Ku nuk duhet të gaboni në regjistrimin on-line, në universitete

    448
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Drejtori i Arsimit Parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu, për regjistrimin on-line

    Drejtori i Arsimit Parauniversitar, Fatmir Vejsiu, ka dhënë detaje për regjistrimin on-line që do të kryhet nga fituesit e Maturës Shtetërore. Këto detaje zoti Vejsiu i ka dhënë në një intervistë për “Telegraf”. Sipas tij, fituesit duhet të kenë kujdes në fazën e regjistrimit që të vendosin të dhënat e sakta dhe të vendosin nëse duan që të qëndrojnë në preferencën e parë që kanë fituar ose jo.

    -Zoti Vejsiu, pati një ndryshim të datës për shpalljen e fituesve, shkurtimisht mund të na thoni përse u bë ky ndryshim i datës?

    -Po si fillim data e shpalljes së fituesve të Maturës Shtetërore qe përcaktuar data 13 shtator, ndërsa data e nisjes së vitit të ri akademik ishte përcaktuar data 1 tetor, por me ndryshimin e mënyrës së regjistrimit të fituesve, këto data janë spostuar me rreth një javë. Kështu, MASH njoftoi se fituesit në universitete për herë të parë sivjet do të kenë mundësi të regjistrohen on-line në programin e studimit, pranë universitetit përkatës.

    -Regjistrimi on-line i fituesve për në universitete është një risi për këtë vit. Përveç regjistrimit on-line a do të pranohen regjistrimet jo on-line që mund të bëhen në sekretaritë e fakulteteve?

    -Fituesit në universitete për herë të parë sivjet do të kenë mundësi të regjistrohen on-line në programin e studimit pranë universitetit përkatës. Kjo do të thotë se maturantët mund të regjistrohen me anë të një kompjuteri që ka internet pa patur nevojën të shkojnë pranë sekretarive mësimore të universiteteve. Por edhe pse do të aplikohet regjistrimi on-line këtë vit do të jenë të vlefshme edhe regjistrimet që mund të bëhen pranë sekretarive të fakulteteve. Këto më shumë do të bëhen për të lehtësuar punën në sistem. Mund të ndodhi ndonjë problem në sistem, ose mund të mos kenë mundësi fituesit për t’u regjistruar on-line për arsye të ndryshme. Kështu që Ministria e Arsimit dhe Shkencës e ka parë të arsyeshme edhe për arsyet që ju përmenda më lart që të pranojë edhe regjistrimet që mund të bëhen në sekretaritë e fakulteteve të ndryshme.

    -Çfarë duhet të ketë parasysh një fitues në fazën e regjistrimit për të mos humbur mundësinë për të vazhduar studimet për vitin e ri akademik?

    -Po në ndryshim nga viti i kaluar fituesit duhet të konfirmojnë nëse duan që të mbeten në preferencën e parë që janë shpallur fitues. Për këtë arsye për herë të parë këtë vit studentët kanë një mundësi më shumë se në vitet e kaluara. Një student fitues në fazën paraprake në njërën nga preferencat e zgjedhura me anë të Formularit A2, mund të regjistrohet përfundimisht në atë program. Këtë studenti mund ta realizojë gjatë aplikimit on-line duke klikuar mbi “Konfirmoj regjistrimin përfundimtar në preferencën e fituar”. Në këtë mënyrë, studenti deklaron se  dëshiron të qëndrojë në këtë preferencë dhe nuk vazhdon garën më tej. Manuali orientues përkatës që udhëzon studentin si të regjistrohet on-line do ta gjeni  në faqet zyrtare të  Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve.

    -Mund të na sqaroni diçka më konkretisht për manualin orientues që do të ndiqet për regjistrimin nga maturantët fitues?

    -Po, së pari për të bërë regjistrimin on-line fituesit duhet të shkojë tek linku: http://matura.akp.gov.al. Më pas do të hapet faqja kryesore për Maturën Shtetërore. Këtu maturantët fitues do të gjejnë informacione të dobishme për Maturën Shtetërore. Për t’u regjistruar tek programi i studimit, ku është shpallur fitues maturanti duhet të klikojë tek butoni që do ti shfaqet në këtë faqe që lexon “Regjistrohuni në Fakultet”. Po mos të harrojmë që maturanti duhet të ketë një adresë e-mail-i për t’u regjistruar. Këtu duhet të klikoni te butoni : “Regjistrohu në fakultet” dhe do t’ju shfaqet pamja e një formulari të vogël që duhet plotësuar. Te fushat e shfaqura duhet të plotësohen të dhënat e kërkuara duke patur kujdes. Në fushën “Karta e identitetit” duhet të vendoset numri personal (kliko mbi fjalën shembull dhe do të shfaqet një kartë identiteti ilustruese. Numri personal i kartës, i kornizuar si më poshtë, gjendet në pjesën e poshtme djathtas të saj).  Pasi të keni plotësuar fushat e mësipërme, duke bërë kujdes që informacioni të jetë i saktë sepse përdoret për verifikime të mëvonshme. Pas kësaj klikoni te butoni: “Identifikohu”. Pasi të keni klikuar te ky buton, tek adresa e-mail-it e vendosur në fushën përkatëse do t’ju dërgohet një mesazh i cili jep informacion për përdoruesin (Username) dhe fjalëkalimin tuaj (Password), që mund ta përdorni për të hyrë në sistem. Nëse të dhënat tuaja nuk janë të sakta do të shfaqet mesazhi i mëposhtëm: Të dhënat që futet janë të pasakta. Saktësoni të dhënat për regjistrim pranë sekretarisë së fakultetit përkatës.

    -Regjistrimi on-line mund të quhet i pasaktë në këtë mënyrë, a mund të tentojë më fituesi për të bërë këtë regjistrim on-line?

    – Kjo do të thotë se për të bërë regjistrimin paraprak ju duhet të paraqiteni detyrimisht pranë sekretarisë së Fakultetit në Universitetin ku jeni shpallur fitues me dokumentin tuaj personal të identifikimit (Shih udhëzimin e MASH për “Procedurat e pranimit dhe të regjistrimit në ciklin e parë të studimeve më kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të lartë si edhe për transferimin e studimeve për vitin akademik  2012-2013” publikuar në faqet zyrtare të MASH dhe të AKP-së.www.mash.gov.al, www.akp.gov.al.  Nëse të dhënat tuaja janë të sakta do të vazhdoni procedurat e regjistrimit on-line sipas hapave të mëposhtme. (do ju hapet një dritare që kërkon që të plotësohet me të dhënat e fituesit). Të dhënat do të jenë të dhënat tuaja, të cilat plotësohen automatikisht nga sistemi bazuar tek informacioni i dhënë te faqja e identifikimit si dhe konsultimi me bazën e të dhënave. Për t’u regjistruar në fakultet, në fazën paraprake, duhet të klikoni butonin: “Regjistrohu”. Pasi klikoni te ky buton në adresën tuaj të e-mail-it do t’ju dërgohet një mesazh konfirmues, i cili ju njofton se jeni regjistruar në fazën paraprake tek programi i studimit në të cilin  jeni shpallur fitues. Më pas do t’ju shfaqet pamja e mëposhtme: (ku i njofton fituesit se janë regjistruar). Nëse jeni shpallur fitues te një preferencë e ndryshme nga preferenca e parë dhe dëshironi të regjistroheni në mënyrë përfundimtare aty, pra të mos vazhdoni konkurrimin për një preferencë më të lartë, duhet të zgjidhni (klikoni) opsionin: “Konfirmoj regjistrimin përfundimtar në preferencën e fituar” dhe më pas të klikoni tek butoni: “Ruaj”. Nëse doni të vazhdoni konkurrimin për preferencat më të larta zgjidhni opsionin: “Vazhdoj konkurrimin për një preferencë më të lartë” dhe klikoni butonin: “Ruaj”. Pasi të klikoni te butoni “Ruaj” do t’ju shfaqet mesazhi “Veprimi u krye me sukses” dhe pas kësaj mund të dilni nga faqja dhe të mbyllni browserin e internetit. Theksojmë se veprimi i regjistrimit  on-line lejohet të kryhet vetëm njëherë. Gjatë javës së parë të frekuentimit të studimeve universitare në programin që studenti ka fituar, dorëzohen pranë sekretarisë mësimore dokumentet që kanë të bëjnë me pagesën e tarifës së studimeve, kopjes së kartës së identitetit dhe fotove për dokument.

    -Si mund ta kuptojë një student që është regjistruar apo që nuk është regjistruar?

    -Nëse edhe  pas futjes të të dhënave personale të shfaqura në modulin e aplikimit, studenti nuk lejohet të vazhdojë aplikimin për shkak të pasaktësisë të tyre, ai duhet të provojë përsëri duke futur saktë të dhënat e tij personale që i kërkohen. Kur sistemi i gjen ato të sakta, studenti lejohet të vazhdojë regjistrimin. Në të kundërt, studentit i shfaqet mesazhi se duhet të shkojë pranë sekretarisë mësimore të universitetit për tu regjistruar.

    -Pas mbylljes së fazës së regjistrimit çfarë procedurash duhet të ndjekë?

    -Studenti i regjistruar on-line, merr në adresën e vet të e-mail-it, një username dhe password me të cilat ai mund të futet në sistem dhe gjen informacionin që u regjistrua.