Kreu i PR, Mediu: Nuk pranojmë anti-shtetin, anti-ligjin dhe anti-kushtetutën

450
Fatmir Mediu, Kryetar i Partisë Republikane, e cilësoi ditën e sotmen si atë të njerëzve të lirë. “Jemi këtu si njerëz që nuk pranojmë që anti-shtetin, krimin, korrupsionin, anti-ligjin dhe anti-kushtetutën nuk mund ta pranojmë. Jemi vendi më i varfër në Europë, mbi 30 % e shqiptarëve nuk paguajnë dot energjinë elektrike, mbi 40 % e tyre nuk sigurojnë dot jetesën. A e meritojmë ne këtë varfëri? Jo dhe vetëm jo. Jemi sot këtu për ti bërë ballë rrezikut më të madh, shkatërrimit të vlerave morale dhe shpresës. Jemi këtu për të ndaluar largimin e qindra e mijëra shqiptarëve që enden rrugëve të Europës. Shqipërinë e ka bekuar zoti, por e ka mallkuar kjo qeveri. Simboli i Rilindjes është varfëria, pasiguria dhe krimi. Jemi njohur si vendi i kanabisit, trafikut dhe krimit. Ndaj sot duhet të marrim në dorë fatin tonë”, tha Mediu.
Sipas tij, sot jemi këtu për t’iu kthyer përgjigje edhe atyre që na thonë mos protestoni.
“Europën e duam këtu në Shqipëri, si qytetarë europianë dhe jo rrugëve të Botës. Sot për fatin e keq kemi mbyllur çdo rrugë të së ardhmes sonë për shkak të kësaj qeverie, jemi këtu si njerëz të lirë kundër krimit dhe varfërisë. E keqja mund të rezistojë vetëm nëse ulim kokën. Por a mund ta ulim kokën ne përballë krimit, përballë të ardhmes së fëmijëve tanë, përballë të keqes? Kurrë, ne do ta mbajmë kokën lart, të bashkuar në këtë uragan të ndryshimit dhe garantimit të lirisë”, tha Mediu.
Kreu republikan tha se sot janë në këtë shesh pronarët që u është marrë prona, janë intelektualët, pensionistët, të përndjekurit politikë, njerëzit e kurajos dhe lirisë, janë të rinjtë dhe të rejat, janë qindra mijëra shqiptarë që nuk pranojnë burgosjen, varfërinë dhe krimin.
“I themi nga këtu Rilindjes që të heshtë, jemi këtu për të shembur këtë mur të fëlliqur që po i zë frymën shqiptarëve. Ky është fillimi i ndryshimit të madh”, tha Mediu.
Sigal