Kristo Papajani, njeriu i luleve dhe ideatori i parë i shëtitores së Vlorës

    900
    Sigal

    Projekti i shëtitores Skelë-Uji i Ftohtë ndër vite

    Shëtitorja e Vlorës në bregun e detit nga Skela në Ujin e Ftohtë ka një histori tjetër më interesante nga sa e paraqesin. Kjo histori lidhet direkt me një emër të madh të Vlorës, Kristo Papajanin. Kristo Papajani në rininë e tij ka qenë shumë aktiv, në krye të demonstratës së bukës që u zhvillua në Vlorë gjatë pushtimit fashist, organizator i piknikut të madh të rinisë vlonjate në Babicë, ku Kristua këndonte dhe i binte kitarës. Student i Shkollës Tregtare etj.. Kristo Papajani në kohën e Luftës së Dytë Botërore ka qenë një nga guerilasit më të njohur të asaj periudhe në qytetin e Vlorës, madje autori i hedhjes në erë të vaporit ushtarak italian në Portin e Vlorës, atentat i kryer pas orës 02 të natës duke shkuar me notë atje dhe me vete kishte dy mina angleze të lidhura mbi një kamerdare makine. Pas këtij aksioni Kristo Papajani doli në mal partizan dhe ishte përgjegjës i rinisë i Brigadës së V Sulmuse. Pas Çlirimit të Shqipërisë Kristo Papajanin e emërojnë drejtorin e parë të Minierës së Selenicës, një minierë e shkatërruar që Kristua e ngriti dhe e vuri në punë. Kristo Papajani ka qenë Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit në vitin 1946, por e shkarkuan pasi qëlloi një arbitër të huaj gjatë një ndeshje ndërkombëtare për arbitrim të njëanshëm kundër ekipit tonë kombëtar. Kristo Papajani ka qenë Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Vlorës në vitet 50 dhe një nga iniciuesit, programuesit dhe mbikëqyrësit e zbatimit të projektit për shëtitoren e Vlorës Skelë-Uji i Ftohtë, rrugës Vlorë-Skelë, Parkut “Rinia” Plazhit të Ri” Fidanishtes së Vlorës, parqeve, lulishteve, shatërvanëve dhe statujave anë e këndë Vlorës.

    -Historia e Rrugës Vlorë-Skelë

    Rruga Vlorë-Skelë ka qenë e ngushtë dhe në të dyja anët e saj kishte dy kanale që shkonin drejtë detit. Kur Kristo Papajani u emërua Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Vlorës menjëherë nisi punën për ndryshimin dhe urbanizimin e qytetit mbështetur nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë si Pandeli Shamo etj.. Puna nisi me rrugën Vlorë-Skelë, ku u asfaltua aksi kryesor dhe u mbushën të dy kanalet përgjatë tij, të cilët u shtruan me çimento (mbeturina çimentoje nga një fabrikë në Shkodër) Veç kësaj, Kristo Papajani mbolli në të gjithë gjatësinë e rrugës portokalle. Fidanët e portokallieve ishin sjellë nga Italia për t’u mbjellë rreth vilave në Ujin e Ftohtë, por Kristua dha urdhër që ato të mbilleshin përgjatë trotuareve. Kristo Papajani u kritikua nga Byroja Politike për çimenton e harxhuar për të mbushur dy kanalet përgjatë rrugës Vlorë-Skelë dhe portokallet që kishin ardhur nga Italia për vilat e Ujit të ftohtë. Kristoja u justifikua duke thënë: “S’kam bërë gjë tjetër, veçse mbulova dy kanale që shkaktonin mushkonja dhe erë të keqe”. Anës kanaleve të mbuluara dhe të kthyera në trotuare, u mbollën eukalipte fara e të cilave erdhi nga Bashkimi Sovjetik. Vlonjatët e vjetër tregojnë se, kur u rritën portokallet dhe nisën të bëjnë kokrra, ato vileshin dhe u dhuroheshin kalimtarëve. Veç portokalleve përgjatë rrugës Vlorë-Skelë u mbollën edhe palma të variacioneve të ndryshme. Po ashtu, në trotuare ishin krijuar edhe parcela të mbushura me lule, trëndafila, karafila, zambak, menekshe e gjithfarë lulesh dhe shkurresh, këto të fundit të sjella nga malet dhe luginat e Labërisë. Përgjatë rrugës Vlorë-Skelë u vendosën shumë statuja me motive pune dhe arti. Por rruga Vlorë-Skelë ndryshoi pamjen e saj në vitin 1987 disa muaj përpara ndeshjes së madhe Flamurtari-Partizani i Beogradit. Rruga u zgjerua, pasi rruga e mëparshme kishte hapësirën e nevojshme të zgjerimit të saj, sepse pallatet që ishin ndërtuar përgjatë saj, ishin lenë 18 m larg rrugës së vjetër nga të dyja anët. Në krye të punëve për rikonstruksionin e rrugës Vlorë-Skelë ishte i palodhuri Vasillaq Ndini, ish futbollist dhe trajner i “Flamurtarit” në vitet 50-60 dhe Drejtor i Ndërmarrjes Komunale, i cili i qëndroi punës në kokë. Madje, kur erdhi puna për shkuljen e palmave të vjetra, u përdor dinamiti. Palmat nuk shkuleshin kollaj, megjithëse trungun e tyre e lidhën me litar dhe e tërhoqën me kamionë, ata këputeshin por nuk shkuleshim me rrënjë. Kështu që u vendos të shpohej një vrimë në thellësi të rrënjëve të palmave dhe të futeshin kallëpe dinamiti dhe vetëm kështu u shkulëm palmat, rrënjët e të cilave janë thellë në tokë dhe të lidhura mirë. Sot magjistrali Vlorë-Skelë 2.3 km i gjatë mban emrin Bulevardi “Ismail Qemali” sepse lidh Sheshin Historik të Flamurit me Sheshin “Pavarësia” në Skelë ku ndodhet edhe Muzeu Kombëtar i Pavarësisë. Në këtë shtëpi u vendos Qeveria e Vlorës pas shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor 1912 në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës në Sheshin e Flamurit, atje ku sot ndodhet Monumenti i Pavarësisë. Fotot e daljes së Kryeministrit Ismail Qemali në ballkonin e kësaj shtëpie në Skelë, janë bërë në një vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë 28 nëntor 1913.

    -Shëtitorja Skelë-Uji i Ftohtë

    Në vitet ‘50 Kristo Papajani si Kryetar i Komitetit Ekzekutivë të Rrethit të Vlorës kërkoi ndërtimin e një shëtitoreje përgjatë vijës bregdetare nga Skela deri tek tuneli. Për këtë gjë u përgatit edhe projekti, duke marrë në konsideratë edhe përvojën botërore, kryesisht atë të vendeve të lindjes ku kishin pasur rastin të ishin edhe drejtuesit e asaj kohe të Vlorës. Kryetari Kristo Papajani ia nisi projektin Ministrit të Punëve Botore Spiro Koleka për ta miratuar dhe financuar. Për të qenë më i sigurt dhe për të marrë informacione të sakta mbi fatin e projektit, Kristua i la porosi sekretares së Ministrit Koleka, të cilën e kishte pasur shoqe luftë në Brigadën e V Sulmuese gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sekretarja mes shkresurinave që do ti çonte Ministrit Koleka për t’i firmosur, i çon edhe projektin e dërguar nga Kristo Papajani. Ministri Koleka e shikon projektin dhe e refuzon për arsye financiare. Kuptohet, Shqipëria sapo kishte kaluar dekadën e parë në liri pas luftës dhe gjunjët e sajë nuk mbanin dot sipërmarrje turistike kaq të mëdha siç kërkonte Kristua për Vlorën, por Vlora e meritonte, po të kihej parasysh kontributi i saj në luftë. Sekretarja e Ministrit Koleka i telefonon Kristos dhe i thotë që, Ministri nuk pranoi ta firmoste projektin e shëtitores, (kompleksit turistik të Plazhit të Ri dhe deri tek tuneli i Ujit të Ftohtë). Atëherë Kristua i thotë, çoja prapë radhës tjetër. Pas një muaji sekretarja së bashku me disa dokumente i çon Ministrit Koleka projektin për vijën bregdetare të Vlorës, por përsëri Ministri nuk e firmosi duke e shtyrë tej. Sekretarja e Ministrit Koleka i telefonon përsëri Kristos dhe i thotë se, Ministri e refuzoi përsëri projektin. Po tani ç’të bëjë, pyet ajo? Çoja prapë radhës tjetër, i thotë Kristua. Kaluan disa kohë dhe sekretarja tentoi prapë që t’ia çonte projektin Ministrit Koleka për ta firmosur. Përsëri Ministri e refuzoi me argumentin se nuk mundemi financiarisht. E mërzitur sekretarja i telefonon Kristos dhe i thotë se Ministri Koleka nuk ka dëshirë ta firmos, dhe tha se nuk kemi mundësi financiare, por Kristua e inkurajon sekretaren. Çoja prapë radhës tjetër. Ç’të bënte e shkreta sekretare, nuk ja prishte dot shokut të luftës dhe pas një farë kohe ja çon prapë projektin mbi tavolinë Ministrit Spiro Koleka për ta firmosur dhe, a e dini çfarë ndodhi? Ministri Koleka tha: “Oooo, prapë me këtë ju” dhe e firmosi! Sekretarja fluturoi nga gëzimi dhe menjëherë i telefonoi Kristo Papajanit për t’i dhënë sihariqin. Kështu nisi puna për ndërtimin e kompleksit turistik modern të Plazhit të Ri, si pjesa kryesore e projektit të shëtitores Skelë-Uji i Ftohtë. Një projekt që përfundoi në vitin 1957, në të cilin pushuan me mijëra qytetar shqiptar dhe të huaj (rus, kinez, gjermano-lindor, polak etj). Kompleksi turistik i Plazhit të Ri përmbante në vetvete kabinat e plazhit, restorantin me pistë vallëzimi, një hotel të vogël, një market ushqimor, një fushë sportive, një ambulancë, një zyrë policie, një mol me trampolinë, një gardërobë, dushe kolektive, parkim varkash me rrema për shëtitje, çadra me qira etj., etj.. Kompleksi turistik i Plazhit të Ri ishte i rrethuar me kangjella, kishte dy dyer kryesore dhe ishte i mbrojtur nga lindja me drurë plepash dhe ekualiptesh.

    -Vazhdimi i projektit

    Me interesimin personal të Kristo Papajanit dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, ndërtimi i kompleksit turistik të Plazhit të Ri u shoqërua me të tjerë anekse, që plotësonin projektin e shëtitores Skelë-Uji i Ftohtë ndër vite. Në të gjithë këtë gjatësi rruge prej afro 3 km u ndërtuan sipërfaqe të gjelbra, u mbollën palma, ekualipta, shkurre të ndryshme, lule dhe u vendosën kënde me stola për shplodhje gjatë mbrëmjeve verore. Po kështu në ujin e Ftohtë u ndërtuan tarraca turistike të gjelbëruara, me statuja, shatërvanë dhe gjelbërim, siç ishte ajo Drapër e Çekan, si dhe lokalet e bukur ku netëve verore pihej birrë e freskët fuçie dhe era e bërxollave ndillte klientët nënë muzikën e largët të ndonjë saksi. Pikërisht në këto mjedise vinte shpesh edhe i paharruari Kristo Papajani gjatë kohës që ishte me punë në Tiranë. Të mos harrojmë, Kristo Papajani kur iku nga Vlora u emërua Ministër i Punëve Botore, më vonë Drejtor i Përgjithshëm i Ndërmarrjeve Komunale dhe mban mbi vete edhe ndërtimin e Qytetit Studenti në Tiranë dhe mjediseve shplodhëse brenda tij. Në fakt zona nga Skela në Ujin e Ftohtë nuk mundi të përfundonte dhe të plotësohej sipas idesë dhe projektit që kishte  Kristo Papajani. Sipas Qemal Myrselit, njërit prej bashkëpunëtorëve dhe njohësve të Kristos, e gjithë zona prej Skelës, vazhdimi gjatë gjithë kodrave e deri tek Uji i Ftohtë do të qëndisej me vila, shtëpi pushimi, kënde sportive, parqe shplodhëse, mbjellje bimësh dekorative, etj., por ky plan nuk u realizua për mungesë fondesh. Faleminderit Kristo Papajani, njeriu i luleve dhe Qytetar Nderi i Vlorës!

    -Shëtitorja e bregdetit të Vlorës në vitet ‘80

    Veç Kristo Papajanit një tjetër personalitet që la gjurmët e tij në qytetin e Vlorës ishte edhe Nedin Hoxha, i cili ishte Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Vlorës në fundin e viteve ‘80. Nedin Hoxha si gjirokastrit i mirë që ishte, kishte një pasion të madh për të bukurën dhe ia nisi menjëherë punës. Vlorës bukurinë ja ka falur natyra, por dora e njeriut mund ta bëjë edhe më të bukur. Nedin Hoxha mblodhi të gjithë drejtorët e ndërmarrjeve ekonomike të qytetit dhe u kërkoi që fondet e tepërta ti hidhnin në ndërtimin e shëtitores nga Skela në Ujin e Ftohtë dhe të një plazhi të ri. Kështu u ndanë punët dhe secila ndërmarrje veç mjeteve financiare kontribuonte edhe me punëtor. U shtrua një trotuar i ri me mozaik nga Akademia e Marinës e deri tek Rrapi. Gjithashtu u ndërtua trotuari me mozaik që nisi nga Plazhi i Ri e deri tek tuneli në Ujin e Ftohtë, pasi në këtë segment rruge nuk kishte pasur trotuar për shëtitje. Gjithashtu shëtitorja e re u mbrojt me kangjella të prodhuara në uzinën e Kuçovës. U ndërtua një plazh i ri tek “Moli i Naftës” që nga vendasit u quajt; “Plazhi i Nedinit” dhe, do të kishte bërë edhe më, nëse vitet 90 do ta linin në krye të punëve në Vlorë. Faleminderit Nedin Hoxha!

    -Projekti i Lungomares

    Ka qenë prej kohësh në planet e Bashkisë së Vlorës. Pikërisht mbi këtë projekt dhe mbi këtë ambicie Qeveria Shqiptare dhe Kryeministri Edi Rama ka marrë angazhimin për një projekt të ri të vijës bregdetare të Vlorës, që fillon nga Pylli i Sodës dhe shkon tek tuneli në Ujin e Ftohtë 5 km i gjatë, projekt që u shpalos në konkursin ndërkombëtar të datës 21 shkurt 2014 dhe ku doli fituese studioja belge “XDGA”.