KSSH: Në shtator do të nisim protestat masive në të gjitha minierat e Shqipërisë

    418
    Sigal

    Task-Forcë, për rivlerësim licencash dhe marrëveshjesh  koncensionare  në  minierat e Bulqizës

    * Kryetar i KSSH-së

    Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, në një njoftim për shtyp ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen e krijuar në industrinë minerale në përgjithësi, veçanërisht në pellgun mineral–mbajtës Bulqize-Krastë. Në këto miniera fatkeqësisht çdo ditë, jo vetëm që po krijohet një dëm i madh ekonomiko-financiar për ekonominë kombëtare por po humben në mënyrë të vazhduar jetë njerëzish. Me gjithë kërkesat tona të herëpashershme situata jo vetëm që nuk ka ndryshuar, por është agravuar më tej duke dalë jashtë kontrollit. Në këto objekte punohet në kundërshtim të plotë me të gjitha rregullat dhe standardet e Sigurisë dhe të Shëndetit në Punë. Të gjitha strukturat shtetërore si  Ministria Ekonomisë dhe Energjetikës dhe agjencitë ligj-zbatuese në varësi të saj tregojnë qartë që janë të korruptuara në mënyrë të skajshme dhe kanë konflikte të pastra interesi duke kryer një “organizim të organizuar” të Industrisë Minerale sidomos në sektorin koncensionar. Në objektet e Bulqizës në vite me radhë Ministria e Ekonomisë, RISHM-i, AKPN-ja dhe kompania koncensionare ACR në bashkëpunim me subjekte private, të cilat kanë suporte dhe influenca politike kanë falsifikuar të gjithë dokumentacionin dhe projektet e origjinës së vendburimit duke deformuar koordinatat, duke falsifikuar rezervat minerale dhe duke prishur në mënyrë të pariparueshme të gjithë sistemin e  shfrytëzimit të vendburimit. Dje ndodhi aksidenti në galerinë 48. Me letra ndodhen 3 galeri me nr 48 në zonën D. Në këto miniera punohet në kundërshtim me çdo rregullore dhe standarde  të përdorimit të lëndëve eksplozive. Dinamiti, pajisjet donatore dhe eksplozivet e tjera trajtohen në mënyrë krejt anti- ligjore dhe janë prezent kudo nëpër frontet e punës, nëpër gardëroba punonjësish, nëpër bagazhe makinash etj.. Në të gjithë rajonin mungon sistemi i kontrollit dhe i raportimit për sigurinë dhe shëndetin në punë. Nuk funksionon asnjë ambient shërbimi për punëtorët qoftë social, për trajtim ushqimor dhe higjenik qoftë dhe shëndetësor për urgjenca, ndihmë të shpejtë leje pastaj për vizita periodike apo mjekun e ndërmarrjes, të cilat pavarësisht detyrimit ligjor askush nuk i plotëson. Punëtorët kanë vetëm një të drejtë: Për të punuar si skllevër. Ata askush si dëgjon pavarësisht se çdo ditë bëjnë greva dhe protesta. Askush si ndihmon, pavarësisht se çdo ditë humbin jetë në minierë të drejta të tjera kanë kaluar të drejta ekskluzive për politikanët dhe qeveritarët e çdo rangu, ku të gjithë kanë kapur nga një galeri dhe po e shkatërrojnë përfundimisht dhe në mënyrë të pariparueshme dhe të pakthyeshme këtë vendburim kolos kromi, që vendi ynë e pati fat nga zoti. Ne i kërkojmë dhe njëherë Qeverisë dhe Parlamentit Shqiptar ngritjen në mënyrë urgjente të një Task-Force për të riparë të gjitha licencat dhe kontratat koncensionare dhe për t’i sistemuar ato në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar. Më mirë të kemi një fund, qoftë dhe i tmerrshëm sesa një tmerr pa fund, ku çdo ditë jo vetëm gllabëron ekonominë kombëtare por po merr dhe me dhjetëra jetë njerëzish të pafajshëm. Vetëm rishikimi tërësor nga kjo Task-Forcë i projekteve të kërkimit dhe të shfrytëzimit sipas standardeve teknike, ekonomike dhe ligjore si dhe rishikimi dhe rivendosja në standarde ligjore dhe në afate kohore të mjaftueshme i marrëveshjeve koncensionare do të ishte e vetmja rrugë si fillim i mbarë për të zgjidhur problemet e Bulqizës. Në të kundërt të gjithë do të jemi fajtor moral e ligjor përpara shoqërisë dhe shtetit shqiptar për keqmenaxhimin dhe keqshfrytëzimin e ekonomisë kombëtare si dhe përpara dhjetëra fëmijëve jetim e grave të veja të minatorëve që çdo ditë po japin jetën padrejtësisht në këto zgafelle. Për sa më sipër Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë në fillim të shtatorit do të fillojë një grevë të përgjithshme në të gjitha këto miniera, duke ndërprerë punën pa afat si dhe duke sensibilizuar opinionin publik dhe qytetar si dhe shoqërinë civile për mbështetje dhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë shkaktarëve të kësaj gjendje kushdoqofshin ato, me imunitet apo pa imunitet, ministra, zv. ministra, drejtor, administrator apo shoferë të tyre, policë apo shefa policie, gjyqtarë bashkiakë apo kryebashkiakë apo kushdoqofshin.