Kryeparlamentari Ruçi nuk e mohon marrëveshjen PS-PD. Ligjet e reformës në drejtësi nuk rishikohen

527
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Mazhoranca i trembet djegies së mandateve nga opozita, Kryeparlamentari “këshillon” opozitën

Sesioni i ri parlamentar dëshmoi se mazhoranca dhe opozita janë “fortifikuar” në transhetë e tyre politike dhe nuk kanë asnjë vullnet politik, që të lëshojnë “pe”, të bëjnë kompromis me palën kundërshtare, edhe për temat e mëdha të vendit, siç është reforma në Drejtësi dhe procesi i integrimit të Shqipërisë, ku BE-ja i ka dhënë një afat dhe i ka kushtëzuar 13 pika që duhet të plotësohen deri në qershor 2019. Opozita e bojkotoi seancën e parë plenare të Parlamentit, maxhoranca nuk pranoi asnjë kompromis për projektligjin e reformës në drejtësi.

Akuza e fortë e Bashës: Parlamenti është “fole” kriminelësh

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, argumentoi pse Opozita bojkotoi seancën plenare të së hënës, duke akuzuar fort maxhorancën se: “vendi ynë nuk mund të jetë në një fole krimi, siç është sot parlamenti shqiptar”. Siç dihet, kohë më parë parlamenti ynë votoi edhe ligjin e dekriminalizimit, ku, shumë deputetë socialistë u detyruan të linin mandatet e deputetëve, për shkak të rekordeve kriminale. Edhe tani, opozita ka bërë denoncime të forta për deputetë dhe ministra, që bashkëpunojnë me njerëzit e botës së krimit, mirëpo organet e specializuara nuk kanë bërë hetime, ose hetimet ende janë në proces e sipër. Në konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare, Edmond Spaho, kërkoi që deputeti Taulant Balla të përjashtohet nga parlamenti, sepse ka lidhje dhe ka bashkëpunuar edhe me njerëzit e botës së krimit.

Ruçi, Bashës: Kuvendi nuk është “fole” kriminelësh, djegien e mandateve s’ua këshilloj

Në përgjigje të akuzave të kryedemokratit Basha, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, tha se Kuvendi nuk është dhe nuk mund të konsiderohet fole krimi. Ruçi: Kuvendi nuk mund të konsiderohet “fole” kriminelësh. Kuvendi në çdo vend është sovrani që e ka prurë aty sipas Kushtetutës dhe ligjeve. Kush ka vlerësime të veçantë për individë të veçantë ka organe përkatëse dhe legjislacion që bën vlerësimin apo ndëshkimin e tyre.”

Paniku i mazhorancës, për fatin e mandateve të opozitës

Mazhoranca nuk i lë asnjë hapësirë opozitës për vendimmarrjen në parlament. Një nga treguesit e kësaj “censure” parlamentare është se maxhoranca po voton çdo ligj, pa marrë asnjë consensus, nuk pranon asnjë amendament nga opozita. Shembulli më tipik është miratimi i 6 ligjeve të reformës në drejtësi, të cilat u votuan vetëm me votat e maxhorancës, ndërsa projektligji “Për Magjistraturën”, i cili kërkon 84 vota, po zvarritet nga séance në seancë, sepse maxhoranca nuk pranon propozimet e opozitës, për të dhënë konsensusin. Edhe kryeparlamentari Ruçi, u shpreh kundër kërkesës së opozitës për të rishkruar 6 ligjet e reformës në drejtësi. Ruçi“Nuk ka bllokim as kushtetues dhe as ligjor deri tashmë reforma në drejtësi është pa kthim prapa.” Mirëpo, halli i mazhorancës është që opozita të mos bojkotojë përgjithmonë parlamentin. Bojkoti i përhershëm i parlamentit nga opozita do ta vinte në vështirësi të madhe mazhorancën, kostoja politike të djegies së mandateve do t’i faturohet vetëm arrogancës parlamentare të mazhorancës, për më tepër, që tani kryeministri Rama nuk e ka më atë mbështetje politike nga ambasadorët e SHBA dhe të BE-së, të cilëve u është mbaruar mandati dhe janë larguar nga Shqipëria dhe nuk dihet aspak, se çfarë qëndrimi do të mbajnë ambasadorët e rinj, që pritet të vijnë në Tiranë. Kryeministri Rama u vu në vështirësi të madhe politike në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2017-s, me bojkotin e opozitës në parlament, dhe nuk do kurrsesi, që ngjarjet të përsëriten, kur kemi përpara edhe afatin kohor të qershorit 2019, për vendimmarrjen e hapjes së negociatave me BE. Kryeparlamentari Ruçi, e pranoi se djegia e mandateve nga opozita nuk është e këshillueshme. Ruçi: Para këtij sesioni ka pasur zëra të veçantë për djegien e mandateve. Nga përvoja e gjatë politike më rezulton se për çdo forcë politike nuk ka bërë vaki për herë të parë, nuk janë djegur mandatet. Por ka gjithmonë një herë të parë, nuk e këshilloj këtë, por më rezulton si termi kushtëzim që unë e kam përdorur ashtu si bojkotin, apo edhe djegia e mandateve kanë qenë të diskutuara dhe nga opozita ime e dikurshme. Më rezulton se efektiviteti i një opozitë është lufta dhe përpjekja brenda sistemit, jo jashtë.

Kryeparlamentari Ruçi: Pa konsensusin e Opozitës nuk ka reformë zgjedhore

Kryeparlamentari Ruçi, dje pranoi se nuk mund të miratohet reforma e re zgjedhore në parlament pa konsesusin e opozitës. Ky pohim i kryeparlamentarit mund të hedhë dritë edhe në skenarët që përfliten, se PS dhe PD mund të kenë bërë në prapaskenë marrëveshje, që të ruajnë siç është sistemi zgjedhor actual, ku siç dihet, u jep atyre privilegjet zgjedhore në krahasim me partitë e tjera, por edhe kryetarëve të PS dhe PD monopolin e Listës së Mbyllur, për të emëruar ata cilët do jenë deputetët e ardhshëm të partive të tyre. Po të kemi parasysh, se bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar të reformës zgjedhore Çuçi pohoi para disa ditësh, se po shkruhen amendamentet e ligjeve të reformës së re zgjedhore, domethënë, marrëveshja PS-PD për reformën zgjedhore është arritur, thjesht, pritet të votohet, në fund të vitit, siç pohoi edhe kryeparlamentari Ruçi: Reforma zgjedhore të përfundojë brenda kësaj legjislature. Nuk ka Kod elektoral, apo ndryshime a implementime të kodit, pa dakordësinë e të gjithë forcave politike e veçanërisht opozitës. S’ka vakuum ligjor”.