Kujt i intereson tejzgjatja e gjyqeve për pronat në gjykatat tona?

    462
    Sigal

    Në shumë rrethe të vendit prona private që në vitin 1991-‘92, u është kthyer pa përjashtim çdo trungu familjar të shpronësuar, sipas kufijve të para vitit 1945, me përjashtim të sipërfaqeve të tjetërsuara për nevoja publike dhe nuk ka pasur asnjë konflikt, po ashtu dhe shteti është në rregull me detyrimet kushtetuese. E drejta e pronës është shkelur brutalisht në zona turistike bregdetare. Shkaku është pangopësia e oligarkisë politike të të gjitha niveleve dhe e dy krahëve që u kultivua pas vitit ‘91 për të përvetësuar bregdetin. Kjo ka imponuar korrupsionin që vepron në Zyrat e Kthimit të Pronave, por edhe në gjykata, ku gjyqet për pronat, edhe kur janë të thjeshta, zgjasin me vite. Një shembull flagrant i mosfunksionimit të drejtësisë është kalvari i familjes Boçari. Kjo familje, në vitin 2008, ka hapur një gjyq për pronën e saj në Jonufër Vlorë, por gjyqi vazhdon të shtyhet dhe nuk dihet se kur do të mbarojë. Kujt i intereson tejzgjatja e gjyqeve për pronat, një fenomen që rëndon edhe mbi shumë pronarë të tjerë? Në rastin konkret, prona e familjes Boçari në Jonufër është truall në zonën turistike që para vitit 1991 ka qenë ish NB. Në zbatim të Nenit 2, pika 5 e Ligjit nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore” dhe sipas Nenit 3 në Ligjin nr. 57/2012 “Për përfundimin e procesit të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore”, trualli në Jonufër duhet t’i kthehet trungut familjar të subjektit të shpronësuar. Në dosjen gjyqësore avokati i familjes Boçari ka dorëzuar dokumentin e blerjes në 1929 dhe dokumentin e shpronësimit të të njëjtës sipërfaqe në vitin 1947. Palët e padituara janë: AKKP, që nuk është paraqitur asnjëherë në seancat e shumta gjyqësore në gjithë këto vjet. Palë tjetër janë dy shtetas nga të cilët njëri ka përfituar me një vendim të KKKP-së Vlorë të vitit 1997 një parcelë rreth 4000 metra katrore, si kompensim të tokës bujqësore që familja e tij ka pasur në fshat. Fakti që ai vendim me të cilin KKKP Vlorë ka kompensuar tokën bujqësore me tokë në zonën turistike, që i përket një familje tjetër, nuk ka bazë ligjore dhe është quajtur vendim NUL nga disa instanca, përfshi edhe prej Departamentit Antikorrupsion të Këshillit të Ministrave. Ky i fundit  me shkresën prot. 3358 datë 30.07.2008 i është drejtuar AKKP-së, ZRPP-së dhe institucioneve të tjera, por asgjë nuk është korrigjuar, ndonëse shkelja ligjore është flagrante. Shtetasi tjetër, po ashtu palë në këtë gjyq, ka përfituar sipërfaqe të madhe nga prona që i është shpronësuar familjes Boçari. Transferimi i pronës është bërë me vendim të AKKP-së. Prokuroria e Vlorës ka vërtetuar se ai vendim është bazuar në dokumente të pavlefshme dhe njëkohësisht duke e spostuar pronën në zonën turistike. Gjyqtarët që gjykojnë këtë çështje, prej më shumë se 5 vjetësh, i kanë përpara ligjet dhe dokumentet e paraqitura nga palët në proces gjyqësor. A është abuzuar prej gjyqtarëve në zvarritjen e këtij procesi, duke spekuluar me të drejtën e pavarësisë në procesin e vendimmarrjes? Ne nuk mund dhe nuk kemi të drejtë të bëjmë rrolin e gjykatës apo të prokurorit, por duket se diçka nuk shkon.

    Mjafton që gjyqtari t’i referohet Ligjit 8053/1995, duhej të përfundonte procesin në favor të subjektit të shpronësuar. Por, sa kohë duhet të zgjasë një proces gjyqësor civil, në gjykatën e shkallës së parë dhe kujt i intereson zgjatja pafund, ndërkohë që gjatë kohës së gjykimit, gjykata nuk urdhëron mbrojtjen juridike të pronës dhe nga ana tjetër institucionet e pushtetit lokal mbyllin sytë dhe lejojnë që aty të vazhdojnë të bëhen me dhjetëra ndërtime pa leje. Viktimat janë ata që nuk thellohen dhe kanë vepruar me mendimin se duke paguar nën dorë do t’i legalizojnë ndërtimet pa leje dhe do përfitojnë edhe tokën!  Dhe ALUIZN-i ka bërë disa shkelje të tilla flagrante. Është koha që rasti konkret i Gjykatës së Vlorës, të shqyrtohet me ndërgjegje profesionale, që të zbatohen ato që ligji dhe dokumentet i thonë qartë. Redaksia e gazetës ”Telegraf”, vazhdimisht ka qenë e angazhuar në mbrojtjen e parimeve bazë të shtetit ligjor. Në kërkesat për këtë rast konkret jemi larg standardeve Europiane dhe nuk po e përmendim fare Kushtetutën, por thjeshtë zbatimin e ligjit. Sfida e Qeverisë kundër korrupsionit dhe lufta për integrim duhet të fillojë me pronën. Nëse kjo situatë nuk do të menaxhohet sipas ligjit dhe nuk do të analizohet nga instancat eprore si rast demostrativ i krimit të organizuar për grabitjen në emër të ligjit, të pronës në interes të të tretëve, kësaj politike absurde do t’i vijë fundi me vendimet që do marrë GJEDNJ, drejt së cilës pronarët po drejtohen çdo ditë e më shumë.