Kristo Mërtiri:“Mendojnë” shqip dhe flasin “greqisht”…

591
Sigal

 

E enjtja e
fundit (dita gojëshqyer e Parlamentit tonë të përmbytur me biznesmenë e policë)
do ishte hedhur në krahët e monotonisë dhe të qetësisë gati mortore, nëse nuk
do kish shkrepur si rrufe në qiellin e pastër të këtij fund tetori ai Dekreti
presidencial që pagëzoi 67 viktima si “Martirë të Demokracisë”. Vallë, ç’duhet
të them unë sot që mbaj emrin e gjyshit të shtrenjtë, kur operacioni armik i
dimrit (1943-44) te Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit u mbyll me djegien e
shkrumbimin e shtëpisë, torturimin, masakrimin e pushkatimin e tij nga nazistët
gjermanë mbi Buzën e Savës dhe vërvitjen e kufomës në humnerën buzë Vjosës?! Të
vetmin burrë nga 30 bashkëfshatarët e vendosur para tytave hitleriane të
vdekjes. Rrodhën mbi 72 vjet dhe nuk pashë kurrë qoftë edhe një pllakë përkujtimore;
asnjë dekorim në rreth, qark a në qendër; asnjë tubim të posaçëm; asnjë titull
a shpërblim financiar! (Vetëm të paharruarit veteranë Vangjel Vllaho, Thanas Fështi
e Koço Marto, nuk pushuan së shkruari letra-kërkesa në Tepelenë e gjer në Tiranë,
por sa qenë gjallë nuk morën dot ndonjë përgjigje institucionale e shtetërore.
Madje, në takimin e fundit te kafe “Vjosa”, vetë Vangjeli ma la si porosi e
amanet: “Mos rrini mënjanë si gjer më sot, interesohuni e kërkoni të zbatohet ligji
siç është bërë për të tjerët…Shkoni e trokisni me kokën lart për xhaxha Kiçon e
mirë që priste e përcillte partizanët e Brigadës së Parë, siç bëri edhe baba
Gaqua me prindërit e Mehmet Shehut…Po i lamë kështu, atë Grykë do kërkojnë ta
veshin me varrezat e botës! Nuk thoshin kot të parët, ata që nuk janë të zotë për
veten, nuk janë as për të tjerët”. U ndrittë shpirti atje ku prehen!…). Megjithëse
disa veteranë të nderuar e pasardhës dinjitozë, çuditërisht e mbajnë të
regjistruar si dëshmor, pa vendim a dekret zyrtar!… Por le të mos shkëputemi
nga fillimi i shkrimit. Mungesa e doktor Berishës në sallën e Parlamentit,
sikur krijonte një lloj boshllëku të pazëvendësueshëm. Kjo mungesë ndoshta edhe
tërthorazi ndikoi a shërbeu si një “zjarrfikëse” për atë vatër batutash që u
ndez dhe u shua shpejt te ajo foltore zhurmëmadhe. Sepse të nesërmen, erdhi
informacioni taze që tulati dhe largoi hamendjet e mjaft lexuesve të djathtë e
të majtë në Shqipërizën tonë: “Berisha takon ambasadoren e Greqisë, por harron
t’i përmendë çështjen çame”(?!). Zonja Eleni Sourani, i paska shprehur Doktorit
mirënjohjen “për kontributin e dhënë në nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë
Shqipëri-Greqi” dhe paska pohuar përparimin e marrëdhënieve me Kosovën, të udhëhequra
nga interesi bilateral. Ndërsa Berisha paska evidentuar fort bazat e bashkëpunimit
dhe të marrëdhënieve miqësore e të shkëlqyera në të ardhmen. Dhe nënvizoi në përgjithësi
e pa adresime, por prerë: “Problemet e trashëguara duhet të zgjidhen duke
njohur realitetet. Sikundër mendoj se duhet shmangur nga kushdo përdorimi i
tyre për qëllime elektorale”. Duke rilëçitur këtë fjalinë e fundit, mendja më
shkoi natyrshëm te prononcimi publik i Metës pak ditë më parë. E njëjta ide. I
njëjti shqetësim i drejtë. Dhe aty për aty, m’u drejtua një miku im publicist
te Brryli në Kryeqytet: -Sonte bëj durim e dëgjo “dyfeqet” e liderëve të PDIU,
siç bënë me Kryetarin e Kuvendit… Por nuk pipëtiu asgjë nga foltoret partiake
me mikrofona e kamera në dispozicion. Dhe as mërmëriti ndonjë patriot i
akshamit. Kemi të bëjmë thjesht me dy standarde? Apo me daulle të shpuar e
hipokrizi të kulluar?…

Për çështjen çame

Së pari, për çështjen
çame, mendoj se Ilir Meta nuk foli si në qyp, as brenda kulisave parlamentare e
qeveritare, por u shpreh hapur e çiltër se mënyra e vetme e zgjidhjes është
dialogu dhe jo retorika apo protagonizmi spekulativ. Foli në median e Athinës
dhe në atë të Tiranës. Pa përdredhur a ndërruar gjuhën dhe fjalorin politik të
saj. Ndërsa findet e rëndomta
elektorale i bëjnë të tjerët që shpesh ngopen me lugë të zbrazët dhe sa për
vota e ca kolltukë shtetërore. Duke i rënë gjoksit “nacionalist” përballë
mitingashëve të përndezur nga fjalimet atdhedashurore dhe betimet e veshura me
retorikë lidershipi e përtej realitetit. Kryetari i Kuvendit, gjykoj se ishte
me këmbët në tokë dhe aspak në yzengji shoqatash a partish politike që shpesh
duken sikur duan të ndezin konfrontimin e marrëdhënieve dhe jo bashkëpunimin e
dialogun e sinqertë. Sepse në fund të fundit “akoma më i rëndësishëm se
retorika është rruga e instrumenteve që do të ndihmojë në zgjidhjen e të
drejtave të shqiptarëve të përzënë me forcë nga trojet e tyre, ku një e drejtë
e padiskutueshme është ajo e pronës”. Po nuk u gjet gjuha e përbashkët, çështja
do ziejë si llafe kazani. Më tej. BE, NATO e SHBA nuk na vlerësojnë thjesht për
sytë e bukur dhe as vetëm për recitimet me flakërima nacionaliste, duke na pagëzuar
me të drejtë si “faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon”. Fqinjësia në të mirë
e në të keq, nuk e pranon protagonizmin spekulativ për zgjidhjen e problemeve të
pazgjidhura. Dhe as klimën e urrejtjes dhe të fyerjeve anonime- ordinere nëpër
rrjetet sociale në internet. Vetë popujt dinë të komunikojnë me njeri-tjetrin më
mirë se ca politikanë të ngrefosur e mediokër. Historikisht kështu. Është tjetër
gjë ardhja-ikja e qeverive. Ksenofobia nuk është bijë e popujve të kulturuar.
Mirëpo, në këtë botë ka patur e do ketë edhe “Don Kishotë të trullosur” që
shpesh hiqen si kalorës të vrerosur. Shkurt, ksenofobia ushqen nacionalizmin
kallp dhe vetë izolimin. Fjala vjen, emigrantët shqiptarë e kanë provuar në
kurrizin e tyre më tepër se kushdo mirësinë popullore në Greqi e gjetkë, por
edhe racizmin politik të mbuluar e të demonstruar nga “fshesat” e tij të
turpshme në Rendin Publik. Dhe nuk mund të shuhen nga kujtesa e hidhur me një
“Të shkuara, të harruara !”… Së dyti, po të isha të enjten në zyrën e Doktorit,
unë do i citoja një letër të hapur Ambasadores greke Sourani. Një letër jo
dosido e pa autor të zakonshëm. Ajo mban firmën e Prof.Dr. Resmi Osmani, ish
bashkëpunëtor i gazetës “Bashkimi”. Ajo zonjë nuk besoj t’i ketë kthyer ende përgjigje…Thjesht
e pa bujë, pa parulla politike e patetike, ky intelektual i nderuar që po i
trokasin të tetëdhjetat, rrëfente shkurt, qartë e plot drithërimë njerëzore
fatin kob të familjes së vet në fshatin Mazrek të Margëlliçit. Fat që i tregoi
arratinë gjatë masakrave zerviste në qershor 1944. Pa i mbushur 5 vjeç, bashkë
me babanë bujk që kurrë “nuk u ngatërrua me lëvizjet apo simpatitë politike” të
kohës, la prapa shtëpi e katandi. Dhe u rikthyen në pranverë 1945 në Çamëri.
Ç’i kanë parë sytë e ç’i ka përjetuar zemra Resmiut në kraharorin e njomë !
Atje në Filat, ia vranë babanë bashkë me 80 vetë! I vetmi “faj” i tij ishte, se
po kthehej në shtëpi. Nga trungu familjar i Profesorit, mbyllën sytë përgjithmonë
5 vetë të pafajshëm, të vrarë e të vdekur. E, prapë rikthim në Shqipëri… Dhe
sot nuk bërtet e ulëret, por si ish shtetas grek dhe pas asnjë rëndesë
implikimi a çështje penale, pyet publikisht e sinqerisht: “Zonja Ambasadore, me
ç’të drejtë më ndalohet kthimi fizik në vendin tim dhe zotërimi i pronave të
trashëguara që vërtetohen me dokumente kadastralë?”. Kështu mund të pyesin edhe
qindra familje çame në Shqipëri. Njerëz të tillë nuk janë nga ai sua/racë që
“mendojnë” shqip dhe flasin “greqisht”…Ata nuk zbrazin vrer e urrejtje, por
qytetërim, kulturë e dinjitet. Dhe larg betejave partiake që mbjellin veç qëndrime
ekstremiste e hipokrite, gjithnjë në shërbim të liderëve. Qeveritë vijnë e
shkojnë, por asnjë popull nuk mund të shahet e poshtërohet nga ca kokëboshë që
tundin e shkundin si në ekstazë flamurë të vjetruar nacionalizmi e patriotizmi
të rremë. Themi kështu, sepse shumica e këtyre tipave nuk e njohin hiç mirënjohjen,
si këtu edhe në Greqi. Por edhe vlerat e fqinjësisë së mirë, të dialogut e njerëzillëkut.
Mes njeri-tjetrit kemi mjaft shembuj të lavdërueshëm, por kemi edhe mjaft
episode të hidhura. Veçse çdo përgjithësim i nxituar e emocional, minon besimin
reciprok dhe interesat strategjike për sot, nesër e më tej.

Asnjë popull nuk është bukëshkalë.

Së fundi, asnjë
popull nuk është bukëshkalë. Mirënjohja largon edhe mjegullën e urrejtjes
fetare, të kombësisë, kulturës e politikës pa moral. Shqiptarët në Greqi dhe
grekët në Shqipëri janë e do të mbeten ura të forta vëllazërimi. Për shembull,
gati 4 dekada më parë, në arkivat e rrethit të Përmetit ishin evidentuar dhjetëra
familje greke të strehuara gjatë Luftës, të cilat u përcollën plot dashuri në
kufi pak vjet pas Çlirimit të vendit. Pa folur këtu për kontributin e
minoritetit gjatë epopesë së lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku bijtë
më të mirë mbushën batalione e brigada partizane dhe mjaft prej tyre dhanë jetën
për Lirinë. Ose gjatë sistemit monist ku lidhjet shoqërore, miqësore,
martesore, arsimore, kulturore etj. u shtrinë nga Jugu në Veri e anasjelltas.
Apo vërshimi ynë biblik në fillimvitet ’90 dhe mirëpritja popullore e fqinjëve,
nuk mund të hidhen pas krahëve të mosmirënjohjes. Më gjeni qoftë edhe një
krahinë a fshat që nuk ka bij që nuk kanë shkelur në tokën helene! Historia përsëritet.
Tradita jonë e çmuar që e kanë zili në Evropë e Perëndim “bukë, kripë e zemër të
bardhë”, i ka kapërcyer me kohë e me dinjitet kufijtë ballkanikë. Koha ka
provuar se kryesisht Polit(h)ika simulon helmatisje, pyka e rrokullisje. Pa përjashtuar
ndonjë tabor me bukëshkalë : Bie fjala, ç’emër t’u vemë vallë qindra të
burgosurve në Greqi, Itali e gjetkë? Pra, nuk themi dot se në mes tënë nuk ka
fare nga ata që të përmbysin sofrën ose “të presin në bukën tënde”. Nuk mungojnë
as nga ata që kërkojnë “thela mbi bisht” apo qiqra në hell. Megjithë këto, shumica
e emigrantëve tanë punojnë e jetojnë me djersën e ballit dhe nuk e hanë bukën
kot. Kur shikon integrimin e tyre në ekonominë e shoqërinë greke, ligji
paradoksal i Luftës bëhet edhe më qesharak. “Plagët e së shkuarës” nuk shërohen
me “ilaçe të skaduara’’ dhe kurrsesi me kartën e djegur të “Vorioepirit”. Kartë
që nuk ngjall dot asnjë tubim, konferencë a varrezë me eshtra ushtarësh. Ne dimë
ta nderojmë mikun por jo ta bëjmë zot shtëpie !…Vite më parë, një libër me
tregime i Dritëroit po qarkullonte natyrshëm e dorë më dorë te grekë të
shkolluar e të pashkolluar nga Athina në Selanik. Falë një tregimi të veçantë e
të bukur. Kur isha në shtëpinë e shkrimtarit, veç të tjerave, e pyeta se a
kishte diçka reale në atë rrëfim prekës: -Po,po, është e vërtetë ajo ngjarje.
Ne e kemi mbajtur në shtëpi. Babai ka patur një mik që i binte violinës, i cili
e solli të birin tek ne se i kish vdekur e shoqja, para luftës italo-greke. Ai
ishte në moshën time, një vit më i madh mundet. Hante me ne në shtëpi, rrinte
me ne. Babai i vinte shpesh me violinën e tij. Edhe babai im kish një të tillë…Mirëpo
kur filloi lufta italo-greke ai me sa duket u mobilizua dhe për një kohë të
gjatë nuk vinte tek ne. Pastaj filloi lufta partizane, po djalin e la te ne.
Jani, i ati i djalit, u vra në luftë dhe djali, Pavllos, mbeti te ne deri në
1944. Atëherë erdhën me sa duket nga farefisi i tij dhe e morën. Ky është edhe
tregimi im…Nuk u takuam më kurrë. Një herë më 1949, më thanë se kish ardhur në
fshat e më kërkonte, por unë isha në Gjirokastër atëherë. Duhet të ishte ai…Në
Greqi u botua një libër i imi me titullin “Një grek i vogël në shtëpinë time”.
Folën gazeta e televizione… Jo rastësisht, të urtët e mençur na kanë lënë një
fjali-postulat që flet shumë: “Gjitonia e mirë është dera e parajsës, gjitonia
e keqe është si dera e ferrit”. A e kundërshtojnë dot ata që “mendojnë“ shqip
dhe flasin “greqisht” ?!…