Krimi makabër i Orikumit, la rrugëve 3 fëmijët e Manushaqe Çelikut që u vra me sqepar nga i shoqi

    437
    Sigal

     Emisioni “Alarm” pas një denoncimi të bërë pranë tij, strehon jetimin që endej rrugëve

      Një informacion i mbërritur në redaksinë e emisionit “Alarm” në televizionin “Ora News”, raportoi të enjten në mbrëmje, për një fëmijë të mitur, i cili kishte muaj me radhë që endej në zonën e Kinostudios. I mituri nuk ishte aspak i panjohur për bizneset dhe banorët, të cilët e shihnin dhe e ndihmonin prej kohësh. Madje dhe policia ishte interesuar disa herë për djalin, por nuk kishte marrë asnjë masë për ta dërguar pranë qendrave sociale apo shtëpisë së fëmijëve.  Mbrëmjen e së enjtes, me gjithë shiun e dendur, gazetarët e emisionit “Alarm” arrijnë të gjejnë dhe të bisedojnë me të miturin. Ai ishte 12- vjeçari Maringlen Çeliku.

     Maringleni dhe vrasja e nënës së tij

    10 dhjetor 2012, nga Orikumi i Vlorës policia raporton për një krim makabër brenda familjes, ku bashkëshorti Shpëtim Çeliku kishte vrarë me sëpatë në muajin e gjashtë të shtatzënisë bashkëshorten e tij Manushaqe Çeliku, 34 vjeç dhe kishte fjetur me të dy ditë pas masakrës. Marigleni tregon se është djali i Manushaqes dhe se Shpëtimi ishte njerku i tij, i cili ushtronte dhunë sistematike ndaj tij duke e detyruar të largohej nga shtëpia pak muaj para se të ndodhte ngjarja e rëndë. Gjatë qëndrimit në Tiranë, Marigleni ndihmohej nga bizneset e zonës së Kinostudios me ushqim sa për të mbajtur frymën gjallë dhe flinte poshtë shkallëve të një pallati shumëkatësh në afërsi të stacionit të autobusëve të Kinostudios. Sipas dëshmisë së tij, rajonet e policisë e kishin kontaktuar disa herë, por sërish e kishin lënë të lirë pa e referuar në institucionet sociale. Teksa tregon i dëshpëruar gjithçka mban mend ai shprehet se dëshira e tij është bashkimi me dy motrat e tjera, të cilat pas krimit, ishin sistemuar nga shteti në Fshatin SOS në Tiranë. Menjëherë pas gjetjes së tij dhe mbledhjes së fakteve, emisioni “Alarm” në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit dhe Shërbimin Social Shtetëror arritën që brenda pak orësh ta sistemojnë atë në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë. Sipas Ermelinda Spahos, specialiste pranë Shërbimit Social Shtetëror, gjatë qëndrimit të Mariglenit në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli” do të shihet mundësia e plotësimit të dosjes me të dhëna të plota të tij dhe ajo e bashkimit të Mariglenit me dy motrat më të  vogla që jetojnë tani në Fshatin SOS në Tiranë.       

    BISEDA ME MARIGLENIN

    Pyetje: Po ti je fëmijë i asaj familje me baba tjetër?

    Maringlen Çeliku: Po, me atë të parin, por a më njeh a s’më njeh nuk e di. As unë nuk e njoh.

    Pyetje: Nuk ia di as emrin dhe asgjë?

    Maringlen Çeliku: Emrin ia di. E ka Safet.

    Pyetje: Po ai ku jeton?

    Maringlen Çeliku: Më kanë thënë se jeton në Pishkash. Unë mblidhja kanaçe, babi (i referohet njerkut), pinte raki, me rrihte dhe unë një dite ika.

    Pyetje: Po mami të rrihte?

    Maringlen Çeliku: Jo. Unë erdha këtu në Tiranë…

    Pyetje: Babi apo njerku? Besoj e ke fjalën për njerkun.

    Maringlen Çeliku: Po, njerku. Po babi i themi. Mua më njohin. Këta të Kinostudios të gjithë më marrin më japin ndonjë gjë kështu.

    Pyetje: Sa kohë ke ti që ke ikur nga shtëpia ku jetonte nëna jote bashkë me njerkun?

    Maringlen Çeliku: Po kam. Nja 3 vjet, 4 vjet apo 5 vjet.

    Pyetje: Po ata janë interesuar për ty, ku jetoje

    Maringlen Çeliku: Po

    Pyetje: E dinin ata qe jetoje këtu?

    Maringlen Çeliku: Jo.

    Pyetje: Si e ke marrë vesh humbjen e jetës së nënës tënde?

    Maringlen Çeliku: Po e dëgjova nga televizori.

    Pyetje: Si e dëgjove?

    Maringlen Çeliku: Po e dëgjova që e thanë kshu kshu të gjitha këto (tregon nga televizori)

    Pyetje: Nëna jote ka vdekur pa e ditur ku ishe ti?

    Maringlen Çeliku: (Ul kokën dhe thjesht pohon pa zë.)

    Pyetje: Sa kohë ke ti që jeton rrugëve?

    Maringlen Çeliku: Si të ta them? Kam shumë vite.

    Pyetje: Po ndonjëherë të ka kontaktuar ty policia ose ndonjë institucion?

    Maringlen Çeliku: Po, por s’më kanë lidhur me Shtëpinë e Fëmijës.

    Pyetje: Ti do të shkosh në Shtëpinë e Fëmijëve?

    Maringlen Çeliku: Po.

    Pyetje: Po ti vetë tek Shtëpia e Fëmijëve ke shkuar ndonjëherë?

    Maringlen Çeliku: Jo. Vetëm motrat janë atje. Atje dua të shkoj. Tek motrat.

    Pyetje: Pse ku i ke motrat?

    Maringlen Çeliku: Ato janë tek Shtëpia e Fëmijës në Vlorë.

    Pyetje: Nga e ke ti këtë informacion?

    Maringlen Çeliku: Po e mora vesh më thanë.

    Pyetje: Po për të ngrënë? Ti ushqehesh këtu? (një pizzeri “Hallall” në zonën e Kinostudios)

    Maringlen Çeliku: Po më japin këta. Më japin të tjerë. Më japin të gjithë. Ja një 50 lekësh ma dha ai i zoti i lokalit, jo këta ai tjetri.

    Pyetje: Mirë për të ngrënë. Po për të fjetur si ia bën ti?

    Maringlen Çeliku: Si t’ja bëj. Kam ftohtë natën. Jam sëmurë. Më thanë këta çunat do të shkosh atje? (I referohet emisionit “Alarm”). Po i thashë unë. Morën atë tetën dhe u bë kjo.

    Pyetje: Do na tregosh pak vendin ku fle, pasi atë ku ha e mësuam. Po ku fle ti?

    Maringlen Çeliku: Aty ku të thashë. Tek palestra. Poshtë shkallëve të palestrës.