Kreu i shoqatës kërkon seks me jetimin, reagon Avokati i Popullit për skandalin

    387
    Sigal

    Kërkohet ndëshkim ligjor për abuzuesin dhe masa ligjore për mbrojtjen e fëmijëve

    Skandali i radhës, denoncimi në “Fiks Fare” i një kryetari shoqate që i kërkoi seks një jetimi 17 vjeç, ka bërë që të reagojë dje dhe Avokati i Popullit. Për ngjarjen me protagonist të akuzuar Maksim Liçon që koordinon punën e shoqatës “Jetimet në fokus” kanë reaguar dje dhe Erion Velija e faktorë të tjerë. Ja dhe reagimi i Avokatit të Popullit:

    DEKLARATA

    Avokati i Popullit nëpërmjet emisionit investigativ “Fiks Fare” është vënë në dijeni të fakteve skandaloze, ku kryetari i një shoqate që vepron në emër të fëmijëve në nevojë, kërkon favore seksuale në këmbim të ndihmës për të përfituar statusin e jetimit. Institucioni i Avokatit të Popullit e konsideron të turpshëm dhe të papranueshëm aktivitetin e kreut të shoqatës dhe pret nga organet përkatëse të marrin në mënyrë emergjente masat e duhura ligjore. Por izolimi i individëve të tillë nuk mjafton. Kjo është një ngjarje revoltuese, por njëkohësisht një kambanë alarmi për përmirësimet e domosdoshme të kuadrit ligjor. Duke pasur në fokus së punës së tij fëmijët në nevojë dhe ata me statusin e jetimit institucioni i AP, pas një monitorimi të të gjitha shtëpive të fëmijëve, më 23.5.2013, ka dorëzuar në Kuvend një Raport “Për të drejtat e fëmijëve jetimë. Përfshirë këtu fëmijët e sistemuar në institucionet rezidenciale të përkujdesjes shoqërore, si dhe të fëmijëve që shfrytëzohen për të punuar”, ku ndër të tjera theksonte: -Kuadri aktual ligjor kërkon përmirësime për sa u përket të rinjve që largohen nga përkujdesja, duke adresuar sfidat e tyre, për të zhvilluar strategji më  të mira dhe shërbime të tjera për ta. Statusi i përkujdesjes në institucionet rezidenciale  vështirëson të ardhmen e të rinjve që largohen nga përkujdesja dhe thekson  disavantazhet dhe vulnerabilitetin e tyre. Statusi ligjor i fëmijëve në përkujdesje të  moshës 16-18 vjeç nuk është i rregulluar. -Vendi ynë nuk ka një sistem ligjor të mjaftueshëm që mbulon nevojat e të rinjve që janë në përkujdesje apo që dalin nga përkujdesja, veçanërisht të atyre që largohen shumë më herët. Për këtë arsye, është i nevojshëm krijimi i shërbimeve pas përkujdesjes, qëndrimi në përkujdesje deri në përfundim të shkollës së mesme, ngritja e qendrave ditore pritëse që ofrojnë shërbime për të rinjtë (16-18 vjeç) dhe implementimi i politikave të trajnimit profesional dhe punësimit për kategoritë e të rinjve që janë larguar nga përkujdesja.  Drejtim i rëndësishëm i masave që duhet të merren në këtë kuadër është nisja e shërbimeve të reja për të rinjtë (fëmijët), informimi dhe këshillimi, shërbime komunitare e pjesëmarrëse dhe advokim për të mbështetur pjesëmarrjen e tyre. -Nevojitet një trajtim adekuat ligjor ndaj individëve jetimë, për përfitimin real të të gjitha lehtësirave që ofron Ligji “Për statusin e jetimit”, por edhe legjislacioni aktual në fuqi, jo vetëm për kohën që këta individë janë nën përkujdesje shoqërore, por edhe  pas kalimit të moshës 18 vjeç dhe cilësimit të tyre si të rritur. Strehimi, punësimi, shërbimet përkatëse të përkujdesjes shoqërore, përjashtimi nga taksa të caktuara,  janë të drejta të këtyre individëve, që nga ana tjetër kërkojnë një angazhim konkret  dhe real të shtetit për plotësimin e tyre. -Del i nevojshëm rishikimi i dispozitave të Ligjit “Për Statusin e Jetimit”, në kushtet kur kompetencat për zbatimin e tij kanë kaluar nga organet e pushtetit qendror, tek organet e qeverisjes vendore dhe kur vetë zhvillimi i shoqërisë shqiptare dhe i marrëdhënieve në tërësi ka evoluar, duke marrë dimensione dhe kuptime të reja. Institucioni i Avokatit të Popullit falënderon emisionin “Fiks Fare” për tërheqjen në vijimësi të vëmendjes së publikut ndaj dukurive të tilla, kundër të cilave nevojitet një angazhim i gjithë institucioneve në zbatim të përgjegjësive që u ngarkon ligji dhe bashkëqytetaria.