Kujtim DASHI/ 70-vjetori i poetit të shquar Ndoc Gjetja

    738
    Sigal

     (9 Mars 1944-7 Qershor 2010)

     Ndoc Gjetja bën pjesë  ndër ata lirikë të fillimit të viteve ’70 të shekullit XX, kur me një plejadë të tërë poetësh, të paraprirë nga Kadare, Agolli, Arapi etj., siç është thënë, nisën të shkruanin ndryshe, në një mënyrë më humane, më meditative, më figurative, jashtë normave dogmatike të kohës, himnizimeve të thata dhe patetizmit, duke përçuar në indet e poezisë limfën e jetës. Ai, si një  poet me ndjenja delikate, të cilat i japin poezisë një bukuri të rrallë dhe freski rinore, duke futur natyrshëm në poezinë e tij  përmasën ekzistenciale, universale e filozofike dialogon me lexuesin, me një gjuhë të thjeshtë e njerëzore, gati biblike. Disa nga vjershat e tij të kësaj natyre, duke i thënë shpesh i pari,  fisnikërisht e me guxim këto të vërteta universale, krijuan një klimë të veçantë në poezinë tonë, që me origjinalitetin, thjeshtësinë e frymën humane, fituan përmasa e famë që shpesh e tejkalonin vlerën e tyre të mirëfilltë si dhe, ajo që është më e rëndësishme, krijoi pasuesit e saj, siç ngjet me prekursorët.

    Krijimtaria, ose “shpirtësia” e Ndoc Gjetjes e krijuar përgjatë më se katër dekadave, në të vërtetë, nuk është shumë e vëllimshme, por siç e ka vënë në pah me të drejtë personaliteti i shquar i letrave shqipe dhe miku i tij, Petro Zheji, ai, “në çdo poezi i bie bukur tastierës së humanizmit”. Poezinë e vërtetë e lind përjetimi i thellë. Kësisoj poezia e N.Gjetjes, përmban fillesat dhe zhvillimet e një poezie të një lloji të veçantë, me origjinalitet të spikatur. Ky individualitet poetik, në mënyrën e kapjes dhe logjikën e mprehtë në trajtimin e dukurive, synon të hyjë në thelbin e dukurisë e të japë përfundime gjithmonë poetike Ai u dallua për intonacionin origjinal e deri diku kritik, për kurajon e metaforës dhe për një lloj refuzimi, i cili doemos duhet të minimizohej si një formë refuzimi ndaj “burokracisë” dhe “meskenitetit”, ndërkohë kur poeti kurrsesi nuk mund të ngushtohej brenda një “fronti” të tillë. Ai është racional, një poet me ndjeshmëri të lartë, që realizoi poezi të mendimit e të ndjenjës, larg artificave letrare, përdorimit të figurave parafabrikate e pozave të shtira. Në poezitë e tij lëviz jeta dhe hijedritat e kohës.

