Kristaq BILLO/ Tekstet shkollore duhet të flasin shqip

582
Sigal

Alterteksti është bërë një çështje e ditës në arsim, për të ka shumë mendime dhe etiketime. Kështu gjatë fushatës elektorale dëgjuam të thuhej me të drejtë se, alterteksti është një risi dhe shpërndarja, njollë e zezë, ndërsa tani po thuhet se është marrëzi, se ka cënuar cilësinë e shkollës, kur dihet se shkollën e shkatërroi politika me strukturat blozë të arsimit që krijoi. Madje po kalohet në ekstrem, duke e mohuar altertekstin për të pohuar importimin e teksteve nga jashtë. Përse gjithë këto etiketime kur dihet se në Europë punohet me altertekst apo autor vendas, në një kohë kur të gjithë aspirojmë për t’ iu bashkuar asaj? Mos po e ekspozojmë veten si “dele e zezë” në mes të vendeve të qytetëruara? Alterteksti përmban në vetvete konkurrencën dhe lirinë pedagogjike, çka e bën atë të ketë natyrë demokratike. Natyrisht kjo liri nuk është absolute, sepse përmbajtja e teksteve kufizohet nga programet unike të miratuara nga ministria, por ajo që solli më tepër anarkinë ishte shpërndarja, e cila duke degjeneruar vit pas viti u bë një turp për shkollën. Këtu ndikuan personat me pushtet dhe shtëpitë botuese duke dhënë para në dorë për të zotëruar tregun e librave. Madje këshilltari i ish kryeministrit për arsimin u bë objekt i gazetave dhe “Fiksit”, duke u vënë në krye të këtij pazari. Të gjitha këto e bënë altertekstin një shqetësim mbarë-popullor. Natyrisht zbatimi i altertekstit nuk është i lehtë. Profesori francez G. Milliaret në librin e tij “Pedagogjia e Përgjithshme” thotë se, edhe atje ky është kthyer në shqetësim të prindërve, sidomos në drejtim të lirisë së shpërndarjes. Të gjitha këto shtyjnë se del nevoja e gjetjes së rrugëve të ndërmjetme për të përmirësuar sistemin e altertekstit. Ky përmirësim është i domosdoshëm, veçanërisht tek ne, ku praktikisht rezultoi një dështim. Lind pyetja: përse na duhet larmia e teksteve për një lëndë? Duhet thënë se larmia e teksteve ekziston në vetë karakterin linear koncentrik të ndërtimit të teksteve dhe programeve, pra në natyrën spirale të zhvillimit të njohurive. Nëse kjo spirale e ka hapin e linearitetit të madh, atëherë ka avancim të shpejtë të njohurive dhe teksti është i vështirë, nëse hapi i linearitetit është i vogël, ka shumë rimarrje dhe përsëritje, avancimi është i ngadaltë dhe teksti është i lehtë. Pikërisht në raportin ndërmjet lineares dhe koncentrikes ka hapësirë për larmi tekstesh. Gjithashtu, larmia e teksteve ekziston dhe si rrjedhojë e këndvështrimeve të ndryshme metodike në trajtimin e njohurive. Së fundi, në hartimin e programeve dhe teksteve ndikojnë gjithashtu kërkesat që shtron shoqëria para shkollës në formën e finaliteteve apo objektivave themelore të të mësuarit. Parë në këndvështrimin e mësipërm del si nevojë përmirësimi sistemit të altertekstit. Siç dihet, alterteksti ka dy anë, miratimin e teksteve dhe shpërndarjen e tij. Miratimi i teksteve është pa dyshim ana esenciale sepse ka të bëjë me përmbajtjen e të mësuarit. Nëse miratimin e teksteve e bazojmë te konkurrenca dhe liria pedagogjike, atëherë jemi në rrugën demokratike të forcimit të cilësisë. Për këtë duhet organizim korrekt i punës së komisioneve nëpërmjet përzgjedhjes së specialistëve dhe forcimit të sekretimit. Ministria, nga organizimi i provimeve të maturës, tregoi se i ka këto kapacitete. Nga konkurrimi duhet të dalë një tekst vetëm. Për të mënjanuar shpenzimet në prodhimin e tekstit fizik është mire që konkurrimi të bëhet me tekst elektronik, ku konkurrohet me përmbajtjen e tekstit. Elementet aksesorë të tekstit fizik të bëhen pas miratimit nga komisioni. Kuptohet se problemi i shpërndarjes bëhet më i thjeshtë, duke kaluar në administrim të organizuar. Kjo do të mënjanojë administrimin me dispeçer private, e cila nëpërmjet fitimeve marramendëse rriste çmimet e teksteve në kurriz të nxënësve. Ulje të çmimit të teksteve krijohet dhe nga zvogëlimi i përqindjes së fitimit nga shtëpitë botuese dhe autorët e teksteve, sepse tirazhi është maksimal. Besoj se kjo do të qe një rrugë e përshtatshme e përmirësimit të altertekstit dhe më dinjitoze se rruga e importimit të tyre. Më kujtohet se edhe para 5 vjetësh u shtrua problemi i importimit të teksteve nga persona me pushtet me justifikimin e europianizimit të teksteve, por që në fakt donin të monopolizonin tregun sepse kishin krijuar shtëpi botuese. Në atë periudhë nga ministria u hap përsëri rruga e konkurseve që dyfishoi dhe trefishoi numrin e teksteve për lëndë, çka shtoi anarkinë në altertekst. Tekstet tek ne nuk janë hartuar të izoluar, por në konsultim të plotë me shumë tekste europiane, natyrisht duke u mbështetur në programet e ministrisë. Nga ana tjetër problemi i importit ka absurdin brenda, sepse në vendet europiane punohet me altertekst dhe si rrjedhojë nuk mund të vihet aq lehtë gishti i përzgjedhjes një teksti, sikur të qe mall i zakonshëm. Vlerësimi i tekstit ka këndvështrim, çka do të thotë se varet si ta kuptosh atë. Mohimi i autorësisë shqiptare për tekstet është një goditje e rëndë për mendimin pedagogjik kombëtar, kur dihet se vendi ynë ka një përvojë disa dhjetëra vjeçare në këtë drejtim. Tekstet duhet të flasin shqip, ky është vokacion i kahershëm i Rilindësve të vërtetë.

* mësues