Kriza në Greqi, varfëria në Shqipëri

480
Dje, parlamenti grek, ka miratuar paketën e dytë të reformave të kërkuar nga TROJKA, për të siguruar mbështetjen e tyre për paketën e re të ndihmës financiare. Pas miratimit të kësaj pakete, tashmë Athina mund të nisë negociatat për paketën e 86 miliardë eurove hua nga kreditorët e saj. Ndërsa në Parlament diskutohej për paketën e reformave, në sheshin “Sintagma” ishin mbledhur rreth 500 persona për të protestuar kundër kësaj pakete. “Të mblidhemi kundër Trojkës së luftës”, ishte një prej parullave të manifestuesve. Ndërsa paketa e miratuar në orët e para të së enjtes është e një natyre më strukturore, një kod i mbrojtjes civile që synon përshpejtimin e procedurave gjyqësore duke reduktuar ndjeshëm kostot dhe adoptimi i një direktive të Bashkimit Europian për mbrojtjen e depozitave të qytetarëve me më pak 100 mijë euro.
Ndihma për familjet në nevojë
Ndërkohë, qeveria greke e kryeministrit Cipras zbaton një politikë sociale në ndihmë të familjeve në nevojë, duke patur parasysh edhe pasojat e krizës greke dhe rritjen e papunësisë. Kështu, familjet në nevojë, të cilat kanë pak të ardhura vjetore, më pak se 4.000 euro deri në 10.000 do të marrin ndihma sociale, sikurse shteti do t’u paguajë një shumë nga qiraja dhe kjo do të varet nga numri i pjesëtarëve të familjes. Kështu, për familjet që u miratohet kjo ndihmë, shteti do t’u paguajë nga 40 euro për çdo pjesëtar të familjes, qira mujore. Shteti njëkohësisht do t’u paguajë edhe faturën e energjisë elektrike familjeve në nevojë. Plus këtyre ndihmave, shteti do të paguajë për çdo familje në nevojë, apo edhe individë që nuk kanë familje, por që janë të papunë edhe një një shumë prej 70-200 euro për ushqime në supermarkete e kjo do të variojë sipas numrit të pjesëtarëve të familjes. Familjet që përfitojnë këtë ndihmesë sociale, pasi kanë bërë kërkesën pranë zyrave të shërbimit, KEP, do të marrin nga kjo zyrë një kartë elektronike për ta përdorur për të blerë ushqime në supermarket, ndërsa shuma e miratuar për pagimin e qirasë, do të shkojë në llogari bankare të qiradhënësit, ndërsa faturat e energjisë elektrike do të paguhen automatikisht, pa qënë nevoja që familja të marrë euro në dorë e të shkojë të paguajë faturat. Fillimisht, ky program i ndihmës sociale, filloi në një program pilot në disa bashki të Greqisë, ndërsa tani zbatohet në të gjitha bashkitë e vendit. Gjithashtu qeveria greke ka pezulluar ligjin e sekuestrimit të shtëpisë së parë nga bankat për këdo qytetar e familje që nuk ka mundësi ekonomike të paguajë huanë e blerjes së shtëpisë. 
Në Shqipëri, burg për familjarët që nuk paguajnë energji eletrike
Krejt e kundërt ndodh në Shqipëri. Qeveria e Majtë, mospagimin e energjisë elektrike e penalizoi, ndërkohë që rriti edhe çmimin e kilovatorit me 24 %, që nga janari i 2015. Tashmë, nëse një familje që nuk paguan energjinë elektrike, me ligj i sekuestrohet edhe shtëpia, kur kjo shumë kalon një limit prej 1.5 milionë lekë dhe ligji parashikon edhe burg, nëse ndokush mundohet që të bëjë lidhje të paligjshme. Ish ministri i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj, kohë më parë nxorri nga skema e ndihmës sociale mbi 20.000 familje, me pretekstin se kishin të ardhura të mjaftueshme, meqë kanë një…frigorifer në shtëpi. Në Shqipëri ende nuk ka asnjë studim, apo ligj që të përcaktojë minimumin e nivelit të jetesës të familjeve, mbi të cilin të bazohet çdo dhënie ndihme sociale e shtetit për familjet në nevojë. 
Sigal