     Poezia e Gjetjes shpesh herë ka natyrë psikologjike, është e thjeshtë dhe pa befasime në formë, me ide origjinale, me nëntekste që realizohen përmes konkretes, duke zgjidhur kështu më drejt e më natyrshëm nga shumë kolegë të tij, atë që mund ta quajmë komunikim i poezisë me një lexues sa më të gjerë. Poezia e tij është e çiltër, e ngrohtë, e thjeshtë dhe e thellë në mesazhet filozofike e universale që përcjell, sidomos në vëllimet poetike “Dhjata ime” dhe “Biri i njeriut”; ajo shquan për atë që është quajtur rebelizëm fisnik, për elokuencën jotribunale, njeridashjen plot dhembshuri, humorin dhe ironinë e hollë. Nën cipën e rrëfimit të qetë e të shtruar që ecën si me ritmin e një vale të patrazuar, në shumë vjersha mbarten edhe tallaze të papritura nëntekstesh të fuqishme të cilat të mbeten në kujtesë për shumë kohë. Ndoc Gjetja parapëlqen përdorimin e një fabule, apo më mirë të një mikrofabule që shërben si skelet, si mjet artistik mbi të cilin shtrihet mendimi, i cili, përgjithësisht jepet në mënyrë të koncentruar në vargjet e mbylljes. Poezia, zakonisht, fillon në mënyrë tregimtare, me vargje të matura, me figura të qeta, me një ritëm të shtruar, si të bashkëbisedonte me ndonjë udhëtar, që e ka ndeshur diku rrugës. Kjo vazhdon pothuaj deri në përfundimin e të thënit të mikrofabulës për t’i lënë vendin përfundimit poetik, i cili, sipas vetë natyrës së të shtruarit të vjershës, nuk vjen në mënyrë të bujshme, por thuhet me qartësi dhe qetësi. Qartësia, thjeshtësia e shprehjes dhe fryma popullore është një tipar i qenësishëm i poezisë ndocgjetjane. Ajo, në dukje është e qetë, e shtruar e, disa  herë, të ngjan konstatuese, ose e zakonshme saqë me vete thua “Si mund të buisë poezia mbi këtë fakt a detaj, të cilin e kam vënë re me dhjetëra herë?”. Ajo nuk është spontane dhe e vrullshme as në brendi, as në formë, nuk të “rrëmben” si krijimet e disa poetëve të tjerë me shpërthime të fuqishme, ritmikë imponuese dhe figuracion impresionues. Megjithatë, poezia e Gjetjes të përfshin natyrshëm në përjetimet, mendimet e shqetësimet e autorit, i cili, si në një bisedë intime, nisur zakonisht nga një ndodhi a  shprehje e rëndomtë, të duket se nuk ka qëllim tjetër veçse të tregojë, të përshkruajë, të parashtrojë një mendim a të hedhë në letër një mbresë. Idetë dhe tendenca në këto poezi burojnë natyrshëm prej motiveve, këndvështrimit dhe patosit qytetar realist. Vjershat e Ndoc Gjetjes përshkohen, hera-herës, nga një tension i brendshëm dramatik, i cili rrjedh nga dashuria dhe konsiderata e lartë që ka për njerëzit e fatet e tyre, nga dëshira për t’ia parë ato të bukur në gjithçka e të lartësuar mbi çdo ves e poshtërim. Poeti e përqendron shikimin, veç të tjerash, dhe në shfaqjet e dyzimit e të tjetërsimit të personalitetit. Të menduarit rreth vjershës që sapo ke lexuar është një kërkesë që të bën autori thuajse me secilën poezi, ashtu siç na qëllon të shfletojmë një album familjar.

    Poezia e Ndoc Gjetjes  e ka  si pjesë të vetes edhe një humor të këndshëm e fin, i cili shfaqet aty-këtu në trupin e vjershës me një varg a gjendje dhe të bën të ndalesh një çast e të vësh buzën në gaz. Ky element, i mbështetur e i asimiluar nga Poeti prej traditës së trevës, ashtu si dhe Fishta, e bën poezinë e tij më realiste e më komunikuese. Prandaj do të thonim se prania e humorit aty është provë shëndeti. Ndërkohë është edhe mjet i autorit për ta bërë më efikase goditjen e asaj që ka vënë në shenjë, për ta përcjellë me humor një rrethanë, situatë, ngjarje apo dukuri. Kështu që humori bëhet vlerë e vetvetishme e tërësisë së poezisë.                                                                            N.Gjetja i vë rëndësi përdorimit të saktë dhe me peshë të fjalës, duke  e vlerësuar fjalën si “ai mjeshtri gurgdhendës gurin e mermertë”. Ai përdor në përgjithësi një fjalor e sistem figurativ të pasur, të qartë e të kapshëm. Thjeshtësia e figurave dhe forca e tyre e brendshme ushtron ndikim në zgjimin e emocioneve dhe në transmetimin e ideve te lexuesi. Forcën e komunikimit e japin jo vetëm përfytyrimet e gjalla të realitetit, por edhe mjetet e shprehjes, figurat stilistikore, metaforat, krahasimet, antitezat, elementet e sintaksës poetike që përdoren mirë dhe e bëjnë poezinë të komunikueshme dhe emocionale, mbresëlënëse.

                                                                                        Kujtim Dashi

    _________

    Fragment nga monografia e K. Dashit “Të krijosh si të krishtërosh, Thellësia e thjeshtësisë, sipas Ndoc Gjetjes”

    O kohë tranzicioni, kohë bishtëdhelpër!

     

     

    Autoportret

    Vendbanimi:

    Në Lezhë me trup dhe mendjen emigrant në yje.
    Profesioni:

    Thurës ëndrrash dhe mbrojtës besnik i tyre.
    Gjendja sociale:

    Mbetje teknologjike e administratës shtetërore se nuk diti t’u japë

    përkuljet e duhura eprorëve.
    Gjatësia:

    E mjaftueshme për të arritur një ditë mollën e ndaluar.
    Pesha:

    Sa vetja, sa ëndrra, sa fjala e thënë dhe e shkruar.
    Shenja të veçanta:

    Një pentagram rrudhash me nota trishtimi në ballë dhe një mjekër e

    thinjur nga moslejimi kaq vite i saj.
    Sytë:

    Kafe me nuanca të turbullta pasionesh të djegura.
    Ngjyra:

    E errët për fshehjen e skuqjes nga faje të lehta.
    Titujt:

    I dekoruar njeri qysh në ditën e lindjes nga nëna.
    Bindjet:

    Njeriun në jetë e bën të lumtur vetëm njeriu.
    Antipatitë:

    Burrat me grada, gratë me shumë tule dhe miu.
    Simpatitë:

    Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mançes dhe Buda.
    Frikërat:

    Shëndoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma.
    Besimi:

    Në kryqin e tij që e mban përditë në shpinë.
    Pasuria:

    Drita e mendjes me të cilën fitoi varfërinë.

    Tranzicion

    Që ditën që hymë në Ekonominë e Tregut

    Fituam lirinë e dëshiruar të shprehjes

    Por na u ngjallen edhe gjithë dreqërit

    Që na flinin brenda vetes.

    Nga njëra parti shkojmë e hyjmë tek tjetra

    Ç’themi në mëngjes e mohojmë pasdite

    Megjithëse jemi në zgrip të ekzistencës

    Bllaçisim si buaj intriga dhe shpifje.

    O zot na ruaj nga mendja e kokës

    Që sapo na doli nga kafazi i PPSh-së

    Mos na lerë të shkojmë drejt Evropës

    Si turma me sjellje shimpanzesh.

     

    Njëshit

    Në rendin e pafund të numrave të plotë
    matematikisht, ti je më i vogli
    por, ti papritur u bëre i madh
    në sajë të zerove që të shkojnë pas.

    Antarktida e shpirtrave

    Të njohurit, miqtë dhe shokët që deshe

    Kanë vënë të gjithë në fytyrë gazeta

    Hanë lajme politike dhe pastaj jashtëqesin

    Prejardhjen e tyre: Homo sapiensin.

    Verbërisht nxitojnë nuk e di për ku

    Antarktida e shpirtrave ka zbritur këtu

    Askush nuk ecën përkrahu me shokët

    Na duket sikur u lindëm nga fokat.

    Lexuesve të mi

    Tridhjetë vjet e shtrydha talentin

    Në njërën nga zyrat e shtetit monist

    Me këpucë të vjetra e përshkoja qytetin

    Dhe njerëzit i doja si Krisht.

    Dhe kam shkruar vjersha dhe ju e dini

    Sa e kam çmuar në vargje njeriun

    Meqenëse lotë s’lejonte atëherë regjimi

    Psherëtija në heshtje për fatziun.

    Në ditën kur erdhi demokracia e dashur

    Në palcën e gëzimit një pamje më theri

    Një ish spiuni im mori tesër të kaltër

    Dhe fliste nga tribuna si Robespieri.

    O kohë tranzicioni, kohë bishtëdhelpër!

    Si të ranë brakushet kështu poshtë këmbëve!

    Unë po shkoj të mbyllem në Manastirin e Vetes

    Deri sa të kryesh jashtëqitjen tënde.