Krimi në shëndetësi, Galdini: Nuk tërhiqem, deri në burgosjen e Beqaj

    441
    Sigal

    Forumi publik “Unë Dëshmoj, Unë Akuzoj”. Sazan Guri dhe Agim Doçi: Je suis Galdin

    “Nuk do tërhiqem nga kjo betejë deri në burgimin e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja, sepse kjo nuk është thjesht histori farmacish, kjo është histori kriminale nga njerëz që duan të bëjnë para me jetën dhe vdekjen e shqiptarëve”. Kështu është shprehur dje z. Arian Galdini në forumin publik, të organizuar prej tij “Unë Dëshmoj, Unë Akuzoj”. Në këtë forum, Galdini bëri me dije se bashkëshortja e Ilir Pojakut ishte në çastet e fundit të jetës, pikërisht për shkak të indiferencës së sistemit tonë shëndetësor dhe barnave të falsifikuar që nuk bëjnë asnjë lloj efekti. Kujtojmë se qytetari Ilir Pojaku denoncoi në forumin publik të një jave më parë, faktin se bashkëshortja e tij ishte trajtuar me kimioterapi me Altuzan. Ai kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë që t’i jepte përgjigje për efektet e Altuzanit, sepse bashkëshortja e tij, ishte përkeqësuar. Pas këtij denoncimi të hapur të Ilirit, qeveria i hoqi dhe kempin bashkëshortes së tij, të vetmin mjet jetese që kishte (mesa duket, e kishin parashkruar vdekjen e saj, pasi dje zonja ndërroi jetë). Galdini akuzoi Ministrinë e Shëndetësisë se nuk mbron jetën e qytetarëve, por tenderat dhe milionat që fitohen prej tyre. Ai kërkoi që të tërhiqen nga tregu të gjitha barnat e falsifikuara, me të cilat po gënjejnë qytetarët shqiptarë, duke rrezikuar jetën e tyre. “Kemi rënë pre e xhetonave, të gjithë bëjnë punën për paratë e tyre, në dëm të shëndetit tonë”, u shpreh Galdini. Shëndetësia tek ne, sipas Galdinit, shërben vetëm për të përshpejtuar vdekjen e të sëmurëve dhe jo trajtimin apo kurimin e tyre. “Shëndetësia është kthyer në portat e Hadit”, tha Galdini në akuzën e tij. Dje iu bashkuan nismës së Galdinit edhe ambientalisti Sazan Guri, si dhe poeti i mirënjohur (me profesion inxhinier elektrik) Agim Doçi, por dhe shumë qytetarë të cilët denoncuan dhe dëshmuan për kalvarin e vuajtjeve të tyre dhe padrejtësive të hasura në sistemin tonë shëndetësor. Të pranishmit në forum ranë dakord se të gjithë ata qytetarë të cilët kanë bërë dëshmi e akuza do të kenë ndihmën e një grupi avokatësh për të përgatitur dosjet në Prokurori. Ndërsa u mendua dhe bërja e një peticioni për institucionet kryesore shtetërore, ku të adresohen shqetësimet dhe propozimet qytetare. Galdini ka denoncuar një rast të ndodhur në QSUT, ku një i afërm i tij që trajtohej me barna të farmacisë së QSUT-së për tumor (Altuzan), në fakt, nuk kishte asnjë gjurmë bari të tillë në gjak.

    Sazan Guri: Je suis Galdin

    Për ambientalistin e mirënjohur, kjo është një kauzë për garancinë e jetës së shëndetshme për njeriun, detyrë kjo kushtetuese për shtetin shqiptar përkundrejt qytetarëve të tij. “Je suis Galdin”, tha Sazani në fjalën e tij, duke kërkuar që sa më shumë t’i bashkohen nismës së Galdinit, aq më i fortë do të jetë zëri i qytetarit dhe, për rrjedhojë, aq më frikë do të kenë gabimtarët. “Është e habitshme, sesi e keqja ka bërë fole në vendin tonë. E keqja është e lidhur, ndërsa e mira do shumë energji, përkushtim dhe vendosmëri”, u shpreh Sazani, duke bërë thirrje për t’u bashkuar në nismën për jetën dhe vlerësimin e saj. “Je suis Galdin”, përsëriti ambientalisti, duke përfunduar fjalën e tij.

    Agim Doçi: Keqqeverisja është tritoli për shpërthimin e revoltës popullore

    “ Protesta e Galdinit është e gjithë shqiptarëve që kanë të afërmit e tyre në spital, e atyre që kanë nga 2-3 ton stres dhe revoltë”, u shpreh Doçi në fjalën e tij. Duke ngritur një parelelizëm sistemesh, poeti i mirënjohur u shpreh se “në diktaturë nëse të vrisnin quheshe martir, ndërsa sot të vrasin modernisht, të caktojnë dhe datën e vdekjes”. Doçi akuzoi ministrin e Shëndetësisë se gënjen kur thotë që barnat janë ulur, pasi barnat e tij për hipertension nga 2 700 lekë që kushtonin më parë, tani kushtojnë 3 700 lekë. “Ilaçet e rimbursuara të ministrit tonë të Shëndetësisë janë një gënjeshtër”, ndërsa kujtoi se ministri Beqja firmos tendera për 19 milionë e 800 mijë euro në vit, për barna të falsifikuara e të paefektshme. “Nuk blihet dhe as shpërdorohet jeta për para”, tha Doçi. Ndërsa duke iu referuar shpërthimeve të djeshme të tritolit, Doçi përfundoi duke thënë: “Keqqeverisja është tritoli për shpërthimin e revoltës popullore”.