Krishtlindjet – grekët më të varfër dhe më të pashpresë!

468
Sigal

Krishtlindjet vijnë edhe njëherë në Greqi duke i gjetur grekët më të varfër dhe më të pashpresë.

Sipas një raporti të fundit të BQE, e cila ka analizuar të ardhurat e 84.000 familjeve të Eurozonës, prej vitit 2009 deri në vitin 2014, grekët kanë humbur gjatë këtyre viteve të krizës 40% të të ardhurave të tyre. 

Mesatarja e të ardhurave vjetore ka rënë nga 23.500 euro në 17.600 dhe bashkë me Qipron konsiderohen dy vendet me humbjet më të mëdha të të ardhurave në zonën e euros. 

Ndërkohë, grekët cilësohen si qytetarët më pesimistë përsa i përket së ardhmes në BE. Ata besojnë në masën 63% se do të shkojnë në zgjedhje të parakohshme vitin e ardhshëm. Ndërkohë, 61% e tyre shprehet për të ardhmen me fjalën “shqetësim”, 47.9% me fjalën “frikë” dhe 24.3% me fjalën “turp”. 

Sipas disa prej statistikave të dhimbshme që publikon gazeta e fundjavës “Realnews”, 8 në 10 vetë besojnë se nuk mund të ruajnë të ardhurat që kanë tani përgjatë vitit që vjen. 

Gjithashtu, 70% e të rinjve të moshës nga 18-24 vjeç do të emigronin në një shtet të BE-së nëse do t’u jepej rasti gjatë vitit të ardhshëm. 

Ndërsa përsa i përket çështjeve kombëtare, 62% e qytetarëve shprehen të frikësuar se gjatë 2017-s mund të shkaktohet ndonjë incident i nxehtë në detin Egje me Turqinë.