Kujtim Cakrani: Pse “Kongresi i Lushnjës” nuk shpallet Festë Kombëtare?!

    83
    Ne shqiptarët festojmë shumë data historike, të cilat, për një motiv apo tjetër janë shpallur nga qeveritë në kohë të ndryshme, si festa zyrtare. Midis tyre ka madje edhe festa kombëtare në data përkujtimore të ngjarjeve krejtësisht të sajuara apo të modifikuara nga pseudo-historianët e diktaturës apo festa kombëtare për motive banale, si për shembull “Dita e Verës”. Këto janë kthyer në festa dhe ditë pushimi për gjithë administratën, por janë kthyer edhe në debate politike për vlerën dhe rëndësinë e tyre. Disa prej tyre as nuk njihen dhe festohen nga të gjithë shqiptarët. Data e vetme historike, që gjithë shqiptarët e njohin dhe e festojnë është data 28 nëntor, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Në rrugëtimin 104-vjeçar, si vend i pavarur, për Shqipërinë nuk ka qenë e lehtë për të mbërritur këtu ku jemi sot. Shqiptarëve u kanë dalë shumë pengesa të mëdha, madje vendit disa herë i është rrezikuar ekzistenca dhe për këtë arsye patriotëve shqiptarë, me “Princërit” e tyre lokalë, iu është dashur të organizohen dhe të ngrihen, si ushtarakisht, ashtu edhe politikisht. Dhe lëvizjet e tyre çuan në një ngjarje të shënuar, me rëndësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Kjo ka ndodhur në 21 janar 1920. Në këtë datë në zemër të Myzeqesë, në qytetin e Lushnjës u mblodhën patriotët, ndoshta më të zjarrtët, të cilët, si më 28 nëntor 1912, u ngritën në lartësinë e kohës për të marrë në dorë fatet e kombit, sepse Atdheu ishte në rrezik.
    Por, cilat ishin kushtet e Shqipërisë në atë kohë, që 21 janari u bë datë-simbol dhe e paharrueshme për gjithë shqiptarët sot? 
    Nëse shohim hartën e vitit 1920 do të vëmë re se Shqipëria nuk ekzistonte; prej kohësh shqiptarët nuk e kishin më nën kontroll vendin e tyre. Në Shqipërinë e asaj kohe kishin ardhur dhe ushtronin autoritetin e tyre shumë ushtri të huaja, duke e kthyer këtë vend në një pazar për interesat e tyre. Patriotët e kohës, nga të gjitha krahinat e vendit, të shqetësuar për këtë gjendje ku ndodhej Atdheu i tyre, në prag të një copëtimi të mundshëm të tij, në konspiracion të plotë vendosën të mbanin një kuvend. Në rrethanat e kohës nuk ishte aspak e lehtë një organizim në formën e kuvendit, sepse autoriteti i vendosur prej pushtuesve në të gjithë vendin e bënte të pamundur mbledhjen dhe mbajtjen e tij. Megjithatë, burrat luftëtarë dhe politikanët e sprovuar, me vendosmërinë dhe trimërinë e tyre, të cilën e kishin treguar edhe më parë, duke mos marrë parasysh as vdekjen, vendosën që kjo mbledhje të mbahej medoemos, sepse koha nuk priste, Atdheu po i thërriste! Por, duhej gjetur vendi. Lushnja ishte vendi i duhur, në atë kohë, ishte qyteti i vetëm që mund të quhej i “sigurtë”. Për ta bërë të mundur mbajtjen e kuvendit, nga pikëpamja e sigurisë së delegatëve, duhej patjetër edhe një organizim ushtarak. Tashmë për opinionin publik është i njohur fakti që, nga veriu Lushnja u mbrojt nga trupat e Ahmet Zogut dhe nga jugu, organizimin e mori përsipër Bektash Cakrani, duke caktuar në krye të trupave Mit’hat Aranitasin. Pas shumë ditë udhëtimi delegatët nga të gjitha krahinat e vendit u mblodhën. Shtëpia dykatëshe e Kaso Fugës u bë Parlament dhe Qeveri; aty u morën vendimet më të rëndësishme për të ardhmen e kombit. Vendimi i parë dhe ndoshta më i rëndësishmi ishte mosnjohja e asnjë qeverie dhe asnjë autoriteti tjetër në vend, përveç atij të dalë nga “Kongresi i Lushnjës”. Aty u hodhën themelet e parlamentarizmit modern, aty u projektuan institucionet e para të këtij vendi, aty u projektua si do të ishte Shqipëria moderne, fakt ky që koha e provoi, sepse institucionet e para demokratike që lindën aty, filluan të funksiononin, ndonëse mentaliteti, por edhe eksperienca vogël e shqiptarëve në këtë drejtim ishin sfida të mëdha. Kjo ngjarje historike shqiptarëve, me qëllim, iu është servirur e cunguar nga historiografia komuniste, sepse atë kuvend e projektuan dhe e realizuan patriotët që më vonë do të shpalleshin si “armiq të popullit”. Por, këta patriotë dhe kjo ngjarje historike nuk mund të lihet në harresë, sepse kuvendi i Lushnjës u preu në mes armiqve tanë ëndrrën e tyre shekullore për copëtimin e Shqipërisë. Kohët e fundit nga arkivat italiane kanë dalë shumë korrespondenca, që kanë pasur konsujt e tyre në Shqipëri ku në një prej tyre, konsujt italianë në Vlorë dhe Durrës shprehin shqetësimin e madh për zhvillimin e kuvendit të Lushnjës. Ja si e raportojnë ata këtë ngjarje për qeverinë e Romës: “Në një qytet në mesin e Shqipërisë, Lushnjë janë mbledhur burra me autoritet, që përfaqësojnë krahina të ndryshme të vendit. Ata nuk morën parasysh asnjë nga ultimatumet tona, por me një organizim ushtarak perfekt rrethuan qytetin, ku u mbajt kjo mbledhje dhe e ruajtën atë nga një sulm i mundshëm yni”. 
    Data 21 janar, deri në vitin 1944 ka qenë një datë që festohej me madhështi, po aq sa 28 nëntori. Në 21 janar mblidheshin në Lushnjë nga e gjithë Shqipëria, duke e festuar atë me madhështinë që i takonte, si datë historike. Në periudhën e diktaturës, data 21 janar nuk festohej më si festë zyrtare; regjimi filloi ta sfumojë me qëllim këtë datë historike, duke e përkujtuar atë vetëm me një ceremoni të thjeshtë, por pa përmendur asnjëherë protagonistët e kësaj date. Kjo praktikë vazhdon edhe sot. Në Lushnjë shkojnë disa politikanë-deputetë të radhës, që ndoshta edhe historikun e plotë të kësaj dite nuk e dinë mirë. Ka midis tyre që shkojnë të sforcuar dhe përpiqen ta paraqesin kuvendin e Lushnjës si ngjarje të dorës së dytë. Por, këta duhet t’i “mirëkuptojmë”. Politikanët e sotëm nuk e përballojnë dot peshën e atyre burrave patriotë, ndihen shumë inferiorë përpara tyre. Ata betoheshin në Zot dhe Atdhe, se do t’i shërbenin Kombit pa asnjë hile. Politikanët e sotëm nuk i përballojnë dot ata burra që Atdheun e ndërtuan me paratë e tyre dhe jo ta vidhnin, si bëjnë këta përditë. Parimi i tyre ishte: “çdo gjë për Atdhe, Atdheu mbi të gjitha”. 
    E pra, do të mjaftonte fakti që sot Shqipëria ekziston për shkak të atij kuvendi, që data 21 janar të ishte shpallur festë kombëtare. Turpi bie mbi palo-politikanët tanë.

    Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 20.01.2016