Kriza, sot negociatorët ndërkombëtarë ulen me Ramën e Bashën

508
Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme, David McAllister, dhe relatori për Shqipërinë, Knut Fleckenstein takojnë kryetarët e PS, PD dhe LSI-së

Negociatorët ndërkombëtarë do të mbërrijnë sot në Tiranë në përpjekjen ndoshta të fundit për të gjetur një zgjidhje lidhur me krizën politike në Shqipëri. Një mision i Parlamentit Evropian, i përbërë nga David McAllister, kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme, dhe relatori për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, do të mbërrijnë në mesditë në Rinas për të parë rrugët e mundshme të gjetjes së një kompromisi që do t’i jepte fund përplasjes së fortë politike. McAllister është njëkohësisht dhe zëvendëspresident i Partive Popullore Evropiane (PPE), familjes së qendrës së djathtë, ku bën pjesë dhe Partia Demokratike. 

Sipas burimeve politike, negociatorët e Parlamentit Europian kanë hartuar një plan me 12 pika që u është dërguar paraprakisht edhe tre liderëve kryesorë politikë në vend. Edi Rama, Lulzim Basha dhe Ilir Meta, sipas burimeve, janë vënë paraprakisht në dijeni të disa linjave të këtij projekti, që pritet të shërbejë edhe si bazë për një negociim mes palëve. Informacionet rreth këtij projekti mbeten të pakta, por gjatë atyre pak orëve të qëndrimit në Tiranë, McAllister dhe Fleckenstein do të tentojnë të bashkojnë palët. Fillimisht mbërritja e tyre në Tiranë ishte parashikuar për dje në mbrëmje, por është shtyrë për mesditën e së martës. 

Përfshirja e Partive Popullore Evropian në krizën shqiptare, si faktor negociues, u kërkua pas një takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentarit Ilir Meta. Të dy zyrtarët evropianë do të zhvillojnë fillimisht takime të ndara me palët politike dhe nëse gjenden hapësirat e dialogut, sipas burimeve, mund të tentohet edhe një takim mes drejtuesve të shumicës parlamentare dhe atyre të opozitës. Një mundësi që duket e largët për sa kohë opozita këmbëngul në largimin e qeverisë “Rama”, ndërsa kryeministri ka hedhur poshtë mundësinë e lëshimit të drejtimit të ekzekutivit. Opozita ka refuzuar të regjistrohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, ndërsa tashmë është kaluar edhe afati i përcaktuar për koalicionet. Ende PS dhe LSI nuk kanë firmosur zyrtarisht një koalicion, ndërsa më 29 prill është afati i fundit për partitë e regjistruara për të dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë. Një kërkesë e PS-së e LSI-së për shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve deri më 29 prill nuk është miratuar zyrtarisht nga KQZ-ja, duke lënë jashtë rreshtimit në krah të PS-së edhe shumë parti të tjera aleate. Gjithashtu, mazhoranca ka shtyrë edhe zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, duke djegur dy raundet e para të votimit pa paraqitur asnjë kandidaturë. Nuk dihet nëse kjo çështje do të jetë sot në tryezën e negociatorëve, por drejtuesit e shumicës parlamentare kanë shprehur vullnetin për t’u konsultuar edhe me opozitën lidhur me emrin e drejtuesit të shtetit për 5 vitet e ardhshëm. 

Sigal