Kujtim LAME/ Unikali Enver Cakaj

    530
    Sigal

    Nuk është rastësi që Enver Cakaj të merrte përsipër redaktimin e librit “Muzeu i fisit tim”. Ne kemi një njohje të hershme, që fillon atëherë kur erdha me transferim nga Poliçani. Detyrat funksionale nuk na patën lidhur për së drejti, por në këtë qytet të vogël je i detyruar t’i bësh miq të gjithë, sepse takohesh me dhjetëra herë në ditë. Natyrisht Enveri ishte një njeri publik dhe e lidhte puna me të gjithë sektorët e rrethit, sepse pasqyronte tërë jetën dhe veprimtarinë e rrethit. Unë nuk e harroj kur ky njeri me atë ngarkesë dhimbjesh nga sëmundja, u ngjit në Boshar të Kulmakut e shkroi për aksionin që po bënim me rininë për polifitet. Ky njeri shëndetlig nuk përtoi të ngjitej në Ostrovicë, Qafën e Martës, Gropa e Priftit, Taroninë e në gjithë Skraparin për të shkruar ato reportazhe aq të bukura që na kanë mbetur në mend. Nuk mund ta harrojmë atë reportazh që shkroi për aksionin e Bogovës, ku kishin ardhur të rinj nga rrethe të tjerë për t’i kthyer ato pllaja në kullota. Mbase nuk do të besoni, por Enver Cakaj është unikal edhe në një pikë tjetër. Ai ka vetëm katër klasë shkollë dhe ka botuar 24 libra të gjinive të ndryshme, veç 12 të tjerave, që i ka në shtëpi se nuk gjen sponsor. Njëherazi inteligjenca e spikatur e tij si dhe peripecitë me shëndetin, si një binom i padëshiruar i jetës së tij e tepër unikal, u bëmë palë familjarisht të interesimit të çdo njeriu në Skrapar e më tutje. Në këtë pikë Enveri mbetet si rast unikal, sepse jetoi e përballoi 27-vite kancerin, që të vdes edhe kur i dëgjon emrin jo ta kesh në trup.

    Mbiemri Cakaj dhe ky djalë nga ky fis i Osojës, më zgjoi kujtesën të cilën e pata dëgjuar që në vogëli, kur artikulohej në familjen tonë. Ishte një histori miqësie që nuk u trashëgua. Shkak nuk ishin të dy palët, por natyra e pamëshirshme ndaj njeriut. U ndjeva mirë për këtë djalë, që fliste heshturazi dhe ishte nga ai fis. Mbase kjo na afroi, që sa herë takoheshim shtrëngonim duart, por dhe përqafoheshim. Kam përcjellë dhe akumuluar brenda vetes respekt dhe vlerësim maksimal ndaj tij. Me kalimin e kohës këto marrëdhënie u bënë familjare. I jemi gjendur pranë njëri-tjetrit për çdo sebep. Ai me bashkëshorten e tij, Nexhmijen dhe djemtë e tyre, janë të veçantë, tepër dashamirës, model i thjeshtësisë dhe edukatës qytetare e familjare, me cilësi dhe virtyte që joshin sinqeritet, miqësi dhe mirënjohje. Një familje tepër e kujdesshme që imponon vëmendje respektimi. Enveri është shumë njerëzor, natyra dhe formimi i ka dhuruar thjeshtësinë e njeriut modest. Dëgjon e respekton më shumë se sa sugjeron. Më shumë kërkon të blejë se sa të rrëfejë. Mbase kjo ja ka  plotësuar atë boshllëk që i la mungesa e shkollës nga shkaqet e sëmundjes së gjatë e të rëndë. Ai është i lindur nga natyra, i prekshëm dhe i ndjeshëm ndaj padrejtësive dhe fenomeneve sociale, shoqërore e shtetërore, por edhe ndaj atyre shembujve pozitiv, që kërkojnë publikim. Ka 50 e ca vite që krahas mjekimit në disa spitale, shkruan pa reshtur dhe pa asnjë shpërblim. Duhet të kesh një vullnet të mbinatyrshëm, që të përballosh sëmundje dhe detyra të tilla. Siç kam mundur të mësoj nga bisedat e lira më Enverin, ai e ka ndjerë veten më keq, jo nga ajo sëmundje jetëmarrëse, por kur shkoi në Budapest dhe kishte marrë një libër për ta shkruar, e nuk mundi. Kuptohet që, ai ishte drejt fundit të jetës, por ndërhyrja e mjekëve hungarezë dhe vullneti i tij e kthyen në gjendjen normale. Sëmundja e pamëshirshme nuk e la të ulej nëpër auditorët arsimore për të studiuar degën që preferonte, por ai gjeti një mënyrë tjetër që të arrinte atje ku donte. Uli kokën mbi libra, ku u formua si gazetar e punonjës shteti nga të cilat u specializua e formua si njeri e gazetar. Gazetaria është degë e vështirë, sepse askush nuk dëshiron që ta cenosh edhe kur është në rrugë të gabuar. Por Enveri kishte vetëm një synim kur ulej e shkruante. Nuk godiste individin, por fenomenin. Nuk kanë qenë të pakta debatet që ka patur me strukturat dhe personat që ka kritikuar,por asnjëherë nuk ka qenë i gabuar. Këtë e tregon fakti, se të gjithë ata që ka kritikuar ai i ka shokë e miq dhe kurrë nuk ja kanë mbajtur kokën mënjanë. Ai ka aftësi përkushtimi që s’ndjen ngopje për të zhbiruar fenomenin deri në palcë ku fshihet misteri. Me kuraje dhe autoritetin e përgjegjësisë kërkon ndaj vetes të nxisë frymën e sensibilitetit. Me shkrimet e tij ka mundur të zgjidhte disa probleme që pengoheshin nga burokratë e të paaftë. Për të kërkuar të vërtetën deri në rrënjë nuk ka përtuar të qartësojë e durojë me ditë e muaj të tërë deri sa ka kthyer në vend qetësinë e tij dhe të personave ose strukturave që akuzoheshin. Kurrë nuk ka pranuar porosi për të sulmuar njërën palë për të përfituar tjetra. Për gjithçka që kë shkruar i ka bërë me bindje e ndërgjegje të plotë. Kontaktet me shumë njerëz dhe bazat e informimit që ka krijuar në gjithë rrethin,ia kanë lehtësuar punën për gjetjen e temave. Të gjitha faktet ai i ballafaqonte me realitetin dhe është ulur të shkruajë kur është bindur për vërtetësinë e faktit. Është kjo arsyeja, që ai është unikal edhe për këtë, sepse asnjë nga shokët e tij në gjithë vendin nuk e shpuri deri në fund misionin e tij. Ata janë ndëshkuar për pasaktësira në trajtimin e problemeve. Shkrimet e Enver Cakajt janë problemore, përgjithësues, portrete e figura të spikatura, që lexohen me kënaqësi, por dhe zgjidhin shumë probleme. Kush i harron shkrimet e tij për Fuat Çelën, që ngriti në këmbë Shqipërinë dhe Kosovën? Enveri nëpërmjet shkrimeve të tij ka zbuluar elementë të mirëfilltë, që strukturat e shtetit dhe Partisë i kanë vënë nëpër detyra të rëndësishme. Në optikën e atyre që e kanë njohur dhe kanë lexuar temat e shkrimeve të tij,ai mbetet një zë i fuqishëm, një tribu, që talentin e tij ja ka kushtuar artit të të shkruarit. Për këtë stil e kulturë të shkruari ai ka marrë qindra letra e telefonata nga lexues nga i gjithë vendi,të njohur e të panjohur. Ai ka një stil të vetin e pavarësi në të shkruar në të dy sistemet. Në sistemin e parë është kritikuar për këtë pavarësi,por asnjëherë nuk e ka grisur xhamadanin së faluri të tjerëve. Enveri është falur përpara faktit,ndërgjegjes ligjit, etikës dhe vullnetit për të pasqyruar të vërtetat dhe ja ka dalë. Përpara këtyre nuk ka njohur shok, mik, parti e individë. Enveri mëshiron një kulturë e perceptim të fenomeneve shoqërore të natyrës specifike në marrëdhënie me miq e shokë. Me të bëhesh shumë shpejt palë e vizionit të tij individual për ngjarje e vëzhgime,por në të diktoftë për ndonjë mashtrim, nuk hyn në konflikt, por të kthen kurrizin. Kjo është mënyra më e mirë për ta bërë tjetrin që të vrasë mendjen,se përse ai i mënjanon. Ai ka një dhunti e urtësi,që të mbush mendjen me fakte në shkrimet e tij,nga të cilat nuk lëviz dot. Është armik i mburrjeve dhe i zbulon fenomenet heshturazi. Ai shkruan në atë mënyrë,që të jenë të dobishme dhe kuptueshme për të gjithë shtresat e lexuesve. Enveri radhitet në ata krijues skraparas, që siç thotë Gëte: “Njerëzve të ditur edhe kur gabojnë, përpara se t’u bëjnë kritikë, duhet t’u përulemi me respekt”.

    Si gazetar ka botuar me mijëra shkrime të gjinive të ndryshme për të gjithë sektorët dhe individët  që e kanë merituar të publikohen. Në shkrimet e tija nuk ka bërryla edhe pse atij janë përpjekur t’i vënë. Enver Cakaj nuk mund të rrijë asnjë ditë pa shkruar e lexuar, sepse kjo do të ishte një vrasje pa plumba. Ku dihet sa herë është ngritur natën për të hedhur në letër ato që i janë kujtuar dhe sa të tilla i ka gdhirë. Ai e quan fatkeqësi, që shtypi i sotëm, ka ngarkesa politike dhe imoraliteti, shpifje dhe frazeologji boshe, që nuk i duhet askujt. Asnjë gazetë nuk u referohet problemeve shqetësuese të popullit dhe në veçanti fshatit, që është lënë si të mos jetë pjesë e Shqipërisë. Enveri sapo dëgjonte një fakt të rastësishëm, kërkonte hollësira dhe e pasqyronte në çast në faqet e shtypit. Duke punuar për këtë libër, ai diktoi që unë kisha gërmuar për floririn në zonën e Tomoricës dhe, pasi mori shpjegime, e dërgoi menjëherë në shtyp. Kështu ndodhi edhe me shtëpinë bazë lufte të Qerim Lames. Pa pyetur asnjë nga familja ime, diku ndeshi në materiale të publikuara e të paditura dhe materiali i mbledhur i kishte pëlqyer prandaj e publikoi në shtyp. Pas këtij shkrimi unë i pata treguar, se po grumbulloja materiale për hartimin e këtij libri. Ai studioi pjesën e përgatitur nga unë dhe më inkurajoi të vazhdoja duke marrë përsipër redaktimin e librit. Kjo më dha forcë dhe bëra këtë që po ua shfaq në prag të ditëlindjes time. Ishte fundi i tetorit 2013 kur unë i shfaqa dëshirën Enverit për ta redaktuar librin. Nga dita që filloi nga puna më bëri përshtypje jo vetëm gatishmëria, që nuk i ka munguar kurrë, por ai njeri nuk u ndje i lodhur kurrë dhe vinte çdo ditë tek unë për të marrë matëriale. Ai më nxiti për të futur në libër të gjitha ngjarjet e spikatura,problemet e punës e marrëdhëniet me shoqërinë. Prandaj nga ky çast nuk kam reshtur për çka e ndjeja se duhej pasqyruar. Natyrisht kjo kërkoi kohë sepse në moshën 14-vjeç unë isha larguar nga vendlindja dhe disa gjëra nuk i dija. Edhe unë nuk kam fjetur disa net për ta plotësuar  këtë libër. Çdo ditë e natë shkruaja, sa kur ngriheshin fëmijët natën e më shikonin të kërrusur mbi tryezë, shqetësoheshin mos kisha ndonjë problem me shëndetin. Unë shkruaj e dorëzo, Enveri redakto e sugjero dhe kur e donte puna i kuronte. Faleminderit, o djalë i Cakajve, që ngacmove çelësin magjik të përgjumur të fisit të Lamajve!