Kristiana Mehmetllari/ Poezi

    442
    Sigal

    JU!

    Zemër!
    Ti që thure vargje.
    Ti që vrave shekujt.
    Pse fshihesh tej syve?

    Sy!
    Ju që patë klithma…
    Ju që përcollët fllade drejt zemrës.
    Pse errësoheni nga zemra?

    Buzë!
    Ju që folët dhe heshtët.
    Ju që gonxheve të shpirtit i’u dhatë jetë…
    Pse mavijoseni ëndërrshuar?

    Zëmër, buzë e shpirt e sy.
    Në frone të larta…
    Në shekuj…të arta!

    TI QËNKE !?

    Trak-trak!
    Hapa të nxituar
    mbi trotuare hojëzash
    Jete!

    Trak-trak!
    Nxitoka…

    Hapa të bindur,
    të ndjere ndoshta,
    të sigurt në gjurmën që lënë!

    Tak-Tak!
    Trokitje në derë!

    E lodhur trokitje,
    Nxitova…derën ta hap!
    Ankthi përpinte shpirtin!

    Para portës sime,
    e lodhur,
    e shtrirë anë e kënd…

    -Ah, qenke lumturia!
    Po, po! Të mbaj mend!

    “TË MARRÇA MALLIN”

    Mallkomë, faj ty kurrë nuk të vë…
    Edhe pse mallkimi gjë e egër më vjen.
    Më mallko ashtu që mos mund të bëj zë…
    Më jep atë mallkim që askund nuk e gjen!

    Më mallko errët, dridhur në natën qiellore…
    Mos më mallko të mbetem e çal’!
    As mallkim të humbas zemrën tokësore…
    As mallkim të kthehem në pluhur a zjarr!

    Mallkomë më keq se kurrë ndokush.
    Mallkomë më keq se ç’mallkon vetë djallin…
    Asgjë mos shpjego, s’të kupton askush.
    Ti vetëm më jep mallkimin: “Të marrça mallin”.

    LAMTUMIRE…!

    Gjumë, gjumë!
    s’ka si të jetë vdekje!

    Të erdhi gjumi, sytë t’u pulitën,
    edhe pse ftohtë me zor t’u mbyllën
    e ti s’e humbe dritën,
    o shoku ynë i bankës.

    Ftohtë…ftohtë…ftohtë!

    Je ti në fund të detit
    gjerë e gjatë shtrirë,
    i vdekur, i pajetë,
    o shoku ynë Jetmir!

    Në shoqërinë e dallgës,
    o shoku ynë i bankës!

    Gjethet e vjeshtës
    bien nga degët e pemës
    si re ti, Jetmir nga pema e jetës.

    I ftohtë deti për Ty,
    i akullt vendi atje…

    Ç’të bëjmë me fjalën,
    o shoku ynë i bankës!?

    Jetmir, ç’të bëjmë me çantën!?