Kryeministri Rama: Opozita është në panik, Luli nuk e përballlon dot një humbje tjetër, prandaj braktisi parlamentin

468
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kryeministri Rama, pas dorëzimit të mandateve të Opozitës, shfaqet i nervozuar, i pasigurt për zgjidhjet që duhet të japë, edhe pse pardje deklaroi se nuk do të dorëhiqet, as do të lejojë zgjidhje të parakohshme. Por, deri tani, kryeministri Rama gjithmonë ka bërë të kundërtën e atyre sa ka deklaruar, kur është vënë me shpatulla prej muri, prandaj, mundohet që fillimisht, ta injorojë largimin e opozitës nga parlamenti, pasi nuk mundi ta thyejë as me “penicilinat” që i dhanë miqtë ndërkombëtarë, të cilët bënë presion tek opozita, që të mos dorëzonin mandatet. Ndërsa dje, kryeministri Rama u hodh në sulm me akuza ndaj opozitës, sikundër mendon se do fitojë kohë, terren, por edhe betejën politike.

Banorët e Jugut i bllokojnë rrugën

Ashtu sikundër edhe banorët e Veriut, edhe gjirokastritët dje janë ngritur në protestë dhe kanë bllokuar rrugën nacionale Tepelenë – Gjirokastër kryeministrit Rama, i cili shkon për vizitë 2 ditore. Qytetarët kërkuan nga kryeministri Rama që të kthehet mbrapsht. Ai duhet të kthehet mbrapsht dhe të japë dorëheqjen. Populli është i gjithi në rrugë, duke ikur jashtë shtetit, i detyruar nga varfëria, mjerimi, papunësia, – u shprehën qytetarët e revoltuar.

Rama: Opozita është në panik, drejtësia ka disa punë me ta!

Kryeministri Rama në një takim me studentë dhe qytetarë në Gjirokastër, në kuadrin e fushatës elektorale për zgjedhjet bashkiake të 30 qershorit, u mundua t’u shpjegojë shqiptarëve, se opozita u largua nga parlamenti nga frika që ka ndaj SPAK, që po ndërtohet dhe pohoi se tani ky institucion i drejtësisë, do të merret me …korrupsionin e opozitarëve. Mirëpo, kryeministri tregohet edhe naiv dhe harron se opozita është pa imunitet ndaj çdo hetimi të prokurorisë, por, edhe mundohet që të diktojë vendimmarrjen e prokurorisë, derisa e adreson, që të hetojnë vetëm opozitën. Kryeministri Rama: Ata janë në panik sepse e shohin që nuk ka asnjë mundësi që ta pengojnë drejtësinë, nuk kanë asnjë mundësi t’i mbyllin rrugën drejtësisë dhe e dinë gjithë shqiptarët se drejtësia ka disa punë me ta. Ata duke braktisur kuvendin dhe duke u përpjekur si i mbyturi që kapet pas fijes së barit dhe ta udhëheqin këtë vend në rrugën e destabilitetit, për ta bërë tym e flakë dhe të largohen në këtë mjegull, nuk ka asnjë shans të funksionojë!.

Luli iku, sepse nuk e përballon dot një humbje tjetër

Vetëm kryeministri Rama ka iluzion se mazhoranca e tij, e vetme në parlament mund të bëjë zgjedhje lokale, derisa dje premtoi se edhe zgjedhjet e 30 qershorit i ka të fituara. Rama: “Së pari ata e dinë shumë mirë që ata nuk kanë asnjë shans që të na mundin dhe e thonë vetë. Lulzimi nuk e përballon dot një humbje tjetër se ai që e mban aty dhe ata që e kanë sjellë, nuk do ta mbanin dhe prandaj thotë më mirë të iki.

Rama i bërtet studentes: “Mos më ndërprit”

Kryeministri Edi Rama replikoi ashpër me një studente në Universitetin e Gjirokastrës “Eqrem Çabej”. Studentja: Po shikoj njerëzit e mi që po ikin, po shoh realitetin. Po shoh në spitale. Po ikin infermierët në Gjermani. Rama: Mos më ndërprit. Dija është prova, dija është argument. Ku po e shikon? A po ikin njerëz në Gjermani, po po ikin dhe do të ikin, sepse nuk jemi në bunkerin e shokut. E kam problem debatin pa fakt.

 Studentja: Nuk më ktheni përgjigje, as në portalin tuaj

Studentja: Të kam nisur 3-4 mesazhe dhe nuk më keni kthyer përgjigje. Si i bëhet për kategorinë tonë që jemi studentë dhe kryefamiljarë dhe nuk marrim asnjë ndihmë nga shteti, se me keni përjashtuar dhe nga ndihma sociale. Unë jam nënë e një fëmije, dhe studimi është një e mirë për familjen time. Rama: Të kam kthyer përgjigje, dhe të kam thënë që të shkruash te platforma për Shqipërinë që duam. Studentja: Jo nuk me ke kthyer përgjigje, po gënjen, nuk më ka ardhur asnjë mesazh nga ju.