Krimi i vrasjes zbret në moshat fëminore

526
Sigal

DURRËS/ Dy fëmijët 10 dhe 11 vjeç theren me biçak për zonat, ku do mblidhnin skrap

Në qytetin e Durrësit, krimeve të shumta që kanë ndodhur po u shtohen tashmë edhe krimet e adoleshentëve si dhe krimet e moshave të vogla. Në orët e mesditës, 2 fëmijë njeri 10 dhe tjetri 11 vjeç janë konfliktuar në zonën e Shkallnurit dhe janë therur me thika. Ngjarja është tepër e rëndë duke u nisur edhe nga mosha që kanë. Mbase duhet të kishin qenë mbi libra, por hallet i kanë bërë që për t’u ushqyer, t’i hedhin ato mënjanë dhe të merren me problemet e ushqimit të përditshëm për mbijetesë.

Shkaqet

Në konfliktin e ndodhur mes tyre, që ka qenë thjeshte konkurrenca për 100 gram metal skrap, sipas banorëve që i kanë afër me banim, mbase ka ndikuar edhe bombardimi i përditshëm mediatik mbi larje hesapesh me thika dhe krisma kallashnikovësh. Po t’i vini re programet e fëmijëve janë spostuar shumë nga programet televizive. Ka filma aksion, telenovela dhe pas lajmeve të mbushura përsëri me një pasqyrim rrënjësor të krimeve të ndodhura, (se vini re si ekranet tashmë kullojnë gjak?!) fytyra politikanësh, të gjithë mashtrues në mënyrat e tyre të performancës politike dhe s’ka mbetur gjë tjetër tashmë veçse këto krime të renda, nga ekranet, janë duke zbritur gradualisht edhe drejt moshave te vogla. Dhe përgjegjëse, siç e theksuam, është fryma mediatike e kronikave të zeza, të cilat u servirin edhe sofrave të varfra në informacionet e përditshme një frymë të rëndë të goditjes së krimit. Psikologët thonë se ndikon edhe kinematografia shumë në këtë moshë dhe kësaj gjendjeje duke i shtuar më pas edhe situatën kritike të varfërisë, ku ndodhen kryesisht familjet e varfra të periferisë së qyteteve.

POLICIA

Sipas policisë, rreth orës 15:00, është dërguar në Spitalin e Durrësit për ndihmë mjekësore i plagosur me thikë dhe ndodhet në gjendje të rëndë shtetasi R. H., 11 vjeç, banues në Shkallnur Durrës, nxënës në klasën e katërt. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se rreth orës 13:10, në kohën kur i dëmtuari ndodhej së bashku me shokun e tij, shtetasin D.S., 10 vjeç, banues në Shkallnur Durrës, nxënës i klasës së katërt, për të mbledhur bakër në Shkallnur, janë grindur me njëri-tjetrin dhe janë rrahur në fillim me grushte e më pas D.S., e ka qëlluar me biçak në bark. Goditjen e ka dhënë në organet jetësore, në mushkëri… Shtetasi D.S. pas kryerjes së veprimeve të para hetimore u la i lirë pasi për shkak të miturisë ai nuk mban përgjegjësi penale. Materialet iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprën penale  “Plagosje e rëndë me dashje”.