Kryeprokurorja e Përkohshme, Marku shkarkon kryeprokurorin e Krimeve të Rënda të dosjes “Tahiri”

729
Jakup B. GJOÇA
Hajdarmataj: Nuk kisha informacion pse u shkarkova. Opozita: Duan të fshehin gjurmët e krimit
Kryeprokurorja e Përkohshme Marku, kaq kohë që është në detyrë, ende nuk ka çuar në gjykatë asnjë dosje të rëndësishme për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë. Kryeprokurorja e Përkohshme ende hesht për të gjetur se cilët zyrtarë e politikanë janë garantuesit e 614 kg kokainë, që u kapën në Portin e Durrësit. Kryeprokurorja Marku nuk ka nxitur hetimet për dosjen “Tahiri”, por, përkundrazi, ndihmoi në kundërshtim me ligjin, ekstradimin në Itali të Seitit, dëshmitar i rëndësishëm në hetimin për çështjen “Tahiri”. Edhe pse Kushtetuta ia ndalon kryeprokurores së Përkohshme të shkarkojë dhe emërojë prokurorë, sa kohë do të jetë e përkohshme, dje me urdhër të kryeprokurores Arta Marku, është larguar nga detyra e kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, i cili do të vijojë qëndrimin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por në pozicionin e prokurorit. Në vend të tij, Marku ka komanduar prokuroren Donika Prela. Prokurorja Prela, që prej muajit janar mbante detyrën e kryeprokurores në Prokurorinë e Durrësit, detyrë, e cila i është ngarkuar Anita Jellës.

Arsyetimi i shkarkimit
Prokuroria e Përgjithshme thotë se ky ndryshim në drejtim do të sjellë si rezultat ndjekje penale më të shpejtë dhe më të efektshme të çështjeve me përparësi të lartë. “Prokurorja e Përgjithshme, Marku njofton emërimin e Znj. Donika Prela si kreu i Prokurorisë për Krime të Rënda. Kemi besim se ky ndryshim në drejtim do të sjellë si rezultat ndjekje penale më të shpejtë dhe më të efektshme të çështjeve me përparësi të lartë”. 
Hajdarmataj flet pas shkarkimit: Nuk e di motivacionin, dosja “Tahiri” mbetet në duart e mia
Hajdarmataj, kryeprokurori i shkarkuar i Krimeve të Rënda, tha se nuk kishte ndonjë informacion më konkret mbi shkaqet e shkarkimit, por theksoi se çështja më e rëndësishme që kishte deri para shkarkimit në duar ishte ajo e ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Sipas Hajdarmatajt, shkarkimi nga posti i kreut të prokurorisë nuk sjell automatikisht heqjen e dosjes së Tahirit nga përgjegjësia e tij. “Motivacioni nuk ishte shumë i qartë, por besoj se kishte të bënte me dhënien e një hovi të ri apo impulsi më të madh të punës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ishte një urdhër që më shkarkonte mua nga ana e drejtimit të prokurorisë së Krimeve të Rënda, dhe në zbatim të tij, tani i bie që unë jam një prokuror i thjeshtë në këtë prokurori. Unë nuk di të them, se me çfarë ka lidhje ky shkarkim, por mund t’ju them se e vetmja dosje që unë jam përfshirë drejtë për së drejti, nga një sërë hetimesh që tashmë janë të hapura nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, është ajo e dosjes ish-ministrit të Brendshëm, Sajmiri Tahiri,” shtoi ai. 
Basha: ‘Kamikazja’ e Ramës shkarkoi Hajdarmatajn, se po mblidhte prova për Tahirin
Pas shkarkimit të kryeprokurorit të Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj ka reaguar edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha. “Shkarkimi vjen pak ditë pas materialeve të ardhura nga Greqia dhe Itali, vjen pak ditë pasi KQZ konfirmoi heqjen e mandatit të Tahirit. Është shkarkuar Hajdarmataj, pasi në dosjen e tij po mblidheshin prova për Tahirin dhe lidhjen e tij me Ramën. Një gjë është e sigurt, Rama po bën çdo gjë për të shpëtuar Tahirin. Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm nuk ka të drejtë të emërojë, apo të shkarkojë. Kushtetuta ndalon çdo emërim në prokurori pa kaluar Vetingun. Donika Prela është thjesht shërbëtore dhe po emërohet për të mbrojtur interesat personale të Ramës dhe të mbrojë politikanët e lidhur me krimin.”- tha Basha.
Kryemadhi, Kryetarja e LSI-së: Arta Marku të mos guxojë të fshehë gjurmët e krimit!
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar në lidhje me shkarkimin e Besim Hajdarmatajt nga kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku. Kryemadhi tha: “Shkarkimi i paligjshëm i Kryeprokurorit të Krimeve të Rënda është rasti me flagrant i Edi Ramës dhe veglës së tij në Prokurorinë e Përgjithshme! Besim Hajdarmataj ishte prokurori që nisi të hetojë për çështjen Tahiri, kërkoi dhe argumentoi ndalimin e tij me akuza të qarta dhe të bazuara, por që u hodhën poshtë nga deputetët e PS. Largimi i tij nga detyra është qartas përpjekje për të mbyllur përfundimisht çështjen Tahiri, e cila mban peng, jo vetëm Edi Ramën, por të gjithë qeverinë. Edi Rama, i frikësuari i madh i drejtësisë bërtet lart e poshtë për Vetingun ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, por ndërkohë largon nga detyra Kryeprokurorin e Krimeve të Rënda pa pritur që ai të vetohet”. 
Ish-ministri Manjani: Minimalisht kjo prokurore duhet të ishte nën hetim!
Ylli Manjani, ish-ministri i Drejtësisë shkruan: “Vijon reforma… Në fillim i dhanë besim, Besimit për të hetuar Sajmirin! Pastaj i hoqën makinën… Në vijim i hoqën provat e çështjes dhe i ekstraduan tinëz dhe pa ligj dëshmitarin. Tani ia hoqën besimin, Besimit! Ja dhanë prokurores që rrezaton “besim të plotë” , pasi i grabitën postën sekrete! Minimalisht kjo prokurore duhet të ishte nën hetim! Këta e vendosën në vend të Besimit… Kulmi! Nuk po i hyj fare analizës, se me çfarë ligji bëhen këto lëvizje, se tashmë këta s’pyesin për ligj!”
Sigal