Kudret Haziz Meta:Ju tregoj si u kryen votimet e para pas çlirimit të vendit

    482
    Sigal

    Intervista/ Flet për “Telegraf” veterani Kudret Haziz Meta nga Gramshi

    Ishte drekë dhe selia e PS-së ishte mbushur plot simpatizantë, të cilët brohorisnin dhe duartrokisnin me ovacione sa herë hynte apo dilte ndonjë deputet i sapozgjedhur nga votimet e 23 Qershorit. Në atë mori njerëzish më tërhoqi vëmendjen një i moshuar, i cili duartrokiste më fort se të tjerët. “Unë quhem Kudret Haziz Meta nga Gramshi. Jam veteran me katër plagë lufte. Për mua Shqipëria u çlirua sot për herë të dytë, me fitoren e socialistëve. Se unë kam qenë me Brigadën, kur është çliruar Shqipëria në ’44-ën, po fitorja e tanishme na gëzoi më shumë”, u shpreh veterani në intervistën për “Telegraf”. Më tej, gjatë intervistës,  z. Meta tregoi për takimet e tij me kryeemrat e politikës, për jetën e tij gjatë dhe pas luftës antifashiste. Si përvojë të veçantë, ai tregoi sesi janë zhvilluar votimet e para pas çlirimit të vendit, por dhe për ato që vijuan më pas.

    Pse keni ardhur këtu te selia e PS-së?

    Jo vetëm sot, po përditë këtu kemi ardhur dhe do vijmë, se këtu e kemi shpresën. Ne morëm fitoren , morëm gëzimin, por siç i themi ne pleqtë, se jam 85 vjeç unë, “hekuri rrihet me të nxehtë”, nuk është mirë ta lësh të ftohet. Po i zvarrite punët, përgatiten ata që s’na duan, prandaj duhet kujdes. Gjithmonë e kam pritur këtë ditë. Për mua Shqipëria u çlirua sot për herë të dytë, me fitoren e socialistëve. Se unë kam qenë me Brigadën, kur është çliruar Shqipëria në ’44-ën, po fitorja e tanishme na gëzoi më shumë. Se ne e çliruam, vuajtëm, e ndërtuam, ndërsa tani në fund fare, e komandonte tjetri.

    Kush është ky tjetri?

    Sala, kush tjetër. Kemi qenë në Pallatin e Kongreseve kur i thashë Salës: “Ti shan Enver Hoxhën? Ta shajë njeri tjetër, hajde më, po ti ke ngrënë në një çorbë me Enver Hoxhën”. Më në fund ia arritëm qëllimit ta heqim Salën nga pushteti. Kjo më gëzon pa masë, prandaj dhe jam këtu.

    Ti je i moshuar, ke luftuar për çlirimin e vendit. Nga të gjithë kohët që ke jetuar, kush ka qenë koha më e mirë?

    Unë mbaj mend që nga koha e Zogut, jam shkolluar në atë kohë. Shkollën dhe rregullat i kishte të mira Zogu, por na tradhtoi. Zogu mori floririn tonë, 11 valixhe me florinj, edhe iku. Fillimisht shkoi në Korçë te një deputet  i tij, e përzuri ai, se i tha që ti na paske vjedhur. E kështu iku Zogu, na mori floririn dhe na la në rrugë të madhe. Shkoi në Greqi, por nuk e qasën, as Turqia nuk e mbajti. Para se të ikte i tha popullit: Kur të vijë Italia, vini nga një perde të zezë dritareve dhe dyerve, se ne s’kemi fuqi ta luftojmë, por të paktën të mos thonë që i pritëm me lule. Pastaj erdhën fashistët italianë dhe më pas ata gjermanë. Unë luftova për çlirimin e Shqipërisë me në krye Komandant të Përgjithshëm, Enver Hoxhën. Ne, atëherë në kohën e luftës, shkuam deri në Mal të Zi, se na e ndalonte më tej Enveri, se thoshte “që po ti kalojmë kufijtë, duket sikur ne po e bëjmë luftën për kufij. Ne bëjmë luftë për çlirimin e vendit tonë, jo për kufij”. Pastaj ne fituam kundër fashizmit, e çliruam Shqipërinë. Vajti sa vajti mirë Enveri, deri kur Beqir Balluku erdhi e na mblodhi të gjithë komunistët dhe na tha që me urdhër të Enverit do të ndërrohet emri, nga Partia Komuniste do bëhej Partia e Punës, se “populli tani ka nevojë për punë” na tha. Disa gjeneralë donin dhe disa nuk donin, por ai bënte ligjin, pavarësisht se kishte nga ata shokët e vet që nuk e dëgjonin. Në fakt Enveri nuk zgjati shumë, ai ishte i vdekur i pakallur në dhe. Të gjithë flisnin në emër të tij dhe ne zbatonim urdhrat e tyre. Atëherë gjeje budallenj, se ishin pa shkollë, po sot s’ka më, s’gënjehet më njeri, sot e shohim dhe të gabuarën, dhe të drejtën. Ne kemi punuar shumë, se ishim dhe të rinj de, “rinia vullnetare”.  Enveri thoshte që rinia është vullkan, nuk e mban dot njeri. Prandaj dhe ne sot fituam, fitoi rinia dhe u them që atë që fituam sot, të mos e lëshojnë, por ta mbajnë fort.

    Më the, që në luftë ke marrë 4 plagë. Po shpërblimin për plagët e luftës e ke marrë?

    Në kohën e luftës, 4 veta shkuam nga shtëpia ime. Ata u plagosën, por nuk morën fitimet, kurse unë kam marrë. Fatos Nano u bëri thirrje të gjithë atyre që kishin plagë lufte të shkonin në Laprakë, në Spitalin Ushtarak dhe aty u kontrolluan të gjithë. Ata që kishin plagë lufte, Fatosi i shpërbleu. 1 600 000 lekë më ka dhënë, se kam 4 plagë unë.

    Fatos Nano, të paska dhënë lekë ty, ç’mendim ke ti për të?

    Unë nuk e shaj Fatosin, por ai bëri një gabim, tradhtoi të majtën. Fatosi ia dha qeverinë Saliut. I tha: “Unë do të vete të bëj plazh në Turqi, ti do marrësh qeverinë, se 6 deputetët e mi dhe do t’i jap ty, dhe kur të kthehem unë që andej, ti do të më bësh president”. Mirëpo, kur erdhi Fatosi nga plazhi, i dha dorën Salës dhe i tha të mbante fjalën. “Unë e mbaj fjalën, -tha Sala,- por kjo gjë është në dorë të socialistëve që të japin votën ty”.

    Po votimet si kanë qenë atëherë?

    Votimet e para pas çlirimit janë bërë në 2 dhjetor 1945. Atëherë duhej të votonim ose për Frontin Demokratik, pra për Partinë Komuniste, ose për Frontin Nacionalist, pra për Ballin Kombëtar dhe Legalitetin. Për mua këto votime nuk ishin të mira, unë kam qenë vetë në komision. Votimet bëheshin me kokrra dhe kishte 2 kuti, arka, për të dyja frontet. Ti duhej ta hidhje kokrrën ku të doje dhe kur të shkoje te komisioni, do hapje dorën për të vërtetuar që kishe votuar, pra e kishe hedhur kokrrën në kuti. Po kjo kishte një farë djallëzie. Po ta hidhte njeri kokrrën te kutia e Frontit Nacionalist, duke qenë se ishte bosh, do të dëgjohej dhe kështu shënohej emri i atyre që ishin kundra Partisë Komuniste. Kjo ishte jo e rregullt dhe unë e ngrija zërin, meqë isha komunist, po nuk të dëgjonte njeri. Për mua ky ishte gabim, se ata donin të merrnin vesh kush i donte dhe kush jo.

    Po më vonë, kur ekzistonte vetëm një parti, Partia Komuniste, si votonit?

    Atëherë, nuk shpëtoje dot pa votuar, të merrnin kudo që të ishe, të gjente policia, nuk linte njeri të mos votonte. Dhe nëse ishe sëmurë, ta sillnin kutinë në krevat. Votoje për delegatin dhe e hidhje votën në kuti. Atëherë kishte vetëm një emër, ti po të doje edhe nuk e votoje, por kjo nuk ndodhte, se quheshe armik.