Kujdes! Nevojiten mbi 5.830 euro në vit për të qëndruar në Itali, ndryshe në Atdhe

    449
    Sigal

    Të gjithë imigrantët që do të përtërijnë lejeqëndrimin, duhet të tregojnë se kanë të ardhura vjetore jo më të ulëta se çeku

    INPS përcakton shumën e re vjetore të çekut social për vitin 2015, që u paguhet nga shteti të moshuarve më në nevojë dhe është shumë referimi themelore edhe për praktikat e imigracionit, nga lejet e qëndrimit te bashkimet familjare

    – Edhe këtë vit rritet pak shuma e çekut social. Është ky një lajm i mirë për të gjithë të moshuarit që jetojnë me vetëm këtë të ardhur por edhe një informacion i dobishëm për të gjithë imigrantët.

    Siç shpjegon INPS në një qarkore të ditëve të para të janarit, këtë vit çeku social është 5.830,76 euro apo 448,52 euro për 13 këste, vlera e çekut social për vitin 2014.

    Çeku u takon shtetasve italianë, komunitarë dhe atyre jokomunitarë me kartë qëndrimi, me moshë 65 vjeç e 3 muaj, që jetojnë në Itali prej të paktën dhjetë vjetëve, dhe që nuk kanë të ardhura apo kanë të ardhura vjetore më të ulëta se vetë çeku.

    Edhe pse në të vërtetë janë relativisht të paktë të moshuarit e huaj që përmbushin të gjitha kriteret për të marrë çekun, ai është i rëndësishëm për milionë të huajt që punojnë e jetojnë në Itali pasi është kriteri bazë ekonomik që më shpesh përdoret nga ligji mbi emigracionin për të përcaktuar kapacitetin ekonomik e për rrjedhojë edhe të drejtën për të jetuar në Itali apo për të sjellë këtu familjen. Të gjithë imigrantët që do të përtërijnë këtë vit lejeqëndrimin, apo të kërkojnë lejeqëndrimin në BE për qëndruesit afatgjatë (karta e qëndrimit), për shembull, duhet të tregojnë se kanë të ardhura vjetore jo më të ulëta se çeku: 5.830,76 euro. Kush do të nisë praktikën për të sjellë në Itali bashkëshortin me bashkim familjar do të nevojiten të ardhura sa të paktën 1,5 herë çeku social, apo 8.746,14 euro.

    Edhe shtetasit komunitarë, nëse nuk kanë një punë, sidoqoftë, duhet të tregojnë të ardhura mujore të paktën sa shuma e çekut social për të qëndruar në Itali më gjatë se 3 muaj.

    *************

    Shkolla italiane: Më 15 janar nisin regjistrimet, edhe për bijtë e imigrantëve

    Gjithçka bëhet online, përmes faqeve internet të ministrisë së Arsimit. Mund të paraqesin kërkesën dorazi pranë shkollave vetëm ata që janë pa leje qëndrimi

    Nisin në mes të janarit regjistrimet për klasën e parë të fillores, të ciklit të dytë të tetëvjeçares dhe për vitin e parë të shkollave të mesme për vitin e ardhshëm shkollor. Edhe këtë vit gjithçka bëhet online. Duke filluar nga 12 janari, prindërit mund të regjistrohen në iscrizioni.istruzione.it, veprim i detyrueshëm edhe për ata që janë regjistruar njëherë vitet e shkuara, për të regjistruar në shkollë fëmijë të tjerë, për shembull. Por paraqitja e kërkesave do të nisë nga 15 janari, përmes të njëjtës adresë interneti, e kjo do të jetë e mundur deri më 15 shkurt. Nuk është e nevojshme të nxitohet, nuk vlen rregulli (i flukseve për shembull) “fiton kush arrin i pari”. Nëse ka më shumë kërkesa se vende në dispozicion, shkollat do të përdorin të tjera kritere vlerësimi përparësie që vendosen nga këshilli i institutit shkollor, si për shembull afërsia e shkollës me vendbanimin e nxënësit. Prindërit mund të shënojnë gjithsesi në kërkesë edhe dy shkolla “rezervë”, në rast se në shkollën e parapëlqyer nuk ka vende të lira. Arsimimi, për rrjedhojë edhe regjistrimi në shkollë, është i detyrueshëm për të gjithë, edhe për bijtë e imigrantëve, të rregullt apo të parregullt qofshin. Në rastin se prindërit imigrantë janë me leje qëndrimi, procedura online që duhet të ndjekin është e njëjta si për italianët. Madje regjistrimi është i mundshëm edhe nëse i mituri akoma nuk ka kodin fiskal, sepse mund të  jetë i sapombërritur me bashkim familjar, për shembull (sistemi do të gjenerojë automatikisht një kod të përkohshëm).

    Nëse prindërit nuk kanë leje qëndrimi në Itali, nuk mund të bëjnë regjistrimin online. Ata duhet të shkojnë personalisht në shkollën e zgjedhur për bijtë e tyre për të paraqitur kërkesën e regjistrimit. Mund ta bëjnë këtë gjë pa frikën e paditjes pranë autoriteteve të ruajtjes së rendit: në Itali e drejta e shkollimit të bijve të tyre është më e rëndësishme se lufta ndaj imigracionit klandestin.