Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, mori pjesë në konferencën “Promovimi i të rinjve në Ballkanin Perëndimor”

500
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, mori pjesë në konferencën “Promovimi i të rinjve në Ballkanin Perëndimor” të organizuar nga aleanca progresiste e Socialistëve dhe Demokratëve (S&P) në Parlamentin Evropian.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, eurodeputetët Knut Fleckenstein, Tanja Faion e Victor Bostinaru, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, etj.

Në fjalën e mbajtur në konferencë, Kryetari i Kuvendit, u shpreh se të rinjtë që janë fuqia më e madhe e një kombi dhe se duhet të marrin më shumë përgjegjësi për të ardhmen e vendit.

Meta theksoi se të rinjtë kanë një fuqi të jashtëzakonshme kur bashkohen, kanë vizion dhe dinë të shohin larg.

“Ajo që ne na duhet sot përsëri në Shqipëri është një angazhim akoma më i fortë i të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, sidomos kur shohim fenomenet e largimit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit për arsye të ndryshme. Na duhet, sepse pavarësisht arritjeve që ka Shqipëria, të rinjtë janë të paduruar dhe duan një ritëm ndryshimi më të shpejtë dhe në këtë drejtim është shumë e rëndësishme dhe shumë e domosdoshme që politika t’i përgjigjet këtij padurimi me një strategji të qartë dhe që e rrit besimin se Shqipëria do të krijojë këto mundësi, që të krijohen këto perspektiva, këto vende të reja pune dhe të mirëpaguara që këta të rinjtë të punësohen këtu, të përballojnë kostot e jetesës që nuk janë të lehta dhe t’i krijojnë familjet e tyre këtu”, – deklaroi Kryetari i Kuvendit, duke nënvizuar faktin se duhet një angazhim më i madh i të rinjve në politikë, në mënyrë që ata vetë të luftojnë edhe më shumë për problemet e të rinjve.

“Duhet të çojnë më shumë të rinj dhe të reja dhe më pak biznesmenë. Sepse nëse çojmë më shumë të rinj dhe të reja në Parlament do të diskutohet më shumë për problemet e arsimit, për problemet e Maturës Shtetërore, për problemet e formimit profesional, për problemet e tregut të punës, për problemet e familjes, për të gjithë ato politika që ndihmojnë dhe mbështesin të rinjtë. Dhe në këtë drejtim ky ka qenë edhe një nga angazhimet e mia kryesore edhe të forcës politike që kam përfaqësuar, për t’i fuqizuar sa më shumë të rinjtë”, – tha z. Meta duke u bërë edhe një ftesë të rinjve në mbyllje të fjalës së tij: “Merruni me politikë, nuk ka rëndësi me cilën parti apo me cilën organizatë rinore, se edhe po të mos doni ju të merreni me politikë, prapë politika do të merret me ju. Më mirë merruni me politikë dhe bëjeni politikën më të mirë, sepse në këtë mënyrë ndihmon veten tuaj, familjet tuaja, vendin tuaj dhe vendin tonë”, – theksoi Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta:
Faleminderit i nderuar z. Boshtinaru,
E nderuara zonja ministre,
Të nderuar eurodeputetë dhe pjesëmarrës,

Për mua është një kënaqësi e veçantë që të marr pjesë në këtë aktivitet, jo vetëm sepse organizohet nga grupi Socialdemokrat në Parlamentin Evropian, por në mënyrë të veçantë sepse është një temë e jashtëzakonshme për mua, që lidhet me gjithçka që unë kam nisur dhe kam bërë në jetën time politike. Që do të thotë gjithçka që ka të bëjë me fuqizimin e të rinjve dhe mbi të gjitha me krijimin e bindjes tek ata, që janë fuqia më e madhe e një vendi, e një kombi dhe se duhet të marrin më shumë përgjegjësi për të ardhmen e vendit.

Unë e kam nisur politikën në një moshë mjaft të re, student, dhe jam zgjedhur në një moshë shumë të re në Parlament dhe në një moshë akoma shumë të re edhe Kryeministër dhe kam patur kënaqësinë të jem pjesë e një organizate të jashtëzakonshme në fillim të viteve ‘90, siç ishte rinia eurosocialiste e Shqipërisë. Një organizatë e krijuar në situatën më të rëndë për të majtën, që ishte trashëgimtare e Partisë së Punës, përgjegjëse për një sistem mjaft totalitar në Shqipëri dhe rinia eurosocialiste u krijua nga të rinj shumë idealistë, të cilët nuk mendonin në atë kohë për të bërë karrierë, pasi të gjithë njerëzit që donin të bënin karrierë shkonin te Partia Demokratike, sepse e gjithë era frynte në favor të saj.

Ajo u shndërrua në një kohë shumë të shkurtër në një fuqi të jashtëzakonshme të shpresës, besimit, alternativës dhe ndryshoi edhe perceptimin e njerëzve për të ardhmen e të majtës në Shqipëri, që e mendonin të pashpresë. Dhe këtu padyshim një rol të rëndësishëm pati edhe lidhja e saj e jashtëzakonshme me Internacionalen e Rinisë Socialiste dhe Rininë Socialiste Social-Demokrate në Evropë, që dhanë një mbështetje të jashtëzakonshme jo vetëm për këtë organizatë, por më pas edhe për vetë Partinë Socialiste.

E bëra këtë retrospektivë për të treguar që të rinjtë kanë një fuqi të jashtëzakonshme kur bashkohen, të rinjtë kanë vizion dhe dinë të shohin larg, e ajo që ne na duhet sot përsëri në Shqipëri është një angazhim akoma më i fortë i të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, sidomos kur shohim fenomenet e largimit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit për arsye të ndryshme.

Na duhet, sepse pavarësisht arritjeve që ka Shqipëria, të rinjtë janë të paduruar dhe duan një ritëm ndryshimi më të shpejtë dhe në këtë drejtim është shumë e rëndësishme dhe shumë e domosdoshme që politika t’i përgjigjet këtij padurimi me një strategji të qartë dhe që e rrit besimin se Shqipëria do të krijojë këto mundësi, që të krijohen këto perspektiva, këto vende të reja pune dhe të mirëpaguara që këta të rinjtë të punësohen këtu, të përballojnë kostot e jetesës që nuk janë të lehta dhe t’i krijojnë familjet e tyre këtu.

Mirëpo për këtë duhet një angazhim më i madh i të rinjve në politikë, në mënyrë që ata vetë të luftojnë edhe më shumë për problemet e të rinjve. Duhet të çojnë më shumë të rinj dhe të reja dhe më pak biznesmenë. Sepse nëse çojmë më shumë të rinj dhe të reja në Parlament do të diskutohet më shumë për problemet e arsimit, për problemet e Maturës Shtetërore, për problemet e formimit profesional, për problemet e tregut të punës, për problemet e familjes, për të gjithë ato politika që ndihmojnë dhe mbështesin të rinjtë.

Dhe në këtë drejtim ky ka qenë edhe një nga angazhimet e mia kryesore edhe të forcës politike që kam përfaqësuar, për t’i fuqizuar sa më shumë të rinjtë. Gjë që nuk është e thjeshtë.

Meqenëse jemi para zgjedhjeve do t’u jap dy raste dhe t’ju krahasoj me situatën para katër viteve, sepse këtu diskutohet shumë për listat e deputetëve.

Përpara 4 viteve kur unë doja të promovoja Klajda Gjoshën, e cila është aktualisht Ministre e Integrimit Evropian dhe e vendosa atë të dytën në listën për Tiranën para shumë figura në LSI që nuk më pranuan të ishin në listën e LSI-së, sepse e quanin si diçka jo normale që një vajzë e re të vendosej e dyta, përpara tyre që mendonin se kishin më shumë vlera në disa plane të tjera.

Nuk arrinin dot të kuptonin atë mesazh që unë doja të jepja për përfaqësimin dhe promovimin e të rinjve sidomos të atyre që kanë studiuar jashtë, që janë kthyer në vend dhe duhet të jenë një model për shumë të tjerë që të kthehen dhe të angazhohen.

Po kështu në atë kohë bëra edhe një manovër tjetër që të mos e kuptonin në kryesinë e LSI-së, duke shfrytëzuar kodin vendosa Kejdi Mehmetaj, përfaqësuesen e rinisë të 7-n në listë, duke qenë i bindur se me promovimin e Klajdës, si ministre, Kejdi mund të bëheshe deputete dhe do t’i vinte radha.

Dhe kjo gjë ndodhi. Klajda u bë ministre dhe Kejdi u bë deputete në një moshë shumë të re, 20 vjet dhe kemi marrë shumë kritika në atë kohë se si mund të promovohen kalamajtë në Parlament. Kënaqësia ime e jashtëzakonshme është që kur kemi bërë listat tani në fund fare, nuk kam patur asnjë kundërshtim që Klajda Gjosha të ishte e para në Tiranë, Kejdi të ishte e dyta, e treta të ishte kryetarja e LRI-së që është më e re se Kejdi dhe shumë të rinj e të reja të tjerë.

Pse ka ndodhur kjo? Për disa arsye.
Në radhë të parë, për fat të mirë, këto raste promovimi qëlluan mjaft të suksesshme si rasti i Klajda Gjoshës në qeveri ashtu edhe rasti i Kejdi Mehmetajt në Parlament. Në 4 vjet në grupin parlamentar të LSI-së ne kishin deri në 20 deputetë dhe e vërteta është që deputetja më e re ishte një nga deputetët më aktive të Parlamentit. Gjithmonë e fokusuar në çështje shumë konkrete çështjet e arsimit, çështjet e formimit profesional, çështje të tregut të punës. E angazhuar edhe një nga autoret për bërjen e ligjit për vullnetarizmin dhe shumë angazhime të tjera. Ndërkohë që disa deputetë që i kishim ne në grupin tonë, disa prej tyre ishin edhe biznesmenë, nuk ishin shumë aktivë.

Natyrisht që kjo na motivoi për të shtuar numrin e të rinjve dhe të rejave në parlamentin e ardhshëm. Ai do të jetë një numër i jashtëzakonshëm për arsye sepse duam që në parlamentin e ardhshëm të mos diskutohet më për deputetë që kanë apo jo rekorde kriminale. Në parlamentin e ardhshëm nuk duam më që të diskutohet për deputetë që morën këto apo ato tendera. Por në parlament të kemi sa më shumë të rinj, të reja dhe gra që të diskutohet për ato probleme me të cilat përballet çdo i ri, çdo e re dhe çdo familje shqiptare sot, të tilla si: problemet e arsimimit, të formimit profesional dhe të punësimit. Kur flasim për punësimin bëhet fjalë edhe për një punësim të mirë-paguar që të përballohen kostot e jetesës.

Kjo do ta bëjë parlamentin më të orientuar drejt këtyre çështjeve dhe do të lërë në hije disa tema, të cilat i ka vuajtur më shumë sesa ne edhe z. Fleckenstein që nga dekriminalizim e shumë probleme të tjera.

Unë besoj shumë dhe dëshiroj që të rinjtë dhe të rejat, gratë që do të jenë në parlamentin e ardhshëm t’i japin tonin këtij Parlamenti, t’i japin tonin ligjeve, t’i japin tonin temave kryesore, sepse këtu nuk është problem për të promovuar të rinjtë dhe të rejat deputetë dhe ministra. Nuk është ky problemi. Çështja është për të zgjidhur problemet e të rinjve dhe të rejave në Shqipëri në mënyrë që ata të dekurajohen të largohen nga Shqipëria, sepse pasuria më e madhe që ka Shqipëria, sepse ka shumë pasuri që janë pasuritë dhe bukuritë natyrore, një vend i jashtëzakonshëm, një perlë në Mesdhe midis disa vendeve jashtëzakonshmit të njohura në botë për bukuritë e tyre dhe historinë e tyre si Italia, Greqia, Kroacia, destinacione planetare dhe Shqipëria, padyshim që përveç këtyre avantazheve, ka një burim të jashtëzakonshëm energjie që duhet ta shfrytëzojë, që është rinia e saj, e cila është një rini e miredukuar, por që ka nevojë të motivohet.

Ka nevojë të përqendrohet dhe ka nevojë të krijojë besim që ky vend do të bëhet dhe do të bëhet shpejt sepse nuk ka kohë të pres edhe shumë. Kështu që unë besoj dhe shpresoj që duke i mbështetur realisht të rinjtë, duke u dhënë besim duke i trajnuar edhe nga ana profesionale dhe nga ana menaxhuese dhe duke i socializuar me njëri-tjetrin, kjo është shumë e rëndësishme .

Ndaj unë mendoj që fuqizimi i organizatave rinore në vend është shumë i rëndësishëm, sepse ne sot kemi një elitë politike të vetëkënaqur. Një elitë politike të zhytur në egoizëm dhe individualizëm.

Dhe për fat të keq shoqëria jonë dhe për shkak të tranzicionit është dominuar shumë nga individualizmi, duke vrarë disa vlera të rëndësishme të shoqërisë si solidariteti, ndjenja e përgjegjësisë ndaj komunitetit. Ndaj unë i jap shumë rëndësi për të ardhmen socializmit të të rinjve dhe të rejave. Punës në ekip sepse puna në ekip është ajo që çon përpara një organizatë, çon përpara një vend, çon përpara gjithçka. Asnjë njeri nuk mund të bëjë dot docka vetëm. Dhe padyshim të rinjtë duhet të jenë më të kujdesshëm për demokracinë sepse fuqia më e madhe që kanë të rinjtë dhe të rejat në një vend është vota.

Dhe nuk duhet të jenë indiferent ndaj proceseve demokratike , përkundrazi duhet të jenë shumë të vëmendshëm, sepse arroganca dhe konflikti injoron çështjet kryesore që kanë të bëjnë me të ardhmen e tyre.

Dhe të rinjtë njëkohësisht duhet të jenë modeli i kundërt i arrogancës dhe i konfliktit, në mënyrë që të rrisin shpresën e vendit dhe të shoqërisë tek vetë të rinjtë që merren dhe angazhohen në politike, por në çdo fushë duke qenë shembulli i bashkëpunimit dhe i tolerancës.

Duke qenë shembulli i përqendrimit i çështjeve konkrete dhe në një vizion të qartë, i cili ndihmon vendin të zhvillohet në kapacitetet e tij, jo nën kapacitet e tij.

Dhe padyshim që Shqipëria ka një progres në disa element të rëndësishëm edhe në planin ekonomik ka një rikuperim, por vendi është ende në kapacitetet e tij, nën potencialet e tij reale për një zhvillim më të shpejtë , më të qëndrueshëm edhe më përfshirës.

Ne as do të kemi politikë më transparente , më bashkëpunuese, më përfshirëse dhe të përqendruar në çështje jo tek demonizimi i njëri-tjetrit. Padyshim që ndryshimi në Shqipëri do të jetë shumë herë më i shpejtë sesa deri tani dhe mbi të gjitha vendi do të ketë qetësi dhe siguri për të ardhmen.

Dua t’ju them një rast konkret. Para disa kohësh takova një grua të re nga Pogradeci që punonte në një bankë në Tiranë dhe duke diskutuar me të lidhur me situatën politike dhe për mundësinë ndoshta të përfshirjes së saj në forcën politike që unë drejtoja, më thotë që kishte dëshirë të ndihmonte dhe të përkrahte këtë forcë politike. Por ajo planifikonte të ikte jashtë.

Më tha se kishte bërë dokumentet për në Amerikë, sepse donte të jetonte jashtë Shqipërisë. E pyes përse donte të jetonte jashtë vendit, sepse ajo kishte një pozicione pune shumë të mirë në një bankë të huaj me një pagë prej 5 mijë eurosh. “Po pse do të ikësh jashtë me këtë status dhe pagë që ke tani?” e pyes. Më thotë: “Nuk e kisha menduar më përpara që do të ikja jashtë, por tani jam bërë nënë, e kam djalin 5 vjeç dhe nuk ndihem e qetë dhe e sigurt këtu. Prandaj dua për fëmijën tim që të paktën të bëjë shkollën jashtë dhe të jem më e qetë”.

Dhe kjo është mjaft e trishtueshme, sepse e kuptoj dhe e mirëkuptoj faktin që shumë të papunë ikin, gënjehen, mashtrohen nga trafikantët për një punë në Gjermani apo diku tjetër. Mund ta mirëkuptoj edhe tjetrën, që njerëz që janë në punë, por me paga të ulëta nuk e përballojnë koston e jetesës, edukimin e fëmijëve dhe bëjnë të njëjtën gjë. Por raste të tilla tregojnë se sa emergjente është për elitën politike në vend të zbresë me këmbë në tokë, t’i japë vendit qetësi, t’i japë vendit transparencë, t’i japë vendit marrëveshje serioze për çështjet më të mëdha, që preokupojnë gjithë qytetarët shqiptarë dhe natyrisht t’u japë të rinjve mbi të gjitha besim dhe vendin që u takon për të ardhmen e vendit.

Kështu që e përshëndes këtë aktivitet. Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme dhe nuk mund të mungoja kurrë në një aktivitet të tillë. Nuk dua të flas për Lëvizjen Rinore për Integrim, pasi këtu jemi edhe Nënkryetaren e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, e cila është edhe Nënkryetare e Internacionales së Rinisë Socialiste, por padyshim që dua t’i uroj të gjithëve mbarësi dhe suksese.

Gjithë të rinjve në Shqipëri do t’u bëjë një ftesë: merruni me politikë, nuk ka rëndësi me cilën parti apo me cilën organizatë rinore, se edhe po të mos doni ju të merreni me politikë, prapë politika do të merret me ju. Kështu që më mirë merruni me politikë dhe bëjeni politikën më të mirë, sepse në këtë mënyrë ndihmon veten tuaj, familjet tuaja, vendin tuaj dhe vendin tonë.

Faleminderit!
Sigal