“Kur shkruante romanin “Plaku i Butkës”, ne ecnim të gjithë në majë të gishtave”

797
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Ermira Godo: “Sa herë tentoja të vija dorë mbi librin, kthehesha mbrapsht”   

Para disa ditësh në ambientet e Akademisë së Shkencave u promovua ribotimi i romanit “Plaku i Butkës” i Sabri Godos. Në këtë promovim merrnin pjesë pjesëtarë të familjes, shkrimtarë, akademikë, poetë, intelektualë dhe shumë gazetarë. Në lidhje me këtë roman kaq interesant për “Telegraf” zhvilluam këtë bisedë me vajzën e tij, Ermira Godo.

Para disa ditësh u promovua ribotimi i romanit “Plaku i Butkës”. A është ky një ripunim i romanit të botuar më 1966-n?

Ribotimi i “Plakut të Butkës” qe për ne një lajm i  mirë. Të qenit me tim atë, tek e rilexoja librin për ta redaktuar, më krijonte prehje. Por njëkohësisht dhe kjo është disi e çuditshme ta pohosh në moshën time, po zbuloja shtresa të hershme  të tij. Deri në mes të librit, ai kish lënë shënime të shkruara dhe kish krasitur pa mëshirë, faqe të tëra. Qe rikthyer tek njerëzit, për të cilët kish shkruar, sepse për të, ky nuk qe një libër e aq. Ata kishin qenë njerëz me një jetë e një vdekje të jashtëzakonshme. Nga faqja 200 e mbrapa, nuk kishte asnjë shenjë. U ndjeva keq. Sa herë tentoja të vija dorë, kthehesha mbrapsht. Ishte një botë, tek e cila nuk mund të hyje si një shkrues i thjeshtë. Dhe i dhashë karar ta lija pothuaj ashtu siç qe shkruar para 50 vjetëve. Kështu them se libri është i një djali dhe një plaku njëkohësisht.

A e mbani mend si ka punuar i urti Godo për këtë roman?

Kur im atë shkruante “Plakun e Butkës”, nuk ishte “i urtë”, ishte ende një djalosh. Atëkohë në shtëpi bëheshim kallaballëk, por ne ecnim të gjithë në majë të gishtave. Sidomos mundohesha të mbaja urtë Anilën, time motër, që ishte gjithnjë zhurmëmadhe. Ne flinim të katër në dhomën lart. Zakonisht, ai shkruante ndenjur mbi një krevat hekuri të ulët dhe më dukej se ish tërë kohën i mërdhitur. I ka pëlqyer gjithnjë zjarri, por më duket se s’arriti tërë jetën të ngrohet tamam. Ime më hiqte keq të mbante rregull, se nuk duhej t’i preknim letrat e tij, të shpërndara gjithandej. Ai shkruante shpejt dhe në fund të rreshtit nuk i ndante kurrë fjalët në rrokje, duke i harkuar e zgjatur, si të kish frikë se i këputej filli. Herë-herë fiksonte sytë diku, si të mbahej në një pikë përtej boshllëkut të dhomës. Pastaj, (më duket se të dielave), ja diktonte hallës time, që shtypte në një makinë shkrimi “Olivetti”, me breshëri të shpejta e të shkurtra. Bariste nëpër dhomë me hap të avashëm dhe mbante këmbët e ngrinte zërin kur thoshte: “Pikë. Kryeradhë”.

Çfarë mbresash dhe detajesh jetësore mbani nga ajo kohë?

Nga ajo kohë më vijnë ende në sy fytyra të dashura të familjes Butka, me të cilët lidheshim në shumë krahë. Burra të pashëm të gjithë sybojëqielli dhe zonja të ëmbla me zë të butë, që ju thërrisnim “hallo”. Pastaj Xha Hyseni (Zaloshnja ) me vetullat strehë mbi sy, që ju thoshte të tërëve “bir i babait”. Flitej tërë kohën për Sali Butkën. Një ditë, dikush solli në shtëpi ca foto të vjetra të Sali Butkës e luftëtarëve të tij dhe ata për mua zbritën në tokë. Ishin njerëz të vërtetë. Më dukej sikur Sali Butka vinte rrotull nëpër dhoma dhe na ruante me syrin e vëngër si të kish një dritë të bardhë në të. Kur libri u botua, unë  isha 12 vjeçe. E kisha jetuar atë pjesë-pjesë.

Kryevepra e tij mbahet romani historik “Skënderbeu”, për dikë tjetër “Ali Pasha”. Ku e ka vendin “Plaku i Butkës”?

Sigurisht këto që përmendët, janë kryeveprat e tij. Por “Sali Butka” është shkruar nga një i ri me zemrën peshë dhe trurin të nxehtë. Edhe pse është munduar ta shtrojë penën, shpesh autori mezi përmbahet të thotë të tijën. Sali Butka është një figurë e rrallë. Atdhetar, vjershëtor, luftëtar, prijës e politikan. Por do të doja të tërhiqja dy gjëra, për të cilat them se e vlen ta mbash këtë libër në duar. Është tronditëse, mënyra se si Sali Butka i qeveriste njerëzit e tij, duke i mbajtur të mbledhur grusht, duke marrë për ta  vendimin e duhur në çdo moment. Ai përgjigjej me kokë për familjen e tij, që shtrihej më pas tek fshati, miqtë, çetat e luftëtarëve e tek Shqipëria. Këta njerëz, janë të lindur strumbullarë, rreth të cilëve lidhen fijet e jetës së njerëzve të tjerë. Ndoshta prandaj  edhe për Sabriun kjo figurë ishte aq e afërt. Sigurisht ai nuk do ta kish aprovuar këtë që po them. Por një vajzë i falet kur mburret me babain e saj. Në kohë të ndryshme e në shkallë të ndryshme, njerëzit kanë kthyer sytë nga këta burra sa herë kanë qenë në udhëkryq.

Mendohet që ky roman do të rrinte mirë edhe në bibliotekat e shkollave?

Them se të rinjve u pëlqen të lexojnë historinë e gjyshërve të tyre. Do të dëshiroja që këta gjyshër të ndritur të mos kujtohen vetëm në përvjetorë, kur ndjenja e patriotizmit nxitet me valëvitje flamurësh, si një detyrë për t’u bërë. Ata kanë të thonë shumë edhe pas vdekjes. Duhet t’i njohim e të dimë ç’kanë bërë.

A ishte i rreptë Sabri Godo me fëmijët dhe cili ishte ndëshkimi më i madh që ju jepte?

Ne bënim çmos që të mos na qortonte. E vetmja gjë që kërkonte ishte të thoshim gjithnjë të vërtetën. Nuk ishte dhe aq pak. Dënimi më i rëndë: Nuk na fliste “që të mendoheshim vetë”. Dhe kjo mund të zgjaste.

Cilët ishin miqtë e tij më të mirë dhe si i mbante lidhjet?

Të bërit miq ishte aftësia e tij, pa kufij. Miqësinë e ushqente me durim, duke vënë çdo ditë diçka nga vetja. Nuk dorëzohej edhe kur zhgënjehej. Falte gjithnjë, duke u munduar të justifikonte natyrën njerëzore dhe duke kërkuar, ku kish gabuar ai vetë. Ishte disi i tepruar besimi i tij se njerëzit doemos do të ktheheshin tek miqësia e vjetër, si në një liman qetësie.

Për ju i urti Godo mbahet mend më shumë si shkrimtar apo si politikan?

Mendoj se mbahet mënd më shumë si njeri. Për dikë si politikan e për dikë si shkrimtar. Varet nga koha me të cilën ka pasur të bëjë me njerëzit.

Cilat ishin cilësitë e të urtit Godo në aktivitetin politik?

Nuk ngutej kurrë. Shihte përtej dhe thoshte atë që mendonte edhe me koston që njerëzit  të mos e aprovonin apo ta kritikonin. Por ka ndodhur gjithnjë që njerëzit janë kthyer tek fjala e tij.

Largimi i tij nga politika ishte shumë dinjitoz, e mbani mend ditën e dorëheqjes si politikan?

Nuk e mbaj mend, se na u duk një gjë normale. Nuk hoqi dorë nga politika. Ai u morr me politikë deri në çastin kur u largua përgjithnjë. Në një vizitë që Kryeministri Berisha i bëri ditët e fundit në Sanatoriumin e Tiranës, babai gjeti momentin t’í thoshe se duhej t’i shtonte rrogat atij personeli të mrekullueshëm. Ai thjesht u tërhoq nga një post drejtues, duke besuar se dikur duhet t’u lirohet rruga njerëzve që vijnë pas e që rendin më shpejt.

A e ndjeni mungesën e babait?

Në çdo hap. Edhe pse mund të dukem patetike, sepse vdekja e tij në fund të fundit ishte e natyrshme. Për shumë kohë na dukej sikur kishim humbur pikën, ku kthenim kokën.

A keni ndonjë peng në marrëdhëniet me babanë?

Po. Kam një peng në lidhje me vdekjen e tij. Nuk ishte në dorën tonë ta mbanim akoma në jetë. Veçse një gjë që nuk do ta zgjidh kurrë. Ka të bëjë pikërisht me gjashtë muajt e fundit të jetës së tij, kur u diagnostikua me tumor në mushkri. Nuk ja thamë  krejt të vërtetën, që të mos refuzonte mjekimin në Itali. Kishte ditë kur shpresa për jetën i ndriste fytyrën dhe merrte një fuqi të habitshme. Të ushqeje me shpresa të kota një njeri si ai, ishte e dhimbshme deri në palcë. Por ai i kuptoi shpejt orvatjet tona. Mbase dhe është fyer, por me siguri na ka falur, duke e pranuar sjelljen tonë si të natyrshme. E përballoi fundin me qetësi, duke u shtirur sikur vërtet besonte në shërimin e tij e duke kërkuar të dëgjonte here pas here, “Amazing Grace”, muzikën që qe munduar më kot gjithë jetën ta këndonte nën zë.

Keni ndonjë peng në jetë?

Shumë. Mund të them që jam rob i pengjeve. Shpesh kam harxhuar më kot kohën time për njerëz e për gjëra që s’ja vlenin, duke ju marrë kohën njerëzve të mi të dashur. Shpesh vendimet i marr me vonesë, kur nuk vlejnë më. Dhe më duket gjithnjë sikur kam lënë diçka pa bërë. Së fundi, një peng që ndoshta s’ka të bëjë fare me këtë intervistë: Nuk kam mësuar kurrë muzikë, sigurisht do të kisha gjetur paqe më lehtë.