Kryeparlamentari Ilir Meta, priti kreun e Vetëvendosjes z. Visar Ymeri dhe Deputetin z. Albin Kurti

416
Sigal

Në vijim të nismës dhe aktivitetit për frymën e bashkëpunimit mes shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri, por edhe në trevat e tjera me prioritet integrimin kombëtar në BE, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Ilir Meta, zhvilloi një takim me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje z. Visar Ymeri, dhe z. Albin Kurti, deputetë në Kuvendin e Kosovës. Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet e fundit shqetësuese në Kosovë e në rajon duke vënë theksin tek rëndësia e intensifikimit të bashkëpunimit ndërqeveritar e ndër-parlamentar mes Shqipërisë e Kosovës. Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta shprehu shqetësimin e tij për rritjen e tensioneve gjatë kohëve të fundit në Kosovë të cilat janë demonstruar përmes incidentit provokues të trenit, ndalimit të Kryetarit të AAK z. Ramush Haradinaj në Francë si dhe përmes murit të ngritur në Mitrovicë. Kryetari i Kuvendit Meta theksoi në këtë drejtim rëndësinë e frymës së bashkëpunimit dhe dialogut konstruktiv mes të gjitha palëve për të prodhuar zgjidhje afatgjata që i shërbejnë stabilitetit të qëndrueshëm, paqes e sigurisë në Kosovë e në gjithë rajonin e Ballkanit.