Kryesindikalistët, këta pashallarë të përjetshëm në Shqipëri

583
Një ngjarje që shkaktoi çudi në Shqipëri në këto ditë të lodhshme e të mbushura me dhimbje për të vrarët e pafajshëm në Paris. Një ngjarje paksa e çuditshme ishte lajmi se në Mongoli një nga krerët e sindikatës i ka vënë vetes flakën në shenjë proteste ndaj qeverisë, e cila kërkon t’i shesë industrinë minerare Kinës. Para se të bënte këtë akt, ai pohoi se, “punëtorët dhe familjet e tyre që po vdesin nga uria janë tradhtuar nga qeveria”. 
Nuk diskutojmë veprimin e këtij sindikalisti në vetvete. Po menjëherë ne shqiptarët që po varfërohemi nga dita në ditë na shkon mendja te sindikatat tona të shumta. Ku i kemi ne sindikatat? Thuajse askush nuk e di. Sindikatat tona të zhytura në llum, as vetë nuk e dinë se c’bëjnë në vilat e tyre të ngritura me paratë e punëtorëve, që tashmë kanë mbetur thuajse të gjithë me gisht në gojë. Të gjithë janë bërë pronarë edhe pse duke u vjedhur haptazi sindikalistëve paratë në xhep. 
Tashmë në Shqipëri kujtdo mund t’ia dëgjosh zërin, duke sharë apo duke lavdëruar kë të mundet. Bile edhe duke lavdëruar vetveten. Ndërsa nga të gjithë heshtet për çfarë po ndodh me të vobektët, me hallexhinjtë e këtij vendi. Aq sa tashmë askush as nuk po e kupton rrugën nga po ecim dhe ku duhet të mbërrijmë. Në këto kushte, të gjithë vazhdojnë ta mbajnë hapin për t’u larguar ku të mundin, vetëm t’i largohen Shqipërisë.
Kjo është më e keqja në Shqipërinë e sotme. Të gjithë duan të largohen. Aq sa me shaka thuhet se, “nëse do të kishim rrugën e lirë, nga Shqipëria do të largohej edhe Skënderbeu që qëndron në qendër të Tiranës”. Një shaka e rëndë, që tregon nivelin ku tashmë ka rënë shoqëria jonë.
Një nga shtresat më të diskriminuara dhe që tallet kush të mundët më të është armata e mësuesve. Edhe pse tashmë kjo armatë as nuk di të kundërshtojë, aq shumë e ka ulur zverkun. Aq sa kush të dojë mund t’i hipë në qafë dhe mësuesi nuk di të bëzajë.
Sepse mësuesi i shkretë e di se, askush nuk i del për zot. E di se kush të dojë mund t’i hip në qafë. Një gjë e tillë është aq shumë e dukshme, sa edhe kur atij i thoshin të blinte kreditet, i nënshtruar i blinte pa bërë zë. Edhe pse e dinte se kështu i vidhej paraja në xhep ashiqare.
Dhe kur kësaj vjedhjeje i doli era e ndyrë, sërish mësuesi heshti, heshti se trembej për bukën e fëmijëve, por edhe e dinte se s’kishte kujt t’i ankohej. Edhe pse kishin një sindikatë që tashmë e dinë edhe vetë se, vetëm atyre nuk u shërben. Edhe pse drejtuesit e kësaj sindikate të gjithë mësuesve u mbledhin paratë në bordero si taksë për mbijetesën e tyre. Në të vërtetë, sindikata prej vitit ’91, as nuk ka bërë ndonjë herë zgjidhje. Aq sa kryetarët janë kthyer në pashallarë të përjetshëm. Bile edhe njërin prej kryetarëve, sindikata e arsimit e ka të moshës 84 vjeç dhe mos prisni të bëhen zgjedhje. Bile edhe pas vdekjes së tij, sepse ai do të mbetet kryetar i sindikatës së arsimit edhe pas vdekjes.
Kështu po ndodh edhe në sindikatat e tjera. E keni parë se në të gjitha sindikatat janë të njëjtat fytyra që po e mjelin lopën “sindikatë”, edhe pse kësisoj vetëm punëtorëve nuk u shërbejnë, bile këta pashallarë tashmë dinë vetëm t’u japin fletë nderi kryepartiakëve që i hipin më mirë në zverk punëtorit të stërlodhur nga mjerimi e varfëria.
Këta pashallarë të përjetshëm në të vërtetë po i thithin pikën e fundit të gjakut punëtorëve të stërmunduar në këtë çerekshekulli të demokracisë.
Ndërsa tani i gjithë komuniteti i lodhur nga vjedhjet që i bëjnë atij kërkon të dijë çpis sindikate është ajo, që duartroket pushtetarët vjedhës? Çpis sindikate është ajo që drejtohet nga pashallarë të përjetshëm që i kanë hipur në zverk popullit dhe e vjedhin ashiqare e në mënyrë të paturpshme.
Sepse këto lloj sindikatash për të mbajtur në këmbë pashallarët në bashkëpunim me hajdutët e qeverisë ua mbajnë në bordero paratë e kuotës së anëtarësisë. Çudia është se këtë nuk guxoi ta bënte as diktatori Enver Hoxha, punëtorët atëherë i dorëzonin vetë paratë e kuotizacionit të BP-së. Të paktën kuotat nuk u mbaheshin në pagë, siç po ndodh tani. 
Poshtërsitë e këtij çerekshekulli janë aq të rënda, sa nuk ka kandar t’i peshojë.
Në Mongoli, një kryesindikalist djeg veten për t’u shërbyer zgjedhësve në mënyrën e tij. Në Shqipëri, kryesindikalistët në qetësi vazhdojnë ritualin e vjedhjes së morisë së sindikatave që kanë ngritur me të vetmin qëllim: t’i vjedhin sa më ëmbël të varfrit e hallexhinjtë.
Ermion Dulla
Sigal