“Kthetrave” të klinikave private nuk u shpëtojnë as gratë shtatzëna

    359
    Sigal

    VËZHGIM/Klinikat private zënë vend pranë qendrave shëndetësore për arsye përfitimi

     Sot nëse shkon në spitale është e vështirë dhe madje e pamundur që të mbarosh punë dhe të zgjidhësh problemet shëndetësore. Arsyet janë të shumta duke filluar që nga mungesa e aparaturave, mungesa e ilaçeve, apo edhe lidhjet korruptive që kanë mjekët me klinikat private. Kjo e fundit është bërë një problem mjaft shqetësues për qytetarët që kanë probleme shëndetësore. Por çdo ditë qytetarët shqiptarë po vuajnë pasojat e një sistemi shëndetësor i cili nuk përmbush standardet, i cili nuk ofron shërbimin e duhur në shumë drejtime. Por situata bëhet më e rëndë në sistemin shëndetësor, në momentin që klinikat private kanë “mbirë si kërpudhat pas shiut” në çdo cep të qytetit. Por akoma më e rëndë bëhet situata kur këto klinika ndërtohen dhe ushtrojnë funksionin e tyre ngjitur me qendrat shëndetësore shtetërore. Kjo tregon hapur mënyrat se si po u “grabiten” lekët qytetarëve shqiptarë nëpërmjet sistemit shëndetësor sot. Në Tiranë mund të shohësh klinika private pafund, ku disa janë me standarde dhe disa të tjera pa standarde. Por sërish nuk është ky problemi më i madh që ne kemi vëzhguar. Problem mbetet fakti që disa mjekët që punojnë tek spitali shtetëror kanë lidhje të drejtpërdrejta apo tërthorazi me këto klinika. Qytetarët e pyetur nga “Telegraf”, shprehen se, në shumicën e rasteve janë të detyruar që të shkojnë të bëjnë analiza në këto klinika private, pasi u rekomandohet nga mjekët që punojnë në qendrat shëndetësore shtetërore.

    Gratë shtatzëna: Mjekët na kërkojnë të bëjmë analiza të panevojshme tek privati

    Bërjes së analizave tek klinikat private në ditët e sotme nuk po u shpëtojnë edhe gratë, të cilat janë shtatzëna dhe duhet të bëjnë kontrollet e zakonshme. Por ashtu si qytetarët e tjerë edhe këto zonja shprehen të shqetësuara për faktin se, shkojnë për të bërë një kontroll normal dhe dërgohen nga mjekët për të bërë analiza të shumta tek klinikat private. “Unë kam shkuar për të bërë kontrollet që më janë caktuar për të ndjekur shtazanin dhe mjeku më ka dërguar tek klinikat private për të bërë disa analiza që mendoj se as nuk janë të nevojshme, pasi në shtatzëninë e parë nuk më janë kërkuar të tilla” u shpreh për “Telegraf” Anila. B. Por përveç faktit që dërgohen në klinikat private për të bërë analiza ajo që i shqetëson akoma më shumë është edhe se analizat shkojnë shumë shtrenjtë në këto klinika  private. Donika. R, është shprehur se: “Është bërë shumë e vështirë situata, një kontroll që kisha për të bërë këtë muaj më ka shkuar 300 mijë lekë të vjetra, me analiza nga më të ndryshmet”. Por raste të tilla ndodhin çdo ditë edhe me qytetarë të tjerë. Qytetarët shkojnë për të bërë analiza dhe vizita në poliklinikë dhe rekomandohen nga mjekët që të shkojnë dhe t’i bëjnë analizat tek spitali privat që është ngjitur, për arsye se njëherë nuk punojnë aparaturat, njëherë ka radhë etj.. Por realiteti është i hidhur për qytetarët dhe i ëmbël për pronarët e këtyre klinikave që po fitojnë para në kurriz të qytetarëve. Por asnjë masë nuk është marrë, për këto sepse institucionet mbikëqyrëse e bëjnë “një sy qorr e një vesh shurdh” përpara fakteve të tilla dhe qytetarët hallexhinj nuk dinë se ku të përplasen. E pra nuk është e tepërt që të thuash se sistemi jonë shëndetësor është në mëshirë të fatit dhe se qytetarët sot i lënë lekët nëpër klinikat private për shkak të lidhjeve klienteliste që kanë krijuar sot mjekët me klinikat private.