rregullt. 

Një investim madhor nisi vitin që kaloi në rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit të Bashkisë së Re të Sarandës, një investim që shkon në 1.2 miliardë lekë shqiptare, nga ku 8 milionë euro janë investim gjerman. Puna u ndërpre në fillim qershor për shkak të sezonit turistik për të rinisur në muajin shtator, por së bashku me punën e ndërprerë është shkarkuar edhe drejtori i ujësjellës –kanalizimeve për tu zëvendësuar me ish kandidatin e PS- për deputet në qarkun e Vlorës, Sheme Lulo, po ky zëvendësim nuk ka ndryshuar asgjë në këtë investim. Pas ardhjes së shumë ankesave të qytetarëve sarandjot në adresë të redaksisë së gazetës “Telegraf”, redaksia u interesua tek specialistë dhe inxhinierë të hidrologjisë dhe na shprehën se situata do të jetë problematike në furnizim të ujit të pijshëm në zonat periferike të qytetit si lagjet “Baba Rexhepi” dhe “Lugu i Dardhës”, ndërsa pritet përmirësimi në zonat turistike. 

Por qytetarët shkruajnë me shqetësim se janë të detyruar të pajtojnë bote me ujë që janë jo pak të kushtueshëm dhe uji shkon si Frëngu pulën. Një nga arsyet, ngrenë ata në ankesat e tyre, është edhe dhënia e ujit të pijshëm për lavazho brenda hapësirës urbane të qytetit që shkaktojnë edhe ndotje akustike, por edhe lidhja me tubin kryesor të furnizimit me ujë të popullatës, të pishinave të hoteleve luksoze, kur fare mirë këta mund të furnizohen me ujë nëpërmjet boteve. Në fakt ky shqetësim sa ka filluar dhe pritet të marrë përmasa se fluksi pushuesve dhe turistëve sa ka filluar, për mos të thënë që nuk duken shenjat fare. Një shqetësim tjetër që ngrenë specialistët dhe inxhinierët hidrolog, është në lidhje me këtë investim madhor të rikonstruksionit të ujësjellësit të Bashkisë se Re të Sarandës, rikonstruksion i cili do të përmirësojë në mënyrë të dukshme furnizimin e popullatës, por nuk do të zgjidhë problemin. Pse ky investim me këtë kapacitet prurje uji të bëhej në pikat e furnizimit të Navaricës dhe Vrionit, kur dihet që Vrioni punon me pompa dhe del me kosto të lartë? Pse nuk u bë tek syri i kaltër kur parametrat e standardeve të kërkuara për konsum të ujit janë të përafërta dhe garanton furnizim të plotë me ujë të pijshëm të popullatës. 

Janë thjeshtë interesa të deputetëve apo ish deputetëve të lidhura me investimet që mbajnë peng Sarandën të vuaj nga thatësira dhe etja sezonale dhe verbojnë syrin e bukur, syrin e kaltër, të shikojë Sarandën. Saranda është në mes të lumenjve që shumëkush do ta kishte zili, por zilia korruptive e pushtetarëve për të pasur xhepat e tyre plotë, krijon këtë situatë. Qytetarë dhe specialistë të kësaj fushe mendojnë se pikfurnizimi i këtij projekti që pritet të fillojë në muajin shtator, pas ndërprerjes për sezonin turistik, të rishikohet për futjen e syrit të kaltër duke përmendur edhe një përvojë të para disa viteve të një projekti italian që donte ta merrte ujin e syrit të kaltër dhe Bistricës, të furnizonte Sarandën dhe fshatrat e bregut deri në Vlorë me ujë dhe pjesën tjetër ta çonte në Itali. Nuk u lejua nga xhelozia edhe ky zbatim projekti. Po sot ka ardhur koha të shikohet qartë ky investim që të mos shkojë gjysma në det së bashku me ujin e lumenjve ujëkulluar të Sarandës dhe gjysma në portofolat e xhepmëdhenjve.

Agron MEMA
Sigal