Kreu i Inspektoratit të Punës Dritan Ylli, apel kompanive për sigurimin e punonjësve

    411
    Në kuadër të fushatës mbarë europiane lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë, gajtë një inspektimi në bizneset private, përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, drejtori i Inspektoratit të Punës Dritan Ylli u shpreh se gjatë këtij viti janë bërë më shumë deklarime të aksidenteve në punë. Lidhur me rritjen e këtyre deklarimeve, Ylli i bëri thirrje të gjitha kompanive që të regjistrojnë e të sigurojnë punonjësit. “Të krijohet një mjedis i mirë pune, për punonjësit një punonjës që nuk është i regjistruar, një punonjës që punon pa sigurime, një punonjës informal natyrisht është një punonjës që nuk mund të flitet as për kushte pune. Ne i bëjmë thirrje të gjitha kompanive të gjithë sipërmarrjes private në radhë të parë ti regjistrojnë punonjësit t’i sigurojnë ato dhe pa diskutim që të krijojnë kushte pune më të mira “-tha Ylli. Ndërkohë i pranishëm në këtë takim ishte edhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi, i cili theksoi se Shqipëria është një vend që ka mjaftueshëm vende të lira pune por që i mungojnë profesionistët. 

    Në fjalën e tij, ministri ka theksuar rëndësinë që ka jo vetëm për punëtorët, por edhe për vetë punëmarrësit garantimi i standardeve të kërkuara të sigurisë. Sipas tij, kostoja e krijimit të këtyre kushteve dhe standardeve është më e vogël sesa kostoja që do të duhet për të përballuar shpenzimet për çdo aksident që mund të ndodhë si pasojë e mungesës së këtyre kushteve. “Është një moment që na bën të mendojmë se duhet ta rikthejmë vëmendjen në këtë aspekt dhe kjo jo vetëm se është një kërkesë ligjore për mbrojtjen e jetës së punëmarrësve në vendin tonë, por edhe se kërkohet që vetë biznesi ta kuptojë këtë aspekt si shumë domethënës dhe të rëndësishëm në aktivitetin e tyre. Në Shqipëri nuk kemi shifra të ekzagjeruara të aksidenteve, por biznesi shqiptar duhet ta kuptojë që rritja e sigurisë, e cilësisë dhe shëndetit në punë është një mundësi më pak për shpenzime për ta dhe minimizim i probabilitetit për ndodhjen e tyre”, tha ministri Klosi. Sakaq, ai solli në vëmendje sërish arsimin profesional, pasi siç u shpreh ministri, të dhënat nga zyrat e Punës tregojnë se sot janë 26 800 vende pune që kërkojnë punonjës të kualifikuar.

    “Në bisedë me shumë biznesmenë, në bisedë me të gjithë ata që ofrojnë punë, ne shohim se kemi një situatë paradoksale në vendin tonë. Në zyrat tona të Punës, sot kemi plot 150 mijë veta që kërkojnë punë, ndërkohë që po në të njëjtat zyra dhe sportele kemi 26 800 vende të lira pune. Pra, biznesi kërkon punë, Shqipëria nuk ofron punonjës të kualifikuar”, nënvizoi Klosi. Po ashtu, ministri shtoi se “zyrat tona të punës në gjithë Shqipërinë duhet të jenë shumë më tepër aktive duke ofruar negociata midis biznesit dhe punëmarrësit, me qëllim që vendet e reja të punës t’u bëhen me dije qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Klosi. Nga ana tjetër, përfaqësues të shkollave profesionale kërkuan që bizneset të bëhen palë bashkëpunuese për praktikat profesionale me rreth 70% të orëve të mësimit. 
    Sigal