Kreu i KLSH-së Bujar Leskaj merr pjesë në konferencën e Sofies për rolin e SAI-ve, për transparencën dhe integritetin

1080
Sigal

Konferenca e nivelit të lartë në Sofje për rolin e SAI-ve në rritjen e përgjegjshmërisë, transparencës dhe integritetit

Në datën 15 maj 2018, në Sofje të Bullgarisë, Zyra Kombëtare e Auditimit të Bullgarisë (BNAO) organizoi, nën Presidencën Bullgare të Këshillit të Bashkimit Evropian, Konferencën e Nivelit të Lartë me titull “Roli i Institucioneve Supreme të Auditimit në rritjen e Përgjegjshmërisë, Transparencës dhe Integritetit në Sektorin Publik”. Merrnin pjesë përfaqësues të lartë të Parlamentit të Bullgarisë dhe të auditimit suprem evropian, ndër të cilët z. Tzvetan Tzvetkov, Presidenti i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Bullgarisë, z. Klaus-Heiner Lehne, Presidenti i Gjykatës Evropiane të Audituesve, z. Krzysztof Kwiatkovski, President i Zyrës Kombëtare të Auditimit Shtetëror të Polonisë (NIK), z. Miloslav Kala, President i SAI-t të Çekisë, z. Wolfgang Wicklicky, Drejtor i Përgjithshëm i Gjykatës së Auditimit të Austrisë (ACA), si dhe Presidentët e SAI-ve të Sllovakisë, Finlandës, Sllovenisë dhe të SAI-ve të vendeve të Ballkanit Jugperëndimor. KLSH mori pjesë me nje delegacion të kryesuar nga Kryetari, z. Bujar Leskaj, i përbërë nga zj. Lindita Milo (Lati), Drejtore e Përgjithshme dhe z. Fatos Çoçoli, ekspert i jashtëm. Ne fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i SAI-t Bullgar, z. Tzvetan Tzvetkov shprehu dëshirën dhe vullnetin e SAI-t bullgar për një partneritet sa më të plotë të SAI-ve të Ballkanit Jug-perëndimor në strukturat e bashkëpunimit të SAI-ve të vendeve anëtare të BE-së, si dhe ofroi kontributin e institucionit të tij dhe të shtetit bullgar, në cilësinë e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, për një integrim të shpejtë. Presidenti i Gjykatës Evropiane të Audituesve (ECA) theksoi rëndësinë që i jep ECA bashkëpunimit me SAI-t e vendeve të Ballkanit Jugperëndimor, si dhe zhvillimit të kapaciteteve të tyre dhe kryerjes së auditimeve të përbashkëta me ekspertë të ECA-s dhe të SAI-ve të vendeve anëtare te BE-se. Ai përmendi rrjetin e krijuar mes SAI-ve të vendeve të Ballkanit Jugperëndimor si një strukturë që po i shërben me këmbimin e informacionit dhe të eksperiencave të mira të auditimit, jo vetëm modernizimit të SAI-ve por edhe integrimit të vendeve të tyre. Në Panelin e Parë të Konferencës, me temë “Pavarësia institucionale-Faktor kyç për efektivitetin e institucioneve supreme të auditimit”, referuan Kryetari i KLSH dhe Drejtori i Përgjithshëm i ACA-s, z. Wolfgang Wiklicky. Z. Wiklicky u ndal në zbatimin nga SAI-t e të tetë shtyllave të pavarësisë se tyre, të përcaktuara në parimet e Deklaratës së Meksikos. Ai theksoi se nga një pyetësor i zhvilluar nga INTOSAI dhe IDI, Instituti per Zhvillim i INTOSAI-t, rreth 50 për qind e SAI-ve të intervistuara kanë deklaruar probleme me pavarësinë e tyre. Kryetari i KLSH z. Leskaj paraqiti sfidat e institucionit të auditimit suprem në Shqiperi për forcimin e pavarësisë institucionale dhe kushtetuese. Ai theksoi miratimin e ligjit organik të KLSH në vitin 2014, si një hap konkret dhe përcaktues ne drejtim të një pavarësie të plotë dhe reale te institucionit. Zoti Leskaj solli përvojën pozitive të KLSH në bashkëpunimin me palët e interesit si në vend, ashtu dhe me partnerët ndërkombëtarë, në mbrojtjen e pavarësisë institucionale dhe funksionale të institucionit, gjatë procesit të miratimit te ligjit të ri organik të KLSH. Ai nënvizoi se pa mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë si Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit e Komisionit Evropian DG-Budget, SIGMA, program i BE dhe OECD, ligji i ri tërësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit të INTOSAI-t, nuk do të ishte e mundur të miratohej. Kryetari i KLSH theksoi partneritetin e institucionit të auditimit suprem në vend me Parlamentin dhe sidomos me Komisionin e Kuvendit për Ekonominë dhe Financat, me Kryetarin dhe Sekretarin e tij, si tepër të rëndësishëm dhe vital. Anëtari i Gjykatës Evropiane të Audituesve, z. Rimantas Sadziu e cilësoi prezantimin dhe rastin e KLSH si një shembull dhe eksperiencë me vlerë për SAI-t që duan të forcojnë pavarësinë e tyre institucionale. Kumtesa u vlerësua si nje “case study” nga diskutuesit. Në Panelin e Dytë me temë “Në rrugën e auditimeve të udhëhequra nga vlera për qytetaret”, Presidenti i SAI-t te Cekisë, z. Miloslav Kala solli eksperiencat dhe arritjet e institucionit të tij, por edhe bashkëpunimet e frytshme në auditimet e përbashkëta dhe paralele. SAI i Serbisë solli sfidat e ndryshimit të qasjes së auditimeve nga ato tradicionale në auditimet e orientuara nga qytetari. Në forumin e diskutimeve “SAI: të qenit një organizate model për qeverisjen e mirë”, Audituesit e Përgjithshëm dhe Presidentët e SAI-ve të Finlandës, Kosovës, Sllovenisë dhe Turqisë sollën vizionin e tyre dhe përpjekjet e institucioneve që drejtojnë për të dhënë shembullin e integritetit dhe profesionalizmit në punën audituese.

Paneli i Tretë me temë “Modernizimi i Kapaciteteve administrative të SAI-ve” solli diskutimin e z.Krzysztof Kwiatkovski, President i NIK, me ide të reja ne drejtim të rritjes së përvojës qeverisëse të SAI-ve dhe përmirësimit të përdorimit me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të burimeve njerëzore dhe financiare që ato kanë në dispozicion. Në panelin e Katërt me temë “Komunikimi me Palët e interesit dhe rritja e besimit të qytetarëve” u paraqitën prezantime dhe diskutime me vlerë për të gjithë të pranishmit, në drejtim të zbatimit të strategjive të reja në komunikimin me partnerët dhe aleatët e natyrshëm të SAI-ve, si dhe në fitimin e besimit të qytetarit për përfitimet nga shërbimet e tyre. Gjatë dy ditëve të qëndrimit në Sofje, Kryetari i KLSH zhvilloi takime pune me Presidentin e BNAO-s, z. Tzvetan Tzvetkov dhe me anëtarë të Gjykatës së BNAO-s, me anëtarë të Gjykatës Evropiane të Audituesve, me Presidentin e Zyrës Kombëtare të Auditimit Shtetëror të Polonisë(NIK), z. Krzysztof Kwiatkovski, me Presidentin e SAI-t te Sllovakisë, z. Karol Mitrik, me Presidentin e SAI-t te Cekisë, z. Miloslav Kala, me Audituesin e Përgjithshëm të Kosovës z. Besnik Osmani, me Zv/Audituesin e Përgjithshëm të Maqedonisë z. Naser Ademi, me Presidentin e Senatit të Dhomës Shtetërore të Auditimit të Malit të Zi, z. Milan Daboviç dhe me Audituesin e Përgjithshëm të SAI-t të Serbisë, z. Dusko Pejoviç, si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të ACA-s, z. Wolfgang Wiklicky. Në këto takime u diskutua për ecurinë e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe rritjen e partneritetit përmes shkëmbimeve të eksperiencës së përbashkët, sipas motos së INTOSAI-t “Experentia Mutual Omnibus Prodest” (Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë).