Kryeprokurori i përkohshëm përplas konstitucionalistët, çfarë thonë Fehmi Abdiu dhe Çlirim Gjata

489
Reforma në drejtësi ka futur në ngërç të gjitha institucionet, përfshi dhe ato kushtetuese, që në rastin e zgjedhjes së Prokurorit të Përkohshëm duhet të japin mendimin e tyre 
Debati për zëvendësimin e kryeprokurorit Adriatik Llalla me një prokuror të përkohshëm është kthyer në kryefjalën e të gjithë diskutimeve jo vetëm të politikës. Prej datës 7 dhjetor, ditë e enjte, Adriatik Llalla në bazë të Kushtetutës së vendit, nuk është më në krye të Prokurorisë së Përgjithshme dhe nuk ka të drejtën për të drejtuar hetimet, për të vlerësuar punën e vartësve të tij, apo për të nënshkruar dokumente me rëndësi. Por pavarësisht faktit se mandati i tij pesëvjeçar ka përfunduar, Llalla sot ndodhet ende në detyrë, për aq kohë sa në karrigen e tij nuk ka shkuar një zëvendësues. Kjo pikë ka hasur në kundërshti të forta. Një pjesë e juristëve thonë se Llalla duhet të vazhdojë në detyrë deri sa të shkojë pasardhësi i tij dhe të tjerë që argumentojnë se nuk ka më të drejtë të jetë në atë post. Nga ana tjetër politika duket më e çoroditur. I ndodhur në kushte të tilla, lideri i së majtës, kryeministri i vendit, Edi Rama i ka bërë ftesë, Partisë Demokratike, të ulen në tryezë dhe të dialogojnë. Por kjo e fundit refuzon një gjë të tillë, me argumentin, se PS-ja po kërkon të kapë drejtësinë. Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të emërohet për aq kohë sa nuk është ngritur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili është edhe organi që do të bëjë përzgjedhjen e tre kandidaturave për këtë post, të cilat më vonë i dërgohen Kuvendit për miratim.
Fehmi Abdiu: Pas datës 7 dhjetor, Adriatik Llalla nuk mund të firmosë asnjë dokument
Çështja e drejtimit të Prokurorisë së Përgjithshme është kthyer në një mollë sherri. Ndryshimi i ligjeve me qëllim kryerjen e reformës në drejtësi, ka çoroditur jo vetëm politikën, por edhe juristët e konstitucionalistët. Në këtë pikë ata japin argumente të ndryshme. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu, një nga njohësit e më të mirë të Kushtetutës dhe ligjeve në tërësi, deklaroi për gazetën “Telegraf”, se pas datës 7 dhjetor, Llalla nuk është më kryeprokuror. 

-A vazhdon të jetë Llalla në krye të detyrës? A ka ai të drejtë të nënshkruaj pas datës 7 dhjetor? 
Këtyre pyetjeve, Abdiu i përgjigjet prerë. “Sot sipas meje Adriatik Llalla nuk është më prokuror. Për mua ditën që mbaron mandati i tij është e fundit për të. Të nesërmen, ai nuk mund të nënshkruajë asnjë akt në emër të tij si kryeprokuror, nuk mund të kryejë asnjë veprim tjetër. Pra, gjithçka mbaron ditën kur i përfundon mandati.” Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, shprehet për “Telegraf”, se debati tashmë nuk ka lidhje me Llallën, i cili ka ikur. Ajo që ka futur në ngërç këtë proces dhe që ndan në dy kahe politikën, të majtën dhe të djathtën, është mënyra se si do të bëhet zëvendësimi i Adriatik Llallës, në një kohë kur me ndryshimet e fundit Kushtetuese, të drejtën për përzgjedhjen e kandidatit e ka vetëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë. “Nuk flitet për shkarkimin e tij se ai nuk shkarkohet. Çdo gjë bëhet për zëvendësimin”, tha Abdiu. Për konstitucionalistin Fehmi Abdiu, çështja është në një pikë tepër të ndërlikuar. 
Mesditën e së enjtes, Komisioni i Ligjeve u mblodh dhe përcaktoi kriteret për zgjedhjen e prokurorit të përkohshëm, i cili do të zëvendësoi Adriatik Llallën. Për ardhjen e zëvendësuesit është lënë një muaj kohë, ndërsa kandidaturat duhet të paraqiten brenda 5 ditëve. Mënyra se si është duke proceduar e majta, është kundërshtuar nga opozita. Në fund si LSI dhe PD braktisën mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. 
Gjata: Llalla në detyrë deri në zëvendësimin e tij, ndryshe përgjigjet penalisht
Konstitucionalisti, Çlirim Gjata ka bërë një paralajmërim për Kryeprokurorin në detyrë Adriatik Llalla, në një kohë kur politika është përfshirë në debate mbi procedurën që do të ndiqet për zgjedhjen e pasuesit të tij, i cili do të ketë një mandat të përkohshëm.

Gjata thekson, se Llalla duhet të qëndrojë në detyrë derisa të zgjidhet Kryeprokurori tjetër, ndërsa është Këshilli i Lartë i Prokurorisë ai që përcakton se kur mbaron mandati i Kryeprokurorit. “Është parimi i vazhdimësisë. Do të rrijë në detyrë derisa të vijë tjetri. Nuk mund të iki ai, se ndryshe bien institucionet. Si do të drejtohet shteti? Me Kryeministër, me ministra?! Gjithë gjyqtarët, edhe prokurori do vazhdojë sa të vijë një tjetër, pastaj është histori tjetër, qoftë i përkohshëm, qoftë i përhershëm. Por ajo që mund të themi ne sot është, kush e ka thënë që i mbaron mandati sot? Do të numërojmë nga 1 në 5? Jo. Sesi i mbaron mandati e ka të drejtën vetëm Kushtetuta. Vetëm me vendim të KLP deklarohet mbarimi. Askush nuk është kompetent”, thotë Gjata për Top Channel. Sipas Gjatës, Llalla ka të gjitha funksionet siç i kishte dhe përpara përfundimit të mandatit. Ai shkon dhe më tej, kur thekson se, nëse Adriatik Llalla nuk ushtron detyrën, mund të ndiqet penalisht për “shpërdorim detyre”. “Gjëja me banale. Si do të marrin rrogën ata derisa të mblidhet Parlamenti me këtë gjeni Kushtetute që ka bërë, me tërë këto procedura kushtetuese, të zgjedhë tjetrin, s’ka rëndësi i përkohshëm apo i përhershëm që ta zëvendësojë. Nuk është ky problemi kryesor. Problemi kryesor është: A jemi të aftë ne, a kemi predispozita kushtetuese për të ngritur institucione kushtetuese? Unë mendoj, që po. Mirë ose keq, këto që janë. A kemi vullnet politik për ta zbatuar këtë Kushtetutë si është, apo vullnet politik për ta shkelur dhe për të plotësuar interesat tona politike? Kjo është ajo që duhet të diskutohet. Por që do të rrijë Adriatik Llalla si person, si Prokuror i Përgjithshëm, absolutisht. Në rast se nuk shkon, atëherë do të bënte “shpërdorim detyre”, shton Gjata.
Sigal