Kryebashkiaku Lulzim Basha, urim të veçantë për vitin e ri shkollor, dhurata për nxënësit

    384
    Sigal

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për t’i uruar nisjen e vitit të ri shkollor nxënësve që për herë të parë ulen në bankat e shkollës. Rreth 5300 fëmijë të klasave të para kanë gjetur në bankat e tyre një dhuratë simbolike, me mjetet mësimore nga Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha, të shoqëruara me një kartolinë urimi. Zoti Basha ishte dje në shkollën “Jeronim De Rada”, nga u ka uruar suksese, të gjithë nxënësve të kryeqytetit që nisën dje vitin e ri shkollor. “Ju uroj nga zemra, ju dhe prindërve tuaj, të keni një vit sa më të mbarë! Një urim të veçantë kam për të gjithë fëmijët që fillojnë klasën e parë në qytetin tonë dhe që janë plot 5305 fëmijë. Uroj të jetë sa më paharrueshme kjo ditë, e cila shënon fillimin e rrugës së bukur të dijes, për ta. Të njëjtin urim u përcjell edhe fëmijëve të tjerë të qytetit, nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme që fillojnë sot vitin e ri shkollor 2012-2013. Është një vit i veçantë, viti i Pavarësisë dhe krahas programit mësimor, këto institucione të qytetit tonë, shkollat 9-vjeçare, shkollat e mesme janë edhe partnerët e Bashkisë, në realizimin e një sërë aktivitetesh, siç janë konkurset, olimpiadat, kampionatet sportive që do të jenë jo vetëm risia e këtij viti, por pjesë e pandarë e përkushtimit të Bashkisë së Tiranës, për të mbushur në mënyrë sa më domethënëse dhe kuptimplotë kohën e lirë të fëmijëve të kryeqytetit, të nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Ju premtoj se Bashkia e Tiranës do të investojë fort në krijimin e ambienteve të reja sportive.