Ksenofon Bita/ Adoleshenti, familja dhe shkolla

    605
    Sigal

    Shoqëria jonë duhet të krijojë kushte dhe mundësi shumë të gjëra për një edul të plotë e të shëndetshëm të adoleshentëve. Edukimi i tyre kolektiv, përmes kolektivit, për kolektivin, krijon kushte të favorshme për të formuar tek këta një ide të drejtë për vetveten dhe sjellje të drejta në shoqëri. Rastet e sjelljeve apo qëndrimeve negative që vërehen në adoleshentë të veçantë, janë pasojë e ndikimeve negative, që ushtrohen mbi ta, e gabimeve në edukimin e tyre nga disa mësues dhe disa prindër. Kur adoleshentët edukohen si duhen, shfaqja e interesimit të madh për vetveten si dhe dëshira për të luftuar të metat e tij, e shtyjnë atë për t’u futur në procesin e vetë edukimit.

    Por, kur adoleshenti edukohet keq, shfaqja e veçorive psikologjike të moshës mund ta çojnë atë, drejt një interesi të tepruar për veten e tij, të një ideje jo të drejtë për vetveten si dhe të një të thelluari të tepruar etj.. Në lidhje me formimin e vetëdijes adoleshentet janë shumë të ndjeshëm për atë që mendojnë njerëzit e tjerë për ta. Ndërsa fëmijët e moshave të tjera kundërshtojnë në mënyrë të qetë, kur dikush nuk i çmon drejt, tek adoleshentët, të çmuarit jo drejt mund të shkaktojë një reagim të fortë. Si rezultat, në disa raste adoleshenti mbyllet ne vetvete, në raste të tjera sillet në mënyrë të vrazhdë dhe jo rrallë edhe agresive.

    Vështirësitë në edukimin e adoleshentëve mund të jenë dyllojëshe:

    Së pari: Ato lindin nga organizimi jo i drejtë i jetës, aktivitetit dhe sjelljeve të fëmijës në vitet e kaluara. Kur ai arrin në moshën e adoleshencës, këto vështirësi bëhen më të mprehta.

    Së dyti: Ato që lindin me shfaqjen e cilësive dhe veçorive të reja psikologjike, nganjëherë kontradiktore, të cilat ndodh që të mos merren parasysh nga të rriturit.

    Le të marrim vështirësitë që hasen më shpesh. Disa fëmijë, kur arrijnë në këtë moshë e humbin dëshirën për të mësuar, fillojnë t’i bëjnë detyrat shkollore pa qejf, disiplinën e keqësojnë dhe përparimi i tyre në mësime bie. Arsyet që i sjellin fëmijët në këtë gjendje janë të shumta dhe të ndryshme, por gjithmonë të lidhura me gabime të prindërve e ndonjëherë edhe me mos vëmendje të theksuar të shkollës apo mësuesve të veçantë.

    Për  të evituar fenomene negative tek ta, duhet që qysh në klasën e parë të edukohet tek fëmijët një qëndrim me përgjegjësi ndaj mësimit, të mësojë të kryejë mirë dhe sistematikisht detyrat dhe kërkesat e tjera që i vihen përpara. Jeta e fëmijëve duhet organizuar në mënyrë të tillë, që të mësuarit dhe kryerja e detyrave shkollore të zërë vendin e parë, vendin kryesor.

    Për të krijuar tek fëmijët adoleshentë interesa për të mësuar dhe për të punuar, kanë një rëndësi të madhe detyrat që kryejnë së bashku me të rriturit, si leximi dhe konceptimi i përbashkët i librave, kryerja e përbashkët e ndonjë pune.  Në çdo familje mund të ketë punë që të rriturit i kushtojnë kohën e lirë, si, p.sh.: ndonjë punë zdrukthëtarie, punë dore me vajzat, vendosja e një prize elektrike, gatimi në kuzhinë si dhe zbukurimi i ambienteve të shtëpisë. Prindërit duhet të përpiqen t’i bëjnë fëmijët e tyre pjesëmarrës dhe ndihmës në këto punë. Në këto detyra, që kryhen bashkë me të rriturit, fëmijët fitojnë njohuri dhe shprehi praktike të reja, formohet tek ata interesa dhe mundësia për të njohur e mësuar. Më së fundi ata mësohen të kalojnë kohën e lirë me punë në dobi të vetvetes dhe të të tjerëve. Veç kësaj krijohen baza për zhvillimin e drejtë të interesave të tyre, për profesionin që do marrin në të ardhmen. Tek adoleshentët në krahasim me fëmijët e moshës së re shkollore, rritet shumë aktiviteti, zgjerohen dhe thellohen më tej interesat e tyre, ndihma e prindërve në këtë rast është e vlefshme atëherë kur ngjall interesin e fëmijëve, dëshirën dhe dashurinë për punën mësimore, kur i shtyjnë ata që të punojnë në mënyrë të pavarur dhe të bëjnë përpjekje mendore që të kapërcejnë vështirësitë, për të plotësuar me ndërgjegje të gjitha detyrat shtëpiake.

    Nga përvoja jonë në gjimnaze del se adoleshentët e vlerësojnë kujdesin e vazhdueshëm të prindërve të tyre, për formimin e tyre të gjithanshëm, si dhe konsultohen me ta për probleme të ndryshme. Gjatë një ankete që kemi zhvilluar me nxënësit tanë, pyetjes se: “Çfarë vlerësoni më shumë te prindi juaj?” – 90 % e të anketuarve ju përgjigjën në mënyrë të përmbledhur me këto fjalë: “Këmbënguljen dhe dashurinë për punën, harmoninë në familje, dashurinë për shoqërinë, si dhe kujdesin ndaj nesh që të rritemi të edukuar, të mësuar  dhe t’i dalim zot vetes tonë”

    Ose pyetjes: “Si iu ndihmojnë prindërit për problemet e mësimit?”, nxënësit iu përgjigjën kështu: “Prindërit na kanë krijuar kushte mjaftë të mira studimi, na kontrollojnë si e zbatojmë regjimin ditor dhe na ndihmojnë kur hasim vështirësi, gjatë përgatitjes, aty ku ata kanë mundësi.”

    Adoleshentët edukohen në çdo çast të jetës nga shembulli i më të mëdhenjve e sidomos i prindërve të tyre. Në familje midis pjesëtarëve të saj, bëhen biseda për realizimi të detyrave në punë nga secili, për arritjet, ku punojnë ata, të cilat ndikojnë tek fëmija për të ngjallur tek ai dashurinë për punën, njerëzit e punës, respektin ndaj prindërve dhe të afërmve.

    Ndikon pozitivisht për këtë edhe programi dhe organizimi i punës në familje, ndarja e detyrave midis pjesëtarëve, rregulli në familje, kërkesa ndaj fëmijëve për zbatimin e regjimit ditor, kujdesi për veshjen dhe higjienën, për realizimin e detyrës, prindi edukator për adoleshentët nuk edukohen vetëm me shembullin e tij, por ndjekin rrugë dhe forma të ndryshme, si: biseda, vizita, shëtitje, ekskursione, kinema dhe teatër, emisionet televizive etj..

    Veç këtyre që thamë më lartë, duhet dhe një bashkëpunim i ngushtë shkollë-familje, prind-mësues. Shkolla, si institucion shtetëror, me kuadro të kualifikuara, mësuesish edhe edukatorësh, me programet e veta mësimore dhe edukative luan rolin kryesor edhe drejtues në edukimin e adoleshentëve. Pavarësisht nga forcimi i funksionit edukativ të familjes, shkolla duhet të ketë në rend të ditës ndihmën ndaj prindërve dhe familjeve të adoleshentëve. Aktivitetet e prindërve në shkolla, duhet të shërbejnë si një formë efektive në drejtim të forcimit të bashkëpunimit të shkollës me familjen. Që të realizohet si duhet qëllimi i punës edukative me adoleshentët, është e domosdoshme që shkolla të punojë më shumë për ngritjen e kulturës pedagogjike të prindërve. Bisedat edhe leksionet pedagogjike, si dhe puna kokë me kokë me prindër të veçantë, shërbejnë si një nga mjetet themelore të propagandës pedagogjike të shkollës për masën e prindërve.

    Realizimi me sukses i punës me adoleshentët, kërkon që të rritet interesimi i forcave të opinionit shoqëror. Dihet që interesat e adoleshentëve janë të shumta. Ata kanë dëshirë të lexojnë, të luajnë, të merren me kompjuterin, të bisedojnë me shoqërinë, të merren me punë që u pëlqejnë, apo të shkojnë në ndeshje sportive. Nga ana tjetër, mësimet shtohen shumë në krahasim me klasat e mëparshme dhe lënda që duhet të përvetësohet paraqitet më e ndërlikuar, kështu që, kërkon një pune dhe një kohë më të madhe për t’u përgatitur. Por, shpesh këtë e marrin në mënyrë të lehtë, duke u përgatitur në mënyrë të përciptë në mësime.

    Ka prindër, që mbivlerësojnë aftësitë e fëmijëve të tyre. Fakti që djali apo vajza e tyre shpenzon pak kohë për t’u përgatitur mbi mësime, është për ta shenjë e aftësive të mëdha të fëmijëve të tyre dhe shpesh herë objekt i njëfarë krenarie. Kjo bindje e prindërve është e drejtë. Kjo është e dëmshme edhe kur adoleshenti ka vërtetë aftësi. Në qoftë se ai shpenzon më pakë kohë se shokët e tij, duhet patjetër t’i jepen detyra të tjera më të vështira. Të kërkohet prej tij një përvetësim më i thellë i lëndës dhe të lexojë materiale suplementare.

    Nga përvoja ime shumëvjeçare me adoleshentët u them prindërve të tyre që të kujdesen për fëmijët e tyre të mos shoqërohen me shokë më të mëdhenj se mosha e tyre. Kjo ka prishur shumë adoleshentë, sidomos ata që merren me sport edhe kur në fillim ata kanë qenë shembullorë.

    Puna me adoleshentët është e vështirë, do durim, do përkushtim, por është shumë fisnike dhe patriotike sepse ka të bëjë me brezin tonë të ri, me të ardhmen dhe prosperitetin e atdheut tonë të dashur